Basha: Të ikë qeveria e korruptuar. Protesta për Teatrin Kombëtar
Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se pa largimin e ministrave të akuzuar për korrupsion dhe të përfolur për lidhje me krimin Shqipërisë nuk mund t’i hapen negociatat as në vitin 2019. Në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, Basha u shpreh se janë lidhjet e krimit të qeverisë “Rama” ato që ndëshkuan Shqipërinë në procesin e negociatave këtë vit.
Kreu i PD ka folur për mënyrën sesi do të reagojë opozita pas shtyrjes së negociatave. I pyetur nëse do të ketë bojkot apo protesta, Basha tha se të gjitha opsionet janë në diskutim.
“Integrimin europian po e pengon një qeveri e lidhur drejtpërdrejtë me krimin dhe nëse do të vazhdojë kështu situata, atëherë negociatat nuk hapen as në 2019-n”,- tha Basha.
Kreu i PD u shpreh se opozita duhet të garantojë që të mos ketë më ministra të brendshëm të lidhur me krimin dhe drejtësia të jetë e barabartë. “Shqiptarët duhet ta kuptojnë, pa luftuar krimin dhe drogën, pa larguar politikanët e korruptuar, negociatat nuk do të hapen as në 2019. Tahiri, Xhafaj, Balla dhe Edi Rama që sundon perandorinë e krimit, duke iu dhënë trafikove hapësira, sa kohë që në Shqipëri nuk ka një shtet të së drejtës, një prokurori të kapur nga Rama, nuk do të ketë hapje të negociatave me Shqipërinë. Ky është mësim i 2016, 2018 dhe nëse shqiptarët nuk e mësojnë këtë mësim, do të bëhet edhe mësimi i 2019. Për ne rruga është e qartë, ne duhet të garantojnë që të mos ketë ministra të Brendshëm të lidhur me krimin, drejtësia të jetë e barabartë. Na duhet një vend të ketë kontroll dhe balancë të pushtetit. Është eliminuar Gjykata Kushtetuese që Rama të ketë në dorë drejtësinë”, tha Basha.
Në daljen e tij për mediat, Lulzim Basha paralajmëroi dhe protesta kundër shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Ai i bëri thirrje kreut të shtetit, Ilir Meta që të mos e dekretojë ligjin e propozuar nga PS që i jep tokën publike një kompanie private dhe shkatërron Teatrin Kombëtar.
“Ne do të kundërshtojmë në çdo instancë Teatrin e Ri. Do ti kërkojmë presidentit të vendos veton dhe të mos bëhet pjesë. Do t’i bëjmë presion ndërkombëtarëve për të ndaluar këtë grabitje. Gjithashtu edhe do të protestojmë”, u shpreh Basha.
Basha komentoi për herë të parë dhe akuzat që i janë bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla lidhur me 3.4 milionë eurot që u gjetën në makinën “Toyota Yaris”. Në seancën Parlamentare të së enjtes, Taulant Balla publikoi një foto të kryeparlamentarit Basha me disa persona, ku një ndër to, sipas tij, është vëllai i Alfred Vladit, në kërkim për 3.4 milionë eurot e kapura në Durrës.
I pyetur nga gazetarët për lidhjen me një nga vëllezërit Vladi, Basha u shpreh se nuk e njeh fare personin në foto, dhe nëse është ia personi i përfshirë në çështjen e 3.4 milion eurove, le të arrestohet. “Nuk më ka prezantuar njeri me atë person. Nëse është ai, le ta marrin ta arrestojnë tani në këtë moment. Nuk e mbaj mend. Disa thonë mund të ketë qenë në kuadër të një fushate në Dibër. Nxjerrja e kësaj fotoje vërteton që Balla është kapobanda. Është lejuesi i parave të bandës. Këto janë para droge”, u shpreh Basha.
VIDEO/DEKLARATA E LULZIM BASHËS
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1937918816259290/