Ben Blushi hedh “silurin” e radhës
Përveç Vangush Dakos në Durrës dhe Keti Bazhdarit në Shkoder që e kanë të sigurtë rikandidimin, të tjerët e kanë emrin akoma me “laps”
Emrat e kandidatëve të Partisë Socialiste, përveç Shkodrës, janë mbajtur në konspiracion të plotë nga selia rozë. Më saktë nga Edi Rama. Përveç kreut të PS asnjë nuk di gjë tamam. Përjashtuar kryetarin aktual të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako që e ka të sigurtë rikandidimin dhe Keti Bazhdarit në Shkoder, asnjë prej 59 emrave të tjerë publiku nuk ka asnjë informacion. As vetë në kupolën partiake nuk dijnë gjë . Kushdo që thotë se e di se kush kandidon në iks qytet veçse gënjen veten. Në mëngjes qarkullojnë një soj emra kandidatësh, në drekë rrëzohen, kurse në darkë prapë mund të jenë! Në media shfaqen sondazhe që më shumë tregojnë dëshirën e vet personazheve të PS për të kandiduar sesa qëndrimin zyrtar të partisë. Jemi gati një muaj larg fushatës dhe votuesit nuk dinë ende se për cilin apo cilën do votojnë. Me pushtetin që u është dhënë kryebashkiakëve nga ndarja e re territoriale nuk flitet më për drejtues lokalë, por për “guvernator” rajonesh që do kenë buxhete marramendëse dhe fatet e dhjetra apo qindra mijë banorëve në duar. Mbajtja sekret e kandidatëve deri në minutën e fundit, kur afatet ligjore nuk e lejon rishikimin e tyre, pritet ta vendosë opinionin para faktit të kryer. Natyrisht që ka taktika elektorale, porse me elektoratin nuk mund të ketë mbyllje deri në minutën e fundit derisa ta vendosësh votuesin tënd para faktit të kryer, siç u bë me zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013, kur siç po del këto ditë, u futën në lista emra deputetësh me CV kriminale. Në dy kampet politike. Porse në kampin e selisë blu nuk ia mban njeriu të flasë apo kundërshtoj Bashën e Berishën. Ndërsa në selinë rozë, ndonëse ka autoritet të pa diskutueshëm Edi Rama përsëri shkalla e demokracisë nuk është cunguar, edhe flasin kundër kryetarit.
Një situatë e tillë ka sjellë dhe shqetësime brenda grupit parlamentar të selisë rozë. Deputeti Ben Blushi ka kritikuar dje Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, lidhur me procedurën e ndjekur për përzgjedhjen e kandidatëve. Ndryshe nga të tjerët që po e pranojnë procesin si të mirëqenë, Blushi nuk ka kursyer rezervat. Madje më shumë se kaq, Blushi ka siluruar kryetarin e Partisë Socialiste. Sipas tij, kandidatët nuk janë të PS-së, por të kryetarit të saj Edi Rama. “Është shumë vonë, emrat duhet të kishin dalë. Duhet më shumë transparencë. Ata nuk janë kandidatë të PS-së, por të një njeriu të vetëm”,- deklaroi Blushi. Një kritikë e tillë edhe pse me pak rreshta, e bërë nga një emër i spikatur i së majtës si Blushi, flet më shumë për atë që po zhvillohet brenda partisë më të madhe në pushtet me përzgjedhjen e kandidaturave për kryetarët e bashkive. Kryesocialisti Rama ka zhvilluar takime me aleatët dhe deputetët e qarqeve, ku është folur për parimet sesi duhen zgjedhur kandidatët, por emra konkretë nuk kanë dalë. Kjo seri takimesh është cilësuar si një fazë e hapjes së diskutimeve, por siç tha dje Blushi, transparenca ka munguar. Për më tepër, kur një prej figurave kryesore të së majtë dhe Kryesisë së PS-së flet për kandidatë të zgjedhur vetëm nga Kryetari, gjithë procesi rezulton të ketë qenë me konsultime në qark të mbyllur. Të paktën këtë la të kuptohej dje deputeti Blushi, duke lëshuar silurin e radhës ndaj Kreut të PS, njëherazi dhe kryeministër i vendit.
Teksa deputetët e tjerë nuk pranojnë të flasin për procesin, duke mbetur në pritje deri në minutën e fundit se mos emrat e kandidatëve që kanë propozuar tek Kryetari do të merren parasysh, apo thjesht nuk duan ta prishin miqësinë me Ramën, doli dje Blushi dhe tha një të vërtetë të hidhur. “Kandidatët nuk janë të PS, por vetëm të Kryetarit”. Pra, praktikisht forumet e partisë nuk po funksionojnë dhe kjo është diçka që nuk duhet të shqetësojë vetëm Blushin, por edhe të tjerë në selinë rozë. Blushi duket se është i vetmi që ka guximin të thotë ca të vërteta për të cilat të tjerët heshtin në partinë më të madhe në mazhorancë. Deklarata e djeshme nuk është siluri i vetëm. Në po të njëjtën mënyrë ka kritikuar disa nga reformat e qeverisë. E para ishte ajo për nisjen e fushatës së energjisë me arrestime që goditën në pjesën më të madhe qytetarët që ishin në gjendje të vështirë ekonomike. Po ashtu, kritikat nuk munguan edhe për përmbytjet që u shkaktuan gjatë këtij viti në jug të vendit. Ndërsa qëndrimet më të ashpra ishin ato pas dorëheqjes së kreut të Bashkisë së Pogradecit, sipas Blushit, një largim i kërkuar nga Rama për t’i hapur rrugën kandidatit që kërkonte kryetari. Me të njëjtin ton, Blushi do të ndërhynte dhe në sherrin mes Edi Ramës dhe Tom Doshit, duke u shprehur se kjo ishte “një miqësi personale e prishur ”, por me kosto të madhe për PS-në. Për këto qëndrime, Blushi ka marrë dhe pasojat. Në media nuk kanë munguar dhe shigjetat e kolegëve të tij socialistë, që duket se kanë pasur mbështetjen e Edi Ramës. Ndërsa vetë Rama nuk pa pranuar të komentojë me fjalë, por gjithnjë e më shumë e ka larguar nga vendimmarrja në PS dhe nga pushteti qeverisës, po se po. Në të vertetë një qeveri nuk mund të gjykohet kur akoma nuk ka bërë dy vite në qeverisje, ndonëse dielli duket që në mengjez,thotë populli. Por kur flet Ben Blushi, që e njeh mirë nga brenda PS-në dhe që siç e paracaktojnë analistët si numri dy në selinë rozë në sensin e vlerave, ka mundësi që e majta të marrë kosto të madhe në votat me 21 qërshor. E jo vetëm për mungesën e transparencës në emrat kandidatë,por mbi të gjithë në disa reforma qeverisëse,pavarësisht se një qeverisje e mirë merr kosto kur synon reforma drastike ligjore.
Gjithsesi edhe një “silurë”e lëshoi dje Ben Blushi! Por kryeministri mjeshtrisht i ka ikur një debati-duel me Blushin; dikur miq,tani paksa si armiq e nesër kushedi prapë miq.