Basha shet çadrën, Rama ruan karrigen
Nga Nikoll Lesi
Marrëveshja e dirigjuar në media dhe në publik si një kontribut për standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme përfundoi në një pazar të pisët mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Natyrisht që ka një vlerë normaliteti, sepse largoi planin e destabilitetit të vendit si dhe futi opozitën në zgjedhje. Por për parime demokracie dhe ligji nuk kanë të drejtë të flasin asnjëri.
Në vend që të luftohej dhe realizohej “Republika e re”, siç premtoi Lulzim Basha para demokratëve, ai pranoi përsëri “kryeministrin e vjetër” Edi Rama dhe mori prej tij një tortë të madhe me poste ministrash, drejtorësh – ku ka tenderime – dhe poste të tjera, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet e lira e të ndershme.
Një pazar që realisht u dyshua prej publikut dhe medias së lirë se po hartohej që të mërkurën pas mesnate, kur Basha dhe Rama larguan kryetarët e partive të tjera politike dhe mbeten vetëm kokë më kokë. Një marrëveshje, e cila nuk prodhon realisht zgjedhje të lira, por ndan tortën e pushtetit dhe të parave në tavolinë.
Edi Rama shiti gjithçka nga pjesa e vyer e PS-së vetëm që të ruante karrigen e tij kryeministrore. Shiti Fatmir Xhafajn, një ministër me staturë të lartë ekzekutive dhe një zyrtar korrekt me ligjin, i cili sapo nisi një fushatë të madhe antikanabis dhe spastrimin e krejt kupolës së policisë së shtetit. Është një përdorim i poshtër i emrit dhe staturës profesioniste të Fatmir Xhafës. Apo kjo mbetet një hakmarrje e pastër, sepse filloi të pastronte Ministrinë e Brendshme nga mafiozët dhe njerëzit e lidhur me drogën? Si mund të largonte e të shiste ministrin e Financave, Arben Ahmetajn, i cili ia solli në parametrat me normal financat e shtetit? Apo ministren Olta Xhaçka, e cila është një nga ikonat femërore socialiste, që drejtonte Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe që nuk kishte asnjë lidhje me zgjedhjet dhe standardet e tyre. Po kështu edhe disa shitje të tjera u bë në “pazarin e Milotit”.
I dha edhe Ministrinë e Drejtësisë të drejtuar nga kryetari i LSI-së, Petrit Vasili duke prekur në pabesi edhe koalicionin qeverisës dhe pa e lajmëruar fare, gjë që praktikisht sjell rrëzim të koalicionit të deritanishëm. I dha drejtorë OSHEE, Hipotekash, tenderimesh, etj., çka nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet. Çfarë lidhje ka Artan Lame me zgjedhjet që ia shiti PD-së?!
E gjithë marrëveshja ka dy probleme themelore që të lënë një shijë të keqe dhe kutërbojnë erë pazari dhe allishverishesh. Problemi i parë është moral. Basha ngriti në këmbë çdo qelizë opozite që kishte mbetur në vend dhe rreshtoi për 90 ditë njerëzit në çadër duke premtuar një model të ri në politikë. Basha foli për zgjedhjet, krimin, korrupsioni dhe ngrehinën e kalbur të sistemi politik të krijuar nga Edi Rama. Premtoi se do të ishte njeriu që do bënte atë që askush tjetër nuk e kanë bërë në politikë në këto 27 vjet. Në gjithë qëndrimet e tij ishte shpresa e demokratëve, por edhe për një pjesë njerëzish të paangazhuar për përmbysjen e një modeli të pushtetit që po mban peng Shqipërinë. Në vend të kësaj, Basha bëri pazar pikërisht me njeriun që ai e cilësonte si të keqen më të madhe të demokracisë në vend, Edi Ramën. Moralisht kauza e Bashës u dëmtua në momentin që e pranoi Edi Ramën, si Kryeministër të “Republikës të Re” që ka shpallur. Natyrisht i fituar ka dalë Edi Rama nga ky pazar.
Problemi i dytë i marrëveshjes është jo vetëm moral, por ligjor dhe teknik. Nga pakti Rama-Basha zgjedhjet u shtynë vetëm me 7 ditë, nga 18 qershori në 25 qershor. Sikur që sot ministrat dhe drejtorët e propozuar të marrin detyrën, e kanë të pamundur të realizojnë ato shqetësime që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Basha mori një tabor me ministria dhe drejtorë, por askush nuk e di se çfarë do bëjnë këta njerëz në 37 ditë për luftën kundër drogës, dekriminalizimin, blerjen e votës, korrupsionin zgjedhor dhe gjithë problemet që kanë zgjedhjet në vend.
Çfarë do të thotë Lulzim Basha kur t’ia vjedhë e blejë prapë Edi Rama zgjedhjet me anë të grupëve të drogës, siç e ka akuzuar atë nga çadra e lirisë?!
Me një ushtri drejtorësh dhe një skuadër ministrash që i ka dhënë Bashës, ia ka hequr mundësinë PD-së që më 26 qershor të ankohet për standardet e zgjedhjeve. Me këtë marrëveshje Rama ka mbyllur gojën PD-së dhe Bashës që të thonë qoftë edhe një fjalë për manipulimin në zgjedhje.
Standardet e zgjedhjeve për të cilat shqetësohej opozita, Basha praktikisht i ndërroi me euro, dollarë dhe prona për PD dhe një grusht njërëzish demokratë.
Por marrëveshje e tyre ka edhe një akt pisllëku, pasi nuk lejon të regjistrohen koalicionet politike në zgjedhje. Dhe kjo ndalohet me një akt politik, por kurrsesi ligjor. Partitë që duan të mblidhen në koalicione nuk i lejon dyshja Rama-Basha, me djallëzinë që ti nxjerrin jashtë loje.
Edhe ky është një pushtllëk.