Bandat në universitete!

Gara për zgjedhjet në universitete dje është tronditur nga akuza të rënda që vënë në pikëpyetje gjithë procesin në botën akademike. Ish-kryeministri Sali Berisha, në një bashkëbisedim me gazetarët ka hedhur akuza të ashpra. Sipas tij, një prej kandidatëve për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni i cili garon përballë profesores Klodeta Dibra është kërcënuar nga një emër i njohur me precedentë penalë, Emiljano Shullazi. Veç profesor Konit, që sipas Berishës i është kërkuar tërheqja nga gara, kërcënime ka marrë dhe rektori aktual në detyrë Dhori Kule.

Kryebanditi Emiljano Shullazi i kërkon Profesor. Mynir Konit të tërhiqet nga gara ose do ti rrëmbehet djali dhe i thotë se po fole ke kokën. Dje Profesori i nderuar Mynir Koni ka paraqitur në mënyrë të papritur dorëheqjen. Banda e Emiljano Shullazit me tre makina të blinduara, sot në Shqipëri qarkullojnë me makina të blinduara vetëm Edvin Shullazi dhe Emil Shullazi.Kanë ndaluar në mes të sheshit “Nënë Tereza” me tre makina Rektorin aktual të Universitetit i cili e dorëzon detyrën, Profesorin e nderuar Dhori Kule dhe i kanë kërkuar në mënyrë kërcënuese ultimative që ti heqë çdo mbështetje Mynir Konit, nuk e di nëse i kanë kërkuar apo jo më shumë se kaq”,- tha Berisha.

Gazeta tentoi të kontaktoj dje me dy profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Koni, që sipas ish-kryeministri Sali Berisha janë kërcënuar. Por të dy profesorët nuk kanë pranuar të japin asnjë reagim për qëndrimet e Berishës. Në rrjetin social Facebook, kandidati Mynyr Koni në një koment të shkurtër konfirmonte se do të vazhdojë garën, por nuk ka sqaruar asgjë lidhur me kërcënimet që mund të ketë marrë.

Unë, kandidati Mynyr Koni, deklaroj që vazhdoj të jem në garë për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës. I kërkoj studentëve dhe stafit akademik që së bashku ta çojmë përpara këtë proces zgjedhor me urtësinë dhe zgjuarsinë që karakterizon botën tonë akademike”,- shprehet kandidati Mynyr Koni.

Zgjedhjet në universitetet shtetërore administrohen nga Komisioni Institucional i Zgjedhjeve. Kryetarja e këtij institucioni, Majlinda Keta tha dje se nuk ka pasur asnjë denoncim apo dorëheqje nga kandidati Mynyr Koni. I vetmi denoncim, sipas saj është ai kandidates Klodeta Dibra e cila deklaron se ditën e premte kandidati Mynyr Koni ka ndaluar studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Natyre që të marrin pjesë në prezantimin e platformës së saj për rektore të UT-së.

Pavarësisht rivalitetit mes kandidatëve, akuzat e Berishës i kalojnë caqet e një gare normale. Aq më tepër që flasim për universitetet dhe botën akademike të cilat duhet të jenë modeli i gjithë shoqërisë. Të fusësh bandat e malavitës dhe nëntokës së krimit të organizuar, në një garë intelektualësh që përgatisin brezat e rinj është një sinjal alarmi. Nuk bëhet fjalë për një kërcënim, gjithmonë nëse është i vërtetë, mes dy kryepleqve në fshatrave, por për ajkën e elitës intelektualë në qendër të Tiranës. Nëse njerëz me precedentë penalë kanë arritur derisa të ndikojnë në zgjedhje në universitete, çfarë mund të thuhet për zgjedhjet lokale apo ato parlamentare?!

Është nga ato raste kur institucionet nuk duhet të humbasin kohë për të verifikuar akuza. Madje jo vetëm Prokuroria, Ministria e Brendshme, por edhe Kryeministri publikisht duhet investohen për të hequr çdo hije dyshimi në këtë proces. Edhe nëse Berisha ka thënë një gënjeshtër, është nga ato gënjeshtra që bën pis jo vetëm shtetin, por gjithë atë çka përfaqëson shoqëria shqiptare. Ndaj institucionet duhet të veprojnë, jo për të komentuar garën, apo për të ndikuar në proces, por për tu dhënë garanci qytetarëve se krimi dhe bandat, të paktën nuk kanë prekur ende universitetet. Në të kundërt do të ishte jo vetëm diçka e turpshme, por edhe një çmenduri shqiptare ku të fortët pasi përdoren për vota në zgjedhjet politike madje disa prej tyre hyjnë në Parlament, tani bëjnë ligjin dhe mes akademikëve.

Policia e Tiranës e ka shoqëruar mbrëmë vonë Shullazin në polici dhe ka bërë kontroll banese të tij, por akoma nuk kishte deri vonë ndonjë deklaratë nga policia se sa bazë kishte akuza e ish-kryeministrit Berisha.

Por bota akademike ka marrë dje një akuzë të rëndë, ku deri tani nuk kishin hyrë bandat kriminale, por era e keqe e krimit duket se po hyn edhe në universitete. Duhet reagim i fortë shtetrorë, pasi të paktën botën e kulturës, të arsimit dhe atë akadamike ta ruajmë nga pisllëku i politikës dhe i këtij parlamenti të inkriminuar.

Mos i ndyni Universitetet!

SHKARKO APP