Basha:O rrëzohet “Parku i krimit”,ose nuk ka më Opozitë!

 PD-ja bën thirrje demokratëve mbarë Shqipërisë që të rrethojnë “Parkun e Veliajt” dhe mbi 30 mijë veta do ngrenë çadrat ditë-natë.

Cili është biznesmeni i fuqishëm që do të ndërtojë katër pallate 24 katshe afër “ parkut të fëmijëve” tek Liqeni? 

 

Nëntë deputetë të Partisë Demokratike janë kallëzuar penalisht për ngjarjen e ndodhur ditën e hënë te liqeni. Gent Strazimiri, Flamur Noka, Edi Paloka, Ridvan Bode, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Albana Vokshi, Genc Pollo, Arben Ristani janë paditur nga Policia e Tiranës si përgjegjës për dhunën e ushtruar në protesën te Parku i Liqenit. Është ndër rastet e rralla kur çereku i një grupi parlamentar kërkohet të merret nën hetim nga prokuroria për disa shkelje të rënda. Nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 25 vite, as në vitin e mbrapshtë 1997. Sikur të çonin vetëm deputetin që thonë se kishte armë në brez edhe mund të fitonin betejën ndaj PD-së, por tani kur duan çerekun e sallës me deputetët opozitarë t’i penalizojnë apo arrestojnë duket se qeveria e ka humbur betejën pa filluar hetimi. Se kush ua dha PS-së këtë ide brilante në favor të opozitës, një dreq e di, por nga nxitimi e mosnjohja e lojës politike dikush e ka futur në kurth kampin e Ramës. E përsëris nëse do të bënin padi vetëm ndaj Strazimirit do ta fitonin duelin me selinë blu. Edhe ndërkombëtarët do ta mbështesnin qeverinë,pasi në njëfarë mënyre shkonte 1-1 ndeshja e dekriminalizimit PS-PD!

Por tani nuk zhbëhet ajo që është bërë publike dhe ka shkuar në prokurori për nëntë deputetë të PD-së. Tetë deputetë akuzohen për miting të paligjshëm, kundërshtim i policisë, prishje e qetësisë publike dhe goditje për shkak të detyrës. Sipas Policisë së Tiranës, tre punonjëse të Policisë Bashkiake janë shtruar në spital si pasojë e goditjeve që kanë marrë nga protestuesit.

Deputeti Gent Strazimiri, veç këtyre akuzave, do të përgjigjet dhe për armëmbajtje pa leje. Pistoleta që i është fotografuar në brez gjatë protestës, përveçse rezulton pa leje, por është dhe në shkelje të ligjit për tubimet dhe mitingjet, sipas PS. Për pasojë, ndaj deputetit demokrat nëse do të nisin hetimet mund të kërkohet edhe heqja e imunitetit.Deputeti që u bë simboli i ligjit të dekriminalizimit mund të jetë edhe vetë viktimë e tij. Gjatë ditës së djeshme pati disa apele nga ana e Partisë Socialiste, ku kërkohej distancimi i PD-së nga deputeti që pretendohet se ka pasur armë në miting. Por për opozitën çështje duket se është mbyllur me qëndrimin e kreut të PD, Lulzim Basha se “fotoja me armë ishte montazh” dhe me atë të sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristanit se mediat e raportuan si armë , por që ishte “këllëf telefoni”. Situata nga dramatike është kthyer në komike.Por jashtë batutave më “këllëf” dhe montazheve mediatike, një rast i tillë dëshmon dhe një herë se të parët që nuk duan t’ia dinë për ligjet janë deputetët që i miratojnë ligjet në Kuvend.

Por rasti i deputetit Strazimiri, nuk është i ngjashëm më padinë e ndaj tetë kolegëve të tjerë demokratë. Nëse ndaj Strazimiri mund të ketë penalitete më të rënda, ndaj deputetëve të tjerë duket se kemi të bëjmë me padi që prodhon vetëm efekte politike. Të dërgosh për ndjekje penale 9 deputetë do të thotë të kërkosh qoftë edhe formalisht futjen në burg të çerekut të opozitës. Nëse prokuroria nis hetimet dhe kërkon marrjen e masave ndaj tyre pas kësaj, praktikisht, vendoset bojkoti total i Parlamentit nga ana e PD-së. Pra krizë politike. Ikje në zgjedhje.

Por dje Lulzim Basha tha për “Koha Jone” që edhe nëse na arrestojnë të gjithëve prapë demokratët do të vazhdojnë përditë deri në bllokimin total të punimeve tek parku i Liqenit. Ne si PD nuk tërhiqemi nga prishja e planëve të dyshes Rama-Veliaj të cilët po betonizojnë parkun e Liqenit, por skenari i tyre i fshehtë është se duan pas kësaj të hapin udhën për ngritjen e katër pallateve 24 katshe aty afër. Pra Lulzim Basha theksoi se ka një pisllëk në këtë lojë gjoja për parkun e fëmijëve, sepse nëse i lejojmë ta bëjnë kanë në plan për dhënien e lejeve ndërtimit për katër pallate 24 kate mu afër vendit ku po bëhen punimet, pohoi lideri i selisë blu.

Po cili është ky biznesmen i fuqishëm që do të ndërtojë katër pallate 24 katshe afër “ parkut të fëmijëve” tek Liqeni? Këtë nuk e thonë as PS e as PD, ndonëse selia blu e hodhi mbrëmë akuzën se kjo është loja e Erion Velisë për parkun e fëmijëve, me urdhër të Edi Ramës. Ndërkohë Kryebashkiaku i Tiranës e ka mohuar këtë akuzë se po luhet për të hapur udhën për pallatet 24 katshe në park.

Lulzim Basha tha prerë se “ Ose e bllokojmë këtë aventurë të dyshes Rama-Veliaj për parkun dhe katër pallatet 24 katshe ose ne shkrihemi si PD!”. Selia po lajmëron demokratët të mblidhen mbi 20 mijë veta e të ngrenë çadrat tek Liqeni.

Mbetet të presim që Shqipëria të mos mbetet pa PD !

Alban Prulli

SHKARKO APP