Basha paralajmëron luftë civile dhe kërcënon Metën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar zhvillime kaotike në vend, nëse mazhoranca nuk tërhiqet nga nismat e saj antiligjore.
Në një konferencë për gazetarët, Basha u ndal konkretisht në ligjin e Teatrit Kombëtar. Ai paralajmëroi luftë civile nëse ligji vihet në zbatim. Nga ana tjetër, veç mazhorancës, Lulzim Basha ka kërcënuar dhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta.
Kreu i PD tha se nëse Presidenti Meta e miraton ligjin, atëherë kjo konsiderohet si pjesëmarrje në grusht shteti. Sipas kryedemokratit, miratimi i ligjit konsiderohet si shkelje e vijave të kuqe të Kushtetutës dhe vendi mund të shkojë në luftë civile. “Do ndjekim të gjitha hapat, por shkelja e parimeve ligjorë është kaq evidente saqë dekretimi i ligjit apo kalimi me heshtje, nuk është gjë tjetër vetëm pjesëmarrje në grusht shteti. E kam fjalën për çdo instancë që bëhet pjesë e kthimit të parlamentit në një Rajshtag të sitlit hitlerian e merr pushtete që nuk ia jep Kushtetuta. Nëse kjo vijë e kuqe shkelet ne jemi de fakto në gjendje lufte civile”,- tha kreu i PD, Lulzim Basha.
Konferenca e sotme për mediat e Lulzim Basha ju dedikua kryesisht çështjes së Teatrit Kombëtar. Pasi kërcënoi kreun e shtetit, Ilir Meta, Basha paralajmëroi dhe kryeministrin Edi Rama duke ripërsëritur qëndrimin se nëse kullat në tokën e Teatrit Kombëtar do të ngrihen atëherë, me ardhjen në pushtet të PD do të miratohet një ligj për shembjen e tyre me mina.
Ai tha se me shembjen e Teatrit, vidhet prona publike dhe shkatërrohet trashëgimia kulturore. Më tej, ai tha se artistët janë manipuluar duke u bindur për firmosjen e peticionit. “Është një aferë prej 200 mln eurosh para publike. S’quhet më Tirana, por Tirama, kjo është ëndrra e psikopatit taleban. Kemi të bëjmë me një mashtrues serial. Shpresa dhe besimi im është që kurajoja gazetareske do dalë mbi Edi Ramën. Kjo është çështja me të cilën do nisja bashkëbisedimin. S’ka projekt për Teatër, ka projekt për kulla. Të gjithë ata që se kuptojnë, janë mashtruar. Artistët janë manipuluar në kërkesën e tyre për një teatër dinjitoz”, tha Basha.
Të bën përshtypje gjuha e përdorur e kryetarit të PD-së, kur flitet për Kryetarin e Shtetit. E para asnjeri nuk e di si do të vendosë Presidenti në lidhje me këtë Ligj. E dyta, Ilir Meta, edhe për vetë nga natyra, nuk don t’ia dijë fare për presione. Ai vendos sipas bindjes, Ligjit dhe Kushtetutës. Ka plot shembuj në karrierën e Ilir Metës që nuk ka pranuar presion as nga ish-presidenti Berisha në vitin 1992, as nga Fatos Nano në vitin 1999 apo në vitin 2004, as nga Edi Rama ndër shumë vite. Natyrisht as nga Basha.
E fundit, Presidenti do të vendos, siç duket, vetëm bazuar në Kushtetutë dhe pa asnjë presion.
Lulzim Basha kërcënoi edhe Edi Ramën vjet me çadrën, por të gjithë pamë se si u përqafuan në mesnatë me 17 maj 2017. Ndaj Basha bën mirë të jetë i kujdesshëm kur kërcënon apo kur bën sikur kërcënon.
Shenim: Ne ora 14.31 Presidenti dekretoi kthimin e Ligjit ne Kuvend