Basha-Selami, garë në errësirë

Nga Qamil Xhani

 Përballja e dy kandidatëve për kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe Eduard Selami dje në Shkodër është shoqëruar me një incident. Në orën 17:30 teksa demokratët prisnin në sallën e kinema “Millenium” që të flisnin kandidatët, energjia elektrike është ndërpretë për disa minuta. Incidenti ka zgjatur derisa pronarët e “Kinema Millenium” në Shkodër ndezën gjeneratorin duke u dhënë mundësinë kandidatëve të prezantonin platformat. Fillimisht nga demokratët u mendua për “sabotim” nga ana e strukturave të Partisë Socialiste në Shkodër. Drejtuesit lokalë të PD-së kontaktuan me përgjegjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Për këtë arsye, OSHEE u detyrua në mbrëmje që të dalë me një komunikatë për mediat, ku shpjegonte shkaqet e mungesë së dritave në takimin e Bashës dhe Selamit. Sipas OSHEE, faji për errësirën në sallë ishte i zjarreve që kanë rënë në zonën e Shkodrës dhe kanë dëmtuar linjën e tensionit të lartë. Natyrisht që asnjë nuk e beson këtë justifikim, pasi ndërkohë Shkodra kishte drita, ndërsa zona ku zhvillohej takimi u stakua.

Incidenti mund të mos kishte marrë shumë vëmendje. Në një situatë tjetër do të quhej diçka normale, pasi energjia elektrike ndodh shpesh që të mungojë këtë verë. Por për vetë modelin e  garës që po zhvillohet për kreun e saj, ngjarje të tilla duket sikur pasqyrojnë atë që ndodh aktualisht në Partinë Demokratike. Që pas humbjes së 25 qershorit Partia Demokratike duket se po endet në errësirë, pa ditur të gjejë rrugën për organizimin e saj në mandatin e dytë në opozitë. Mënyra sesi Lulzim Bashës hyri në garë për mandatin e ri të kryetarit, siç e akuzojnë dhe vetë deputetë e tij, është pa transparencë dhe pa respektimin e rregullave të brendshme të PD. Kundërshtarët e Bashës e akuzojnë se përveç disfatës elektorale, nuk u jep më siguri se çfarë ka ndërmend të bëj me opozitën dhe PD. Spastrimi i një sërë figurash politike të historisë së selisë blu duket si nisja e një ndarje të elektoratit të PD-së. Në këtë luftë të fortë brenda grupeve në PD-së, një kërcënim tjetër serioz për të ardhmen e partisë qëndron marrëveshja e panjohur mes Lulzim Bashës dhe kryeministrit, Edi Rama. Si për ironi edhe këtë marrëveshje Basha-Rama, demokratët e kanë quajtur pazari i errësirës.

Të panjohurave të shumta në PD u është shtuar dhe kandidimi i Eduard Selamit. Çdo demokrat, edhe ata që janë me Bashën dhe ata që janë kundër Bashës, e dinë që Selami ka pak ose aspak shanse për të fituar. Megjithatë ai hyri në një garë që vetëm emrin ka të tillë. Në vend të gjente një formë bashkëpunimi me të pakënaqurit e tjerë në PD, ose të shërbente si zbutës i përplasjes mes grupeve në PD, Selami zgjodhi të ecë i vetëm në një betejë nga e cila Basha fiton në të gjitha rastet. Edhe nëse vetë Selami ka menduar seriozisht fitoren, këto ditë ai po e sheh veten në një proces pa rregulla, pa listë të anëtarëve dhe me strukturat zyrtare të PD-së kundër tij. Një garë që mund të ngjajë farë mirë me sallën pa drita dje në Shkodër, ku nuk ka kujt ti flasë, sepse ata që vijnë në takime janë “demokratët” e Bashës. Natyrisht që Eduard Selami mbart vlera historike për PD-në, por gara duket e fituar nga Lulzim Basha. Nuk ka gjasa të ndodhë ndryshe. Pas Bashës është Sali Berisha ndaj ky proces që në PD quhet zgjedhje, dihet se çfarë do të prodhojë dhe cilin do të nxjerrë fitues më 22 korrik. Ajo që nuk dihet është se çfarë e pret PD-së pas kësaj date. Selia blu ka përpara 4 vite të gjata në një opozitë të vështirë. Përballë ka një kryeministër dhe një mazhorancë që nuk do të kenë mëshirë, pasi nuk mund të humbasin më asgjë. Ndërkohë PD-ja ka dhënë shenjat e një partie që sapo ka nisur përçarjen e thellë. Dje, teksa në Shkodër bëhej humor me “fikjen e llampave” të kandidatëve, në Korçë demokratët protestonin kundër Astrit Patozit. Një grup mbështetësish të PD-së me parulla në duar i zunë rrugën drejtuesve të grupit anti-Basha, duke e akuzuar Astrit Patozin për humbjen e zgjedhjeve!! Ky është një tjetër fakt se PD-ja në opozitë është ende në “errësirë” derisa ende nuk e dinë se cilin kanë kundërshtar politikë.

Errësira politike në PD do zgjasë deri atë ditë që Lulzim Basha do deklarohet hapur dhe prerë kundër PS dhe koalicionit me Edi Ramën. Nëse këto silura që hedh Basha këto ditë të fundit ndaj Ramës janë pjesë e lojës për të gënjyer demokratët sa t’ju marrë votën me 22 korrik, atëherë errësira politike do jetë gjatë në selinë blu.

SHKARKO APP