Basha-Rama me sytë nga Kolegji Zgjedhor
Apelet e ndërkombëtarëve, negociatat dhe thirrjet për dialog nuk kanë prodhuar asnjë rezultat për zgjidhjen e krizës politike. PS pret 18 qershorin për të votuar, ndërsa PD 13 majin për të nisur protestat që sipas selisë blu nuk do të lejojnë të bëhen zgjedhje si në monizëm. Kampet kryesore politike po shkojnë me vrull drejt përplasjes dhe kaosit të zgjedhjeve të kontestuara. Kur të gjitha rrugët duket se janë shteruar, ka vetëm një mënyrë për të ndalur kaosin dhe destabilitetin dhe kjo rrugë është zbatimi i ligjit nga Kolegji Zgjedhor.
Padia që bëri Partia Agrare Ambientaliste me kryetar Agron Dukën për çregjistrimin e 16 partive që kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje është varianti më i mirë për të anuluar që tani një proces pa opozitën. PAA pretendon se janë shkelur afatet ligjore të regjistrimit të 16 partive dhe nëse Kolegji e vlerëson të saktë këtë pretendim, data 18 qershor bie. Pas kësaj partitë, Parlamenti, Presidenti dhe KQZ do të detyrohen të marrin vendim për datë tjetër zgjedhjesh. Kjo lëvizje, përveç se shmang krizën dhe destabilitetin, u jep të paktën 50 ditë kohë partive që të gjejnë konsensusin dhe të zhvillojnë zgjedhje normale.
Ky skenar është i vetmi që garanton zgjidhjen e krizës. Por për të arritur në këtë pikë duhet që Kolegji Zgjedhor, si institucioni më i lartë i gjykimit të zgjedhjeve, të marrë një vendim që rrëzon gjithë vendimet e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dje Kolegji Zgjedhor hodhi shortin për zgjedhjen e gjyqtarëve. Tomor Shkreli, Ridvan Hado, Sotiraq Lubonja, Gjin Gjoni dhe Artur Malaj janë juristët të cilët do të shqyrtojnë çështjen më të rëndësishme dhe më delikate që është diskutuar ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri. Pas përcaktimit të trupës gjyqësore, sërish me short u përcaktua edhe relatori i çështjes, që u zgjodh gjyqtari Gjin Gjoni. Pesë juristët janë sot njerëzit që kanë në dorë jo vetëm fatin e një padie të bërë nga PAA, por gjithë fatin e zhvillimeve politike. Prej tyre do të varet nëse vendi do të shkoj i sigurt më 18 qershor drejt kaosit, apo gjithë stuhia do të shfryhet duke shtyrë zgjedhjet.
Nëse Kolegji vendos se kërkesa e PAA dhe opozitës është e ligjshme i hapet rrugë një datë të re të zgjedhjeve dhe negociatave mes PD dhe PS. Ky skenar është më pozitivi për zgjidhjen e një krize në mënyrë ligjore. Autoriteti ligjor i Kolegjit Zgjedhor i jep mundësinë që të jetë institucioni që mund të realizojë me një vendim të prerë atë që nuk e bënë dot disa misione negociatash të ndërkombëtarëve dhe muaj të protestave të opozitës. Por mbi të gjitha, Kolegji Zgjedhor u heq “turpin” e humbjes të dyja palëve që sot janë në konflikt. Nëse Kolegji vendos që listat janë në kundërshtim me Kodin, automatikisht kanë vendosur shtyrjen e zgjedhjeve. Pas kësaj Kryeministri Edi Rama është i detyruar ta pranojë këtë vendim i pari. Si kryetar i Qeverisë që flet gjithë ditën për zbatimin e ligjit, Rama nuk ka asnjë arësye të dalë kundër. Veç kësaj, ky vendim i heq çdo kërkesë ndjese para socialistëve. Po ashtu, edhe për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën shtyrja e zgjedhjeve i hap rrugën për të dalë nga çadra ku është bllokuar prej 3 muajsh. Është një dalje logjike që e çon PD-së nga protesta në mitingjet e fushatës. Nëse Kolegji vendos për rrëzimin e regjistrimeve të partive dhe kandidatëve aktuale, të dyja palët dalin të fituara. Ndonëse nuk e thotë por kryeministri Rama është shprehur në mjedise të ngushta se do Zoti e rrëzon Kolegji Zgjedhor dhe u jep një varkë Bashës që të futet në zgjedhje.
Vendimi i Kolegjit nuk është i lehtë dhe ka jo pak gracka juridike. Ajo që e dëmton më shumë procesin në këtë pikë është pozicionimi i palëve pa nisur gjykimi i çështjes. Zyrtarë të PS dhe PD që kanë nisur që dje tu mësojnë gjyqtarëve si duhet të lexojnë ligjin dhe si ta zbatojnë atë. Në të dyja rastet po ushtrohet presion mbi drejtësinë. Por presioni nga PS mbetet një lojë fine e Ramës që të dalë në publik se ne e kundërshtuam, por mbi ligjin e Kolegjin Zgjedhor nuk dalim, ndaj hajde të ulemi me PD për gjetjen e zgjidhjes. Ndonëse të dyja palëve PD dhe PD iu intereson që Kolegji Zgjedhor ta rrëzojë KQZ duke hapur udhën e një shtyrje konsensuale të zgjedhjeve. Nëse Kolegji vendos ta rrëzojë KQZ në pikën që ka kërkuar një parti e opozitës, opozita do të shkojë patjetër në parlament sepse do të ndryshojë Kodin Zgjedhor me PS-në. Ardhja ndërkohë e negociatorit amerikan me një copë letre të shkruar nga vendimmarrja amerikane do të zbythë palët, PS dhe PD, që të shkojnë me pas drejt gjetjes së urave të komunikimit dhe vajtjes në zgjedhje.
Nëse Kolegji Zgjedhor rrëzon mundësinë ligjore për kompromis atëhere nuk dihet fillimi i fundit të një rrëmuje dhe destabiliteti. Ndaj Kolegji Zgjedhor ka fatin e madh për të mbajtur Shqipërinë në stabilitet dhe normalitet me një vendim, të cilin ai e vendos ditën e enjte të javës së ardhshme.
Qamil Xhani