Berisha-Basha: Me 8 Dhjetor populli rrëzon Qeverinë Rama
Garda ankohet tek Kryeministri pse është hequr gardhi prej hekuri përreth selisë së Qeverisë. “Bathorianët” si pretorianët në vijën e parë.
Opozita po përgatitet seriozisht për datën 8 dhjetor. E gjithë struktura drejtuese e opozitës është tek baza demokrate në kontakte për organizimin e protestës. Lulzim Basha po shkon në çdo rreth për të thirrur në “ditën e madhe”, siç thotë ai, çdo njeri të pakënaqur nga qeveria e qeverisja e Edi Ramës.
Dita e 8 dhjetorit nuk do të jetë një ditë e zakonshme. Deklaratat e bëra nga kreu i PD-së dhe eksponentë të tjerë lënë të kuptohet se priten dhe tensione, të cilat nuk dihet akoma se të çfarë natyre do të jenë. Dje në Fier, Basha u tha të rinjve “bëhuni gati sepse përballja e 8 dhjetori nuk është një protestë dosido. Ne mblidhemi jo vetëm për të protestuar”. Por nëse nuk është vetëm protestë, atëherë mitingu i 8 dhjetorit mund të jetë shumëçka, që nga bllokimi i bulevardit kryesor të kryeqytetit, e deri tek përplasja me forcat e rendit. Edhe për përplasjen në selinë blu duket se ka një skenar. Një prej sekretarëve të kësaj partie deklaroi një ditë më parë se nëse do të ketë provokime nga policia, protestuesit do të përdorin dhunën. Të gjitha qëndrimet personale të deputetëve të PD, por edhe qëndrimet zyrtare flasin se protesta mund të jetë edhe e dhunshme nëse qeveria provokon apo nuk jep dorëheqjen. Edhe mosdhënia dorëheqje është provokim ndaj opozitës, thonë në PD.
Prej gati një muaji ka nisur përgatitja për zhvillimin e tubimit të opozitës. Në protestë mendohet të vijnë mbi 200 mijë veta, siç shprehen burime në selinë blu, pasi kjo do të jetë protesta më e madhe që pas fitores së PD-së në vitin 2005. Deputetët e PD po shkojnë shtëpi më shtëpi, lagje me lagje, fshat me fshat dhe kudo ku ka njerëz që janë të revoltuar me qeverinë e sotme, e cila sipas tyre nuk ka mbajtur asnjë premtim. Taksat e rritura, shtrenjtimi i jetesës, shtimi i krimit, korrupsioni i shtetarëve, janë disa nga arsyet që sipas drejtuesve të selisë blu do të bëjnë që të martën e 8 dhjetorit pjesëmarrja në miting të jetë e madhe.
Demokratët këtë herë, veç pjesëmarrjes së madhe të protestuesve, kanë një dhe një strategji politike që nis me kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe qeveri teknike. Ka mendime në kupolën drejtuese të drejtuar nga dora e fortë e Edi Palokës, që të mos largohen protestuesit nga sheshi para kryeministrisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe shpalljen nga Presidenti të datës së zgjedhjeve të parakohshme. Ndërsa Lulzim Basha do të ketë fjalim të shkurtër me thirrjen përmbyllëse që “Ta rrëzojmë sot Edi Ramën!”. Dhe do të ulet i pari në shesh për përballjen e madhe, siç flitet në selinë blu.
Deri më sot askush nuk ka thënë në PD se protesta do të jetë vetëm një fjalim e kthim në shtëpi të demonstruesve. Madje retorika është e ashpër dhe gjithmonë flasin për protesta pa kthim deri në rrëzim e qeverisë. Ndaj në PD ka dhe një skenar që parashikon përplasje me policinë. Janë thirrur skalionet e forta për në radhën e parë të rrethimit të Kryeministrisë, kur për dreq Edi Rama e ka lenë godinën e Qeverisë pa hekura. Në çdo shtet Kryeministria është vend i ruajtur mirë, pasi nuk është puna se flitet për emrin e një personi, por për dinjitetin e shtetit dhe të Ekzekutivit. Sot Kryeministria është institucioni ku një grup qytetarësh mund të hyjë pa mundim çdo ditë dhe jo më një turmë me dhjetra mijëra protestues. Të stërvitur mirë për përballje, demokratët e Bathores dhe të Laç-Mamurrasit apo Fier-Vlorës e kanë të vështirë të mos shkelin barin e kryeministrisë, sepse u duket sikur shkelin Edi Ramën. E kanë psikologjike. Ndaj, mund të ketë edhe përplasje me policinë, gjë e cila nuk duhet lejuar. Por revolta, nëse është revoltë siç thuhet se po e ndjen populli , nuk pyet as për hekura e as për Gardë Republike.
Ajo që bie në sy këto ditë është se thirrje për protesta të forta po bëhen nga kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili deri tani ka ndjekur një linjë të butë opozitare. Siç duket, Lulzim Basha e ka betejën e vitit datën 8 dhjetor edhe për një fakt: përgënjeshtron paktin që ka bërë me Ramën, siç thonë mediat serioze. I duhet një përplasje e fortë më Ramën, së pari për të bindur demokratët se do vij në pushtet me votën e tyre dhe jo me pazare. Nëse e ka seriozisht dhe ulet në shesh para kryeministrisë pa u larguar nga sheshi, atëherë kreu i PD-së Basha bëhet lider absolut i demokratëve dhe i buzëqesh qeverisja e nesërme në duart e tij.
Por e veçanta e mitingut të madh me datë 8 dhjetor është se për herë të parë, që kur e dorëzoi PD-në në vitin 2013 mendohet se do të flasë edhe Sali Berisha. Kjo e bën situatën të zjarrtë në turmë. Kur flet Saliu turma ndizet e djegë çka përpara.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme po merr masat për kontrolle kudo, në akset rrugore nga ku vijnë protestuesit, ndërsa në afërsi të Kryeministrisë numri i forcave policore llogaritet diku tek 5 mijë veta. Për datën 8 dhjetor janë marrë masa me gaz lotsjellës dhe bomba tymuese për demonstruesit që mund të synojnë drejt Kryeministrisë. Pritet që nga ana e policisë, nëse demonstruesit tentojnë të hyjnë në kryeministri, të përdoren të gjitha mjetet. Por urdhëri është dhënë që të mos qëllohet me armë mbi turmën. Në asnjë mënyrë ka thënë Saimir Tahiri nuk dua të qëllohet.
Disa demonstrues nga Kamza e Paskuqani kanë shkruar në rrjetet sociale me ironi se “kemi qejf të vizitojmë katin e parë të kryeministrisë atë ditë se na pëlqejnë pikturat e Edi Ramës!”. Dhe po hynë brenda këta pikturdashës bathorian, e kanë si stil që pikturat i marrin në bulevard. Ka dy ditë që selia qendrore e PD-së i është drejtuar për ndihmë Shaban Memisë , i cili është mjeshtër frymëzues për përballje të rrjeshtit të parë të përballjes demokrate.
Data 8 dhjetor po vjen.
Alban Prulli