“Baballarët e Kombit”. Mafie dhe përdhunime

 

Dita e enjte e seancave të Kuvendit është kthyer nga mbledhje për miratimin e ligjeve në arenë sherri me fjalor ordiner e të paskrupullt që vetëm me institucionet shtetërore nuk ka lidhje. Retorika politike me fyerje dhe akuza, të cilat nëse do të hetoheshin do çonin në burg ose të akuzuarin ose akuzuesin nuk kanë munguar në Parlament prej kohësh. Por dje duket se kanë arritur nivelin më të lartë. Në stilin e tij duke hedhur baltë kundër çdo ministri apo deputeti të mazhorancës  ka “shkëlqyer”  ish-kryeministri Sali Berisha. Pasi akuzoi si kupolë të korrupsionit kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja kërcënoi në mënyrë të hapur ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Në altoporlantët e Kuvendit u dëgjua vetëm shprehja “s’ke turp, mbaje gojën”, por larg mikrofonit fyerjet ndaj ministres kanë qenë edhe më të rënda. Kulmi i ish-kryeministrit Sali Berisha arriti me deputetin e PS-së, Taulant Balla. Një histori që Berisha ja përmend shpesh Ballës u kthye dhe njëherë në qendër të vëmendjes. Vetëm se në seancë doza dhe gjuha e përdorur ishte me e rëndë. “Je i vetmi në këtë sallë i akuzuar për përdhunim”,- i tha Berisha deputeti të PS-së. Nuk ka munguar dhe reagimi i deputetit Balla, duke debatuar në Kuvend me një fjalor  të rëndë: “Një njeri është i përdhunuar këtu, je ti i përdhunuar nga 1 milion shqiptarë. Do përdhunohesh me shumë në ndëshkimin që do marrësh në 21 qershor. Mos e përdor më foltoren si vend për jashtëqitjen tënde…”,- ishte reagimi i deputetit socialist. Fjalori jo normal dhe shprehjet me pullë të kuqe nuk ishin të vetmet në seancë.

Akuzave për përdhunime dhe rrëmbime njerëzish, njëlloj si në një kod komunikimi bandash u është shtuar dhe termi mafie. Debati i shkurtër për “mafien” është zhvilluar mes ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarit aktual të tij, Ilir Meta. Topalli shqiptoi dje me lehtësi akuza që nga pozicioni i ish-kryetares së Kuvendit duhet të ishte menduar dy herë para se t’i deklaronte. “Mafia e ilaçeve dhe sot është ulur në krye të Kuvendit dhe Qeverisë”,- tha ajo. Nuk ka mbetur pas dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta duke u përgjigjur me të njëjtën monedhë e duke bërë për pasojë të njëjtin gabim. “Përsa i takon mafies që përmendni, ju keni muaj që jeni ulur në gjunjë para mafies”. Megjithatë kjo është gjuhë politike e rënduar, porse akuzat kishin të verteta brenda tyre, gjithnjë sipas sejcilës palë, ndonëse të vertetën e di vetëm populli që i njeh mirë dy akuzatorët e njëri tjetrit.

Deklaratat e mësipërme janë vetëm një pjesë e debatit që nuk është thënë në rrugë, apo ndonjë takim privat, por në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Fyerjet dhe akuzat nuk janë bërë nga njerëz pa rëndësi, por nga politikanë që kanë pasur dhe kanë poste kyçe në drejtimin dhe fatet e këtij vendi. Për nga niveli i vendimmarrjes politikanë të tillë quhen “baballarë të kombit”. Në çdo shtet tjetër që klasifikohet si demokratik, pas akuzave të tilla do kishte një hetim. Ndryshe si mund të pranohej në një shtet normal që ish-kryetarja e Kuvendit dhe Kryetari i Kuvendit pranojnë se në vend ka mafie dhe se ajo është e lidhur deri në kupolën më të lartë të drejtësisë. Dhe bile akuzuan njeri tjetrin si kupola të mafias. Apo aq më keq, në cilin parlament ndodh që një deputet akuzohet për përdhunim dhe kjo akuzë kalon si një shashkë politike. Nëse e ka seriozisht këtë akuzë imagjinare dhe të pabesueshme Berisha, mirë tani që është në opozitë, por kur ishte kryeministër pse nuk e hetoi? E njëjta gjë vlen dhe për deputeti Balla që është rreshtuar në Kuvend si një nga njerëzit që ka kurdoherë gati përgjigjen për deputetët e PD dhe di çdo detaj të jetës së djalit dhe vajzës së Berishës. Nëse i ka seriozisht emrat e firmave dhe lidhjet që përmend për Shkëlzen Berishën, prokuroria nuk është shumë larg nga salla e Kuvendit, le të shkojë dhe të denoncoi të gjitha ato që di.

Retorika e ashpër se seancave ka një arsye dhe lidhet kryesisht me ethet e fushatës elektorale.  Por fushata bëhet me programe dhe jo me “përdhunime politike” dhe mafie. Parlamenti është institucioni më serioz i vendit dhe “baballarët e kombit” janë zgjedhur aty për të votuar ligje dhe jo për të sharë me “libër shtëpie”. Nëse çdo seancë do të vazhdojë kështu, le ta shtyjnë për orët e vona të natës, ose gjatë transmetimit të tyre televizionet të vendosin një shenjë me pullë të kuqe e ku të ndalohet ndjeka e seancave për fëmijët.  Nëse politikën nuk e bezdisë fjalori kriminal dhe me pullë të kuqe, të paktën të mos ndotin dhe shoqërinë.

Në fund të fundit ky është parlamenti i sotëm ku ka hyrë mafia, krimi, paaftësia dhe turpi. Natyrisht që ka edhe deputetë me integritet dhe duhen respektuar, porse pakica si pisllëk po kthehet në shumicë me turp. Nga të dyja palët politike.

Qamil  Xhani

 

 

REPLIKAT NË KUVEND

Sali Berisha:  Çfarë e ke ti atë që të arrestuan me shoferin tënd? Ortak në pluhur, po, po. Së treti, ti sillesh në këtë mënyrë se je i inkriminuar dhe ty të djeg dosja e krimit, je i vetmi në këtë sallë i akuzuar për përdhunim.

Taulant Balla:Sa për përdhunime, një njeri është i përdhunuar këtu, je ti i përdhunuar nga 1 milion shqiptarë. Do përdhunohesh me shumë në ndëshkimin që do marrësh në 21 qershor. Të kemi thënë Sali që do të të fillojnë dhimbjet e s’do dish nga do shkosh. Mos e përdor më foltoren si vend për jashtëqitjen tënde… Mos hyj në muhabete familjare. I thuaj tët biri ta çojë kalin në Suedi.

Jozefina Topalli:Fotot që do të tregoj, tregojnë se ajo është fytyra e mafies në pushtet. Paraqet fotot e emisionit televiziv ku denoncohej rasti i falsifikimit të kartave të identitetit).Blerje votash e pacipë. E ka emrin mafie, si mafia e ilaçeve dhe sot është ulur në krye të Kuvendit dhe Qeverisë. Të pacipët falsifikojnë identitetin e shqiptarëve. Kështu ka ndodhur edhe në qershor të 2013-ës, por nuk duhet të ndodhë në qershor të 2015ë-s. Ky vend rrezikon trazira”.

Ilir Meta:…. Përsa i takon mafies që përmendni, ju keni muaj që jeni ulur në gjunjë para mafies.

 

 

SHKARKO APP