Basha: Rama mashtrues, nuk ka marrëveshje PS-PD

-Lideri i opozitës deklaron “nuk ka dhe nuk do të ketë më marrëveshje PS-PD. Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme në raport me integrimin europian, për kriminalizimin e vendit, për kapjen e shtetit, për shkatërrimin e zgjedhjeve, për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve e tij në krime të shumta korrupsioni, vjedhje dhe të procesit zgjedhor”.

-Për draft-raportin e Venecias, inicuar nga Rilindja, kreu demokrat tha: “Besoj se jo vetëm opozita dhe qytetarët, por edhe historia do ta vlerësojë vendimin e presidentit për të shmangur këto skenarë potencialisht gjakderdhje dhe vëllavrasje me njerëz që ishin të gatshëm që për hir të pushtetit të çonin në konfrontim me pasojë humbjen e jetës së dhjetëra, qindra qytetarëve”.

Lulzim Basha ka hedhur poshtë çdo skenar dhe zë që flet për një marrëveshje mes tij dhe Edi Ramës apo vetëm mes PD dhe PS. Kreu i PD-së ka deklaruar, edhe për “KOHA JONE” se koha e shfaqjeve dhe e spektakleve të Edi Ramës ka marrë fund.

Në këtë mënyrë Basha u është përgjigjur deklaratave të fundit të Edi Ramës, i cili tha se ishte gati t’i shkonte kreut të PD dhe në selinë e partisë për marrëveshje. “Vendi nuk ka nevojë për një takim për sy e faqe midis një njeriu që e ka zhytur Shqipërinë në një krizë të thellë dhe opozitës që po kërkon daljen nga kjo krizë. Vendi ka nevojë për rrugëdalje nga kriza dhe rrugëdalja nga kriza nuk bëhet me shfaqje, por bëhet me zgjedhje të lira e të ndershme, me reformë zgjedhore, me dënimin e atyre që kanë shkatërruar zgjedhjet e 2017, 2015, 2016”,- deklaroi Lulzim Basha. Nisur nga qëndrimet shpesh herë spekuluese në media për pakt mes dy partive të mëdha, Basha shtoi se “nuk ka dhe nuk do të ketë më marrëveshje PS-PD. Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme në raport me integrimin europian, për kriminalizimin e vendit, për kapjen e shtetit, për shkatërrimin e zgjedhjeve, për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve e tij në krime të shumta korrupsioni, vjedhje dhe të procesit zgjedhor”.

Kreu i Partisë Demokratike komentoi dhe tentativat e fundit të ndërkombëtarëve për t’i ulur palët në dialog për reformën zgjedhore. Basha tha se të vetme parti që e kanë marrë seriozisht këtë reformë janë në kampin e opozitës, pasi kanë hartuar një plan të qartë për ndryshimet ligjore. Ndërkohë që akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kërkon të mashtrojë ndërkombëtarët me këtë reformë. “Nuk mund të shkojmë ne drejt një reformë zgjedhore, me lojra, hilera dhe përpjekje për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”,– tha kreu i PD-së. Kreu i PD-së deklaron se zgjidhja e krizës janë vetëm zgjedhjet e parakohshme. Lidhur me planin e opozitës për reformën zgjedhore, Basha thotë se ky projekt është i njëjtë me qëndrimin e ndërkombëtarëve dhe të Bundestagut gjerman. Sipas i tij, Edi Rama duhet të zbatojë këto pika që janë të domosdoshme për reformën dhe që sjellin zgjedhjet e parakohshme, ose duhet të hapë krahun.  “Për këtë ka një plan të qartë, ka një propozim të qartë të cilin duhet ta marrë dhe ta zbatojë, ose përndryshe duhet të hapë krahun dhe të lërë të tjerët ta zbatojnë. Ai nuk mund ta mbajë peng vendin përgjithmonë. Ka 6 vite që e mban peng vendin me dështim, me mashtrime dhe me gënjeshtra. Ka ardhur momenti të zbatojë këtë plan për nxjerrjen e vendit nga kriza, që është në fakt edhe plani i partnerëve tanë, i Bundestagut dhe i Bashkimit Europian”,– tha Basha.

Lulzim Basha ka komentuar dje për herë të parë dhe draftin e Komisionit të Venecias. Duke pranuar se me kreun e shtetit ka qëndrime të ndryshme për çështje të ndryshme, Basha theksoi se anulimi i 30 qershorit nga Presidenti ishte një akt historik. Kreu i PD-së deklaroi se Presidenti shmangu gjakderdhjen dhe vëllavrasjen. “Besoj se jo vetëm opozita dhe qytetarët, por edhe historia do ta vlerësojë vendimin e presidentit për të shmangur këto skenarë potencialisht gjakderdhje dhe vëllavrasje me njerëz që ishin të gatshëm që për hir të pushtetit të çonin në konfrontim me pasojë humbjen e jetës së dhjetëra, qindra qytetarëve”,– deklaroi Lulzim Basha.

Mili Xhani

SHKARKO APP