Basha: Ul taksat, ose demonstrata!

Kryetari Basha renditi 9 kërkesa të opozitës; mos rritjen e çmimit të energjisë, heqjen e TVSH-së së energjisë për shtresat në nevojë, rishqyrtimin e paketës fiskale, mosrritjen e taksave dhe akcizave, uljen në 10 për qind e nivelit të taksimit, mbajtjen e premtimit për legalizim falas, anulimin e rritjes së tarifave të universiteteve, uljen e shpenzimeve qeveritare dhe vendosjen e rendit. Pas kërkesave, nuk ka munguar dhe kërcënimi i kryedemokratit. “Nëse kryeministri është i vendosur në rrugën e tij pa krye të shpërfilljes, arrogancës, papërgjegjshmërisë, dështimeve dhe zullumit, protestat popullore nuk do të ndalen, protestat popullore do të vazhdojnë akoma më të fuqishme deri në realizimin e objektivave të shpallura”,- tha Basha.

Me pak fjalë kjo është axhenda e re e Partisë Demokratike. Aksioni i opozitës nuk do të fokusohet tek debati politik, konsensusi apo formave më të buta të politikbërjes. Kreu i PD nuk përmendi rikthimin në parlament. E vetmja gjuhë që duket se do të përdorë kreu i PD-së dhe opozita është ajo e protestave. Secila prej 9 kërkesave të Partisë Demokratike është e diskutueshme nga ana e mazhorancës. Janë të diskutueshme, jo vetëm për shkak të faktit se vetë PD-ja nuk i realizoi të gjitha kur ishte në pushtet, por edhe sepse, një pjesë e tyre kanë qenë premtime të Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale. Reformat e kundërshtuara nga Basha janë parë vetëm më syrin e sulmit, por jo në të gjitha ka të drejtë. Mes tyre dallon ajo për vendosjen e rendit. Gjatë një viti e gjysmë, qeverisja mund të ketë pasur suksese dhe dështime në reforma, por vendosja e rendit dhe ndryshimi për mirë i Policisë së Shtetit është diçka që duket. Pjesa tjetër e kërkesave të Partisë Demokratike lidhen me çështje ekonomike. Disa prej tyre mund të jenë të drejta, por fakti është se situata e sotme ekonomike është pasojë edhe keqmenaxhimit dhe politikave të gabuara ekonomike që ndoqi qeverisja “Berisha”. Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka kapur momentin e një proteste dhe e ka interpretuar atë si një pakënaqësi të madhe popullore, që mund të vendos në vështirësi mazhorancën qeverisëse. Logjika është populariste dhe bazohet vetëm në shifrat e njerëzve në shesh.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Vjena, ku ishte pjesë e një forumi ekonomik me disa deklarata në Twitter. Përballë kërcënimit të djeshëm të liderit të opozitës, kryeministri Rama ka përmendur vendosjen e ligjit dhe çuarjen deri në fund të reformave. Pretendimet për legalizime, rritje çmimesh dhe rritje taksave, Rama u është përgjigjur se janë të gjitha sajesa që vijnë nga godina e SHQUP-it. Ndërsa për pretendimet e tjera, me pak fjalë, Kryeministri u është përgjigjur se ka marrë votat për të qeverisur. “Jemi votuar të bëjmë shtetin e qytetarëve që duan ligj, punë e mirëqenie, jo rrumpallë! Punësimi e mirëqenia rriten me respekt për rregullat”,- tha dje Rama.

Por ardhja e dimrit, varfëria ekonomike, ndërprerja e dritave tek njerëzit në fshatra, të cilët nuk kanë mundësi pagese, rritja e disa taksave që çon në frikësimin e biznesit që të hedhë para në investime, pa harruar edhe pakënaqësinë që ka në bazën e PS për punësimet që i ka marrë me shumicë LSI-ja, si dhe duke patur batalionin e përhershëm të demokratëve për protesta; të gjitha këto mund të çojnë në demonstrata nga opozita në muajt në vijim. Nga ana tjetër, duke njohur Edi Ramën, që do të bëjë emër në historinë e vendit duke vendosur ligjin dhe shtetin ligjor, siç edhe thotë, ka mundësi që palët të përplasen në muajt maj-qershor të vitit të ardhshëm. Tani është faza e nxemjes për opozitën, si një parapërgatitje për duelin e madh të vitin e ardhshëm. Nisur edhe nga mitingu i fundit i opozitës, që ishte i madh në numër e që nuk mund të përsëritet me ardhjen e dimrit e të ftohtit, lideri Basha po mban të karikuar turmën për ti ndërsyer në pranverën e ardhshme.

Lulzim Basha përditë e më tepër do ta shtojë dozën e presionit, duke marrë shkas nga protesta e së dielës që kaloi, por atij i mungon një vendim i fortë; hyrja në Parlament e përballja edhe në sallën e Kuvendit. Nëse e bën këtë vendim, atëherë pikët e tij rriten në kuotat publike. Sido që të jetë, Lulzim Basha po ngjitet në lartësinë e një lideri opozitar, të besueshëm dhe vizionar.

SHKARKO APP