Kryeministri Rama rrëmben edhe Futbollin

Bashkim Fino, ish-kryeministër dhe deputet aktual i Partisë Socialiste, thuajse ka zyrtarizuar kandidimin e tij për në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas portalit lapsi.al. Ambicjen për këtë post, Fino e ka shpallur prej disa muajsh ku ka nisur dhe një fushatë të ethshme për të siguruar mbështetjen. Megjithatë deri mbrëmë vonë Fino nuk ka zyrtarizuar kandidim zyrtar, ndonëse mediat që mbrëmë ishin, online, me emrin e tij si rival i Armando Dukës.

Sot pritet të Bashkim Fino, në një intervistë në TVSH të flasë më konkretisht për këtë çështje. Por para se të flasë Fino, dje mediat afër PS e kanë bërë fakt të kryer kandidimin e tij duke prezantuar disa pika të platformës dhe duke llogaritur votat kundër kreut aktual Armando Dukës. Bashkim Fino është një personalitet politik. Ka qenë ish-kryeministër. Por prapavija politike e tij e komprementon kandidimin, gjithnjë nëse e bën faktike përballjen me Armando Dukën.

Çdo qytetar shqiptar që plotëson kriteret për në krye të FSHF dhe ka një kontribut në sportin shqiptar ka të drejtë të kandidojë në çdo post dhe detyrë që beson se mund ta kryejë. Por kandidimi i Bashkim Finos si deputet, ish-kryeministër dhe një politikan me jo pak ndikim në zhvillimet në vend, që në fillim lë hapësira për paragjykime politike. Zërat për një zhvillim të tillë i ka bërë më të besueshme dhe kryeministri Edi Rama. Një muaj më parë, ku u pyet për mundësinë e kandidimit të Bashkim Finos, Edi Rama deklaroi se “unë nuk jam këtu për të ndërprerë ambicien e askujt për të kandiduar”. Një deklaratë e tillë duket si një shkelje syri që kryeministri i bëri deputetit të tij për vazhduar garën duke i dhënë edhe mbështetje. Një qëndrim i tillë i Edi Ramës bëhet edhe më komprometues kur do të vij diskutimi i votave në Asamblenë e FSHF. Një pjesë e votave në asamble janë të ekipeve që sponsorizohen nga bashkitë. Shumica e bashkive janë të Partisë Socialiste dhe mbështetja e Ramës dhe PS-së është vendimtare për votimin e kreut të ri të FSHF. Kjo garë që ka nisur si një fushatë politike-sportive, mund të kthehet në një betejë po aq të fortë politike e mirëfilltë nga ku nuk humbasin kandidatët, por futbolli shqiptar.

Gara për të përmirësuar menaxhimin e futbollit shqiptar do të ishte normale nëse përballë Armando Dukës do të ishte një emër që vjen nga bota e futbollit. Do të ishte i pranueshëm dhe Bashkim Fino si individ dhe tifoz i flaktë i ekipeve shqiptare. Por deputeti Bashkim Fino që merr bekimin nga zyra e Ramës dhe pastaj zgjidhet nga Asambleja e FSHF lë një shije të keqe për pavarësinë e futbollit. Është një zhvillim të cilit qeveria do t’ja shohë më vonë sherrin, nëse e ka ndarë mendjen të vazhdojë kështu. Autonomia e federatave të futbollit nga qeveria apo politika është një kriter i vendosur nga federatat ndërkombëtare FIFA dhe UEFA dhe ky hap i Bashkim Finos dhe të tjerëve pas tij mund të sjellë dhe penatitete për futbollin shqiptar.

Në këto muaj me debate dhe hipoteza për garën në FSHF, të gjithë mbështetësit e Bashkim Finos nuk flasin për platforma. Komentet nisin dhe mbarojnë vetëm me të ardhurat dhe paratë që qarkullojnë në futbollin shqiptar. Që në nisje gjithë çështja po trajtohet si një çështje pazari dhe punë lekësh dhe jo problem futbolli dhe menaxhimi i këtij sektori. Natyrisht nuk ka folur akoma vetë Fino, por mbështetësit e tij e kanë mendjen të llogaritë në futboll.

PS-ja po merr, siç duket, edhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Pasi mori qeverinë, SHISH, Prokurorinë,kryeministri Rama po synon të marrë edhe FSHF.

Mbetet të presim nëse realisht Bashkim Fino do të shpallë kandidaturën për postin e kreut të FSHF dhe më pas duhet të shikojmë reagimin e UEFA-s.

SHKARKO APP