Bashkimi i popullit të ndarë
Nga Rexhep QOSJA*.
Ideja e bashkimit kombëtar është ide e krijuar pas pushtimit të më tepër se gjysmës së trojeve shqiptare prej fqinjve ballkanikë në vitin 1912. Ideja e bashkimit kombëtar nuk është ide e shtetit amë dhe e pakicave që kanë mbetur jashtë kufijve të tij, por ide e popullit të ndarë. Kjo i bën të natyrshme dhe të ligjshme përpjekjet për sendërtimin e kësaj ideje.
Ideja e bashkimit kombëtar është ide e madhe që më tepër se çdo ide tjetër e ka lëvizur historinë shqiptare.
E krijuar prej intelektualëve të mëdhenj kombëtarë , ideja e bashkimit kombëtar për shkak të trysnive prej Fuqive të Mëdha dhe institucioneve ndërkombëtare gjatë 100 vjetëve është përkrahur rrallë, vetëm prej ndonjërit nga politikanët më qartpamës shqiptarë.
Deklarata e Edi Ramës se “Shqiptarët po ecin drejt bashkmit kombëtar”, kurse “Shqipëria e Kosova kanë dy alternativa : ose të bashkohen në familjen evropiane ose të bashkohen në mënyrë klasike”, megjithë ngjyresat diplomatike, është deklarata më larghedhëse dhe vizionare mbi bashkimin kombëtar e një politikani dhe shtetari shqiptar në kohën tonë.
Ndaj kësaj deklarate historike u reagua siç dhe mund të hamendësohej:
U reagua mirëkuptueshëm prej intelektualëve tanë të orientimit kombëtar.
U reagua matur prej Bashkimit Evropian.
U reagua refuzueshëm prej disa intelektualëve tanë të orientimit mondialist e neoliberalist.
Dhe, u reagua gati kërcënueshëm, me gjuhën e të kaluarës së pandryshuar ndaj shqiptarëve, prej Qeverisë së Serbisë.
Ata që reaguan refuzueshëm dhe ata që reaguan gati kërcënueshëm ndaj deklaratës së Edi Ramës treguan se s’deshën të dinë: e para, se shqiptarët janë popull dhunshën i ndarë, prandaj përpjekjet e tyre për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë janë të natyrshme e të ligjshme. Bashkimi i dy Gjermanive ështe njëri prej më shumë shembujve të bashkimit të popujve të ndarë. Dhe, e dyta, në kohën e integrimeve evropiane dhe planetare mospajtimi me bashkimin e një populli të ndarë është mospajtim me proceset demokratike moderne.
Mund të besohet se reagimi i sipërthënë i Serbisë më tepër se prej vetë deklaratës së Edi Ramës është i nxitur prej njëmendësisë, që do të sjellin integrimet gjithëshqiptare ekonomike, arsimore, shëndetsore, shkencore, kulturore, sportive, e të tjera, të paralajmëruara në mbledhjen e dy qeverive tona më 23 mars në Tiranë.
Është me rëndësi të madhe që ky integrim gjithëkombëtar të sëndërtohet duke iu shmangur neoliberalizimit ekonomik që sjell fryte vetëm për klasën politike dhe oligarkinë, në njërën anë, dhe duke ndërtuar ekonominë atdhetare, që e ka parasysh jetën e të gjitha shtresave kombëtare, në anën tjetër.
Një ekonomi e tillë, atdhetare, bëhet premtim se bashkimi kombëtar, bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës, e rrit cilësisht, e pasuron gjithanshëm jetën e popullit shqiptar.
Uroj që ata të cilëve iu ka takuar fati të marrin pjesë si politikanë dhe shtetarë në procesin e integrimeve gjithëkombëtare, si parathënie institucionale e shpirtërore në bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, të mos harrojnë se, siç e thonë ekonomistët e sotëm humanistë, neoliberalizmi është i papërgjegjshëm në pikëpamje shoqërore dhe i pandjesi në pikëpamje morale.
Idetë janë ato që e lëvizin botën, por, siç e ka thënë njëri prej nismëtarëve të Bashkimit Evropian, institucionet i bëjnë njëmendësi të sendërtuar ato ide.
Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen dhe do të bashkohen në mënyrë klasike qoftë jashtë Bashkimit Evropian qoftë në Bashkimin Evropian.
*Editorial i shkruar për emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës