Lulzim Basha rikthen shkrimtarin, ndërsa Edi Rama largon shkrimtarin

 

Zgjedhjet në Dibër kishin lajmin kryesor këto ditë pjesëmarrjen në fushatë të ish-ministrit dhe ish-deputetit të PD-së, Besnik Mustafaj. Pas një largimi prej 9 vitesh nga selia blu, bashkëthemeluesi i PD-së u shfaq në krah të Lulzim Bashës dhe kandidatit Sherefedin Shehu. Më shumë se për garën lokale dhe kandidatin demokrat në Dibër, rikthimi i Mustafajt është një mbështetje për kreun e PD-së, Lulzim Basha. Dhe një plus se Kryetari i PD-së po vepron si Berisha në vitin 2005, para kohës së ardhjes në pushtet, kur mblodhi gjithë figurat më të spikatura, edhe nga shoqëria civile dhe mori pushtetin.

Me riafrimin e Besnik Mustafajt në Partinë Demokratike, Basha nuk ka hapur dyert vetëm për një themelues të partisë dhe aktivist të hershëm të saj. Mustafaj, para se të jetë demokrat është një shkrimtar dhe intelektual i njohur që i bën nder Partisë Demokratike me angazhimin e tij. Kjo vlen sidomos në kohën kur partia është në opozitë dhe rreth saj përveç ish-zyrtarëve dhe ish-ministrave nuk afrohen lehtë figura të reja. Mustafaj iku nga politika aktive e PD-së kur ishte në kulmin e pushtetit dhe vjen sot kur PD-ja ka nevojë për eksperiencën dhe formatin e një intelektuali. Përveç dëshirës së Mustafajt, afrimi i tij është meritë dhe zgjuarsi politike e Lulzim Bashës. Si kryetar i PD-së prej tre vitesh, Basha e ka kuptuar se njerëz të kalibrit të Mustafajt janë ata që e bëjnë një parti të jetë sfiduese jo vetëm në mitingje, por edhe në debate dhe qëndrimet intelektuale. Përveç Mustafajt, lideri Basha po projekton marrjen në fushatë dhe në listën e PD-së të figurave më të mira në rang kombëtar.

Ajo që po ndodh në Partinë Demokratike, në këtë rast, vlen të krahasohet me rivalen e saj kryesore Partinë Socialiste. Nëse e djathta ka afruar një shkrimtar të njohur,  te Partia Socialiste ndodh e kundërta.  Prej dy vitesh kryetari i saj dhe Kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë linçimi ndaj politikanit dhe shkrimtarit Ben Blushi. Që me nisjen e kritikave për modelin e qeverisjes që po instalon Rama në vend, Blushi u shpall armik dhe i padëshiruar për drejtuesit e selisë rozë. Qëndrimi armiqësor ndaj Blushit nuk është vetëm për shkak të bindjeve politike mbi të ardhmen e së majtës, por edhe “alergji” që kupola e PS-së dhe drejtuesit e saj të rinj kanë ndaj mendimit ndryshe, debatit dhe asaj çka përfaqëson intelektuali në një parti. Kritikat kanë arritur deri në atë pikë sa në selinë rozë i kujtojnë Blushit se duhet të zgjedhë mes politikës dhe letërsisë, pasi siç duket në PS këto dy profesione nuk mund të rrinë bashkë. Është paksa paradoks, kur këto ide i dëgjon nga njerëz që rrinë afër një Kryeministri që takimet më të rëndësishme jashtë vendit i ka shfrytëzuar për ekspozita pikturash dhe promovimin e librit të tij. Edi Rama është intelektual në gen, ndaj duket absurde fakti që largon një intelektual të përmasave kombëtare si Ben Blushi.

E habitshme se si të transformon pushteti dhe si turren lajkatarët për të shfrytëzuar pushtetin për pasurim.

Problem nuk është largimi i një personi apo fati personal i një deputeti, qoftë ky edhe shkrimtar. Çështja është se çfarë zgjedh të afrosh në parti, pasi deri tani PS-ja ka bërë çdo lëvizje për të larguar intelektualët nga radhët e saj. Në vend të njerëzve të artit dhe botës akademike, Partia Socialiste ka hapur dyert pa kushte për një tjetër grup njerëzish, të cilët përveç servilizmit nuk kanë asnjë profesionin ku mund t’i klasifikosh. Por këta nuk janë të vetmit, grupi tjetër që është afruar me shumicë në PS janë biznesmenët që nuk janë në gjendje të tregojnë si i kanë vënë paratë. Dhe që nuk kanë asnjë gram shkollë e kulturë. Të tjerët, ata që mbeten në PS, janë emrat që media dhe opozita i ka përmendur për precedentët penalë. Natyrisht që ka edhe emra VIP në PS, por tendenca mbetet tek largimi i tyre.

Si mund të pretendosh për Rilindje të vendit, kur Rilindja nënkupton mbi të gjitha kulturë, libra, intelekt, iluminim të shoqërisë. Rama ka folur për Rilindje, por ka sjellë tjetër në model në politikë këto vite. Në vend të atyre që shkruajnë libra, futi në Kuvend ata që mbajnë pistoleta. Në vend të kulturës, po fut në Shqipëri  modelin e mbjelljes masive të hashashit. Rilindja nuk mund të bazohet në këto parime.

Me sa duket Basha po e kupton se rruga e Ramës është e padobishme dhe po i lexon gabimet e tij.

Rama është tjetërsuar. Pushteti? Paraja? Servilët? Mosmirënjohja? Cila nga këto e ka tjetërsuar?

SHKARKO APP