Basha: U rrit! Rama: S’u rrit !
U rrit apo s’u rrit!?
Ky është debati që ka mbërthyer politikën shqiptare ditët e fundit, pas vendimit të operatorëve shtetërorë për ndryshimin e çmimit të energjisë. Një nga vendimet më të debatueshme dhe që prek direkt xhepat e qytetarëve, siç është energjia, duket se jo rastësisht është lënë të merret në prag të fundvitit. Bashkë me urimet e Vitit të Ri qytetarëve u janë shtuar dyshimet se kush realisht “e hëngri” nga rritja e çmimit. Llogaritë kanë nisur me laps në dorë, për kilovatë, presje dhjetore dhe TVSH, por ekspertët që duhet të informonin opinionin, edhe shifrat kanë nisur t’i ngjyrosin me simbolet e partive politike. Qytetarët, të vërtetën e marrin vesh vetëm në fund të muajit janar, kur t’u ketë ardhur fatura e re energjisë elektrike. Politika ka nisur dje duelin e zakonshëm për të përbaltur kundërshtarin. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha janë përballur në rrjete sociale për të thënë “të vërtetat e tyre” në lidhje me çmimin. Për kryeministrin Edi Rama nuk flitet për rritje të energjisë, por për një ndryshim të mënyrës së vlerësimit të saj. Sipas tij është hequr fasha ku një pjesë e qytetarëve paguanin me çmim më të ulët deri në 300 kilovat. Për ata që konsumonin mbi 300 kËh çmimi ishte më i lartë. Po sipas kryeministrit, më ndërhyrjen e re, është hequr mundësia e vjedhjes të atyre që fshiheshin pas 300 kilovatëve, duke futur tek konsumatorët familjarë dhe bizneset. Ndërsa Rama e quan reformë, me tjetër sy e sheh opozita. Kreu i saj, Lulzim Basha bënë një llogari më të thjeshtë, duke ju referuar shifrave të institucioneve shtetërore. “Çmimi i energjisë u rrit nga 7.7 në 9.5 lekë për familjarët. Pa llogaritur këtu edhe 20 përqind TVSH! Ky është sot një fakt zyrtar. Vajmedeti thotë jo, mos besoni”,- shprehet kreu i PD-së. Alarmit të Bashës i jashtë bashkangjitur dje dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Demokratike. Nukmungoi mbëmë vonë edhe Sali Berisha që e quajti një krim të Ramës këtë gjë. Më pas sekretari i përgjithshëm Arben Ristani ishte dhe më i ashpër në qëndrimet e tij. Në emër të selisë blu, Ristani ka kërcënuar mazhorancën me protesta masive, siç tha ai, nga ato që s’janë parë ndonjë herë. “Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë menjëherë rritjen me 25 për qind të çmimit të energjisë. Përndryshe do të përballet me protestat më masive dhe të fuqishme që ka njohur ndonjëherë vendi”,- tha Ristani. Por protestat duan njërëz dhe a i kanë përsëri si para disa ditëve opozita turmat për të bllokuar Ramën? Të shohim nga muaji prill kur të dalë gjethi.
Dje opozita brenda pak orëve që nga dalja e vendimit për rritjen e çmimit, arriti të ngrejë një kauzë të re të sajën, duke shfrytëzuar edhe mungesën e informacionit tek qytetarët. Me shifra realisht çmimi rezulton i rritur. Familjet me konsum mesatar 300 kËh do të kenë një rritje të faturës mujore prej 648 lekësh, ndërsa familjet me konsum mesatar 400 kËh do të kenë një rritje prej 168 lekësh. Pra me këtë logjikë “të varfrit” do të paguajnë rreth 700 lekë më shumë, ndërsa “të pasurit” do të paguajnë më pak. Gjithnjë sipas opozitës. Kjo është pika ku kapet opozita, duke thënë vetëm gjysmën e së vërtetës. Gjysma e së vërtetës tjetër është se për të gjitha familjes që preken nga rritja rreth 700 lekë, qeveria ka parashikuar kompensimin monetar për rritjen e çmimit. Numri i konsumatorëve që shpenzonin 300 kilovatë në muaj nuk është aq sa pretendon PD-ja, rreth 75 përqind e popullsisë, por shumë herë më pak kjo kategori do të përfitojë nga kompensimi. Ndërkohë nuk do të ketë më fabrika dhe biznese që manipulonin faturat dhe figuronin sikur shpenzonin vetëm 300 kilovatë. Por këto janë detaje që për opozitën nuk kanë shumë rëndësi. Për Bashën ky është një rast i mirë për të bërë politikë dhe për të rritur kuotat e opozitës duke u bazuar tek fjala rritje çmimit. Ndërsa për Ramën, ka vetëm një ndryshim tarifash që barazon çmimin për gjithë konsumatorët dhe u heq institucioneve shumë andralla me çmimet e diferencuara dhe me mundësi abuzimi.
U rrit apo nuk u rrit ?! Në fund të janarit e marrim vesh tamam, kur të vijë fatura e energjisë dhe kur të shikohet kompensimi i Qeverisë. Deri atëhere do vazhdojë “ u rrit apo nuk u rrit ….?!”.
U rrit !-thotë Lulzim Basha.
Nuk u rrit !- përgjigjet Edi Rama.
Po popullit, iu rrit apo jo ?!