Basti i kryeministrit Edi Rama me lojërat e fatit

-Në PS janë një grup deputetësh të cilët do ta modifikojnë, me marifet, vendimin e Kryeministrit. Pritet që në tryezë të hidhen disa variante ku do të kërkojnë zbutjen e efekteve të ligjit, duke lejuar baste online.

Parlamenti miratoi dje me 74 vota të mazhorancës futjen për diskutim me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve në ligjin për lojërat e fatit. Ndryshimet në ligjin e miratuar në vitin 2016 janë kërkuar me këmbëngulje nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë ka vendosur një bast personal me qeverinë që drejton, Partinë Socialiste dhe me gjithë shqiptarët, duke premtuar se nga data 1 janar 2019 nuk do të ketë më pika bastesh në rrugë dhe online. As kazino, përjashtuar në hotelet turistike me 5 yje, por jo në qendrat e banuara.

Është një premtim që realisht ka marrë mbështetje si asnjëherë tjetër. Një mbështetje që ketë herë kryeministrit nuk i vjen vetëm nga qytetarët, mediat, por edhe një pjesë e opozitës. Largimi i pikave të basteve që kanë pushtuar rrugët, pallatet, shkollat dhe gjithë ambientet publike shihet si një operacion që do të largojë qytetarët nga vesi i kumarit. Gjithashtu dhe si një shpëtim për mijëra njerëz që bastet u kanë grabitur pasurinë, por edhe shkatërruar të ardhmen e fëmijëve të tyre. Për shkak se kemi të bëjmë me një plagë sociale që shkatërron të rinjtë dhe mijëra familje, nisma e marrë përsipër nga kryeministri mund të jetë dhe aksioni më i rëndësishëm në detyrën e tij. Ndaj dështimi do të ketë një kosto jo të vogël për qeverinë dhe personalisht për kryeministrin.

Edhe Presidenti Meta në një aktivitet, këto ditë, tha ndër të tjera se nuk duhet që rinia të shikojë përspektivën te kanabisi dhe bastet. Në një farë mënyre, me shumë finesë Presidenti shigjetoi Kryeministrin për kanabisin, pasi dihet tashmë publikisht se ishte Edi Rama që e lejoi, sepse askush nuk mund të përceptojë se mundej ish-ministri Tahiri të kanabizonte Shqipërinë dhe kryeministri të mos kishte dijeni.

Për të vazhduar në lidhje me premtimin e Ramës për mbylljen e bastëve duhet mbajtur në vëzhgim PS-ja, pasi ka interesa të forta për biznesin e lojërave të fatit. Ka dyshime serioze se një pjesë e madhe e parave të pista kriminale nga kanabisi është pastruar në lojërat e fatit, duke marrë “legalizim” për tu investuar në treg. Sikurse ka edhe një teori se tashmë i kanë pastruar eurot e kanabisit dhe duan ti mbyllin lojërat e fatit që të mos ketë mundësi hetimi të këtyre parave nga BKH dhe SPAK, me argumentin se tashmë janë mbyllur.

Megjithatë, momentalisht, kundërshtarët kryesorë janë pronarët e lojërave të fatit. Premtimi i Edi Ramës i përkthyer në shifra për pronarët e kompanive do të thotë të paktën 130 milionë dollarë humbje në vit. Kërcënimi që i bëhet biznesit të tyre nga kreu i qeverisë sigurisht që do të sjellë reagim. Me kaq shumë para që qarkullojnë në këtë biznes, vitet e kaluara janë “investuar” ligje, janë blerë deputetë, ministra, media për të frenuar mbylljen e lojërave të fatit, janë dhënë koncensione, janë vrarë grupet kriminale me njeri tjetrin,etj. Pronarët e kompanive që preken kanë nisur lobimet për të detyruar qeverinë që të tërhiqet. Edhe kërcënimet. Por premtimi i Ramës problemin më të madh nuk e ka vetëm me pronarët e ligjshëm të bizneseve, por edhe me një pjesë të deputetëve të tij. Në vitin 2016, kur mbyllja e lojërave të fatit u shtrua për diskutim dhe qeveria u tërhoq në momentin e fundit, Edi Rama e pranoi se në PS dhe grupin e tij parlamentar kishte deputetë që nuk ishin dakord me mbylljen e tyre. Kjo deklaratë konfirmon atë që është thënë dhe nga drejtues të Agjencisë Shtetërore të Lojërave të Fatit, se në Kuvend ka deputetë që janë direkt ose indirekt pronarë të kompanive të basteve.

Ndaj basti më i madh që Rama ka vendosur me veten është që pas një jave, asnjë nga 74 votat e mazhorancës që kishte dje në Kuvend të mos jetë kundër miratimit të ndryshimeve ligjore. Në PS thuhet se një grup deputetësh ka gati amendime ligjore, që do propozohen këtë javë në Komisione, ku mund të kërkohet që ligji të mos jetë kaq i ashpër. Pritet që në tryezë të hidhen disa variante që do të kërkojnë zbutjen e efekteve të ligjit duke lejuar bastet online. Mes argumenteve për të mbajtur bastet në fuqi, ka dhe nga ato që serviren me logjikë ekonomike duke përmendur rreth 50 milionë euro taksa në vit që humbasin. Por më shumë se halli i taksave këto janë manovra për të frenuar nismën e qeverisë. Këta skenarë do të shfaqen brenda mazhorancës këto javë dhe do të vënë në provë jo vetëm premtimin e Edi Ramës, por edhe stabilitetin e qeverisjes së tij.

Milionat e këtij biznesi janë dhe ushqimi kryesor dhe më i lehtë për personat me precedentë penalë. Edi Rama tregoi dje në Kuvend se deputetët kishin marrë mesazhe që vinin nga persona të dënuar dhe të burgosur dhe që kanë interes në lojërat e fatit. Është vetëm një pjesë e presionit të dukshëm mbi qeverinë për mbylljen e lojërave të fatit. Në momentin që ligji do hyjë në fuqi, reagimi i atyre që humbasin miliarda nga biznesi mund të jetë dhe më i madh. Të gjitha këto pengesa Edi Rama i dinte që para se të bënte premtim premtimin publik. Deri më 1 janar 2019 qytetarët do të shohin nëse kreu i qeverisë do të mbajë fjalën, apo nën presionet e shumta do të detyrohet të modifikojë sërish ligjin dhe të gjejë forma të tjera për mbijetesën e basteve.

Edi Rama është në provën e madhe nëse do të arrij ta mbajë premtimin pa e modifikuar nga deputetët e tij.

Këtu jemi dhe shikojmë!

Qamil Xhani

SHKARKO APP