“Berisha, Guvernatori i Bankës së Lazaratit”
Në ditën e votimit të ligjit shumë të diskutuar të plehrave, një pjesë e mirë e debateve në Kuvend janë përqendruar te kultivimi i hashashit. Shkak u bë thirrja e ish-Kryeministrit Sali Berisha, drejtuar institucioneve ndërkombëtare. Berisha e cilësoi situatën alarmante dhe kërkoi ndërhyrjen e NATO-s dhe BE-së. Sipas tij, mbjellja masive e hashashit në Shqipëri sot, do të shërbejë nesër si një bazë për financimin e organizatave terroriste, siç është Shteti Islamik (ISIS). Në Kuvend janë dëgjuar shpesh deklarata shqetësuese, por thirrja e fundit e ish-Kryeministrit Berisha ishte më shumë se alarmante.
“Jap alarmin se kjo situatë është më kërcënuesja për sigurinë kombëtare dhe unë, i them shqiptarëve, i them Aleancës së Atlantikut të Veriut, Bashkimit Europian se në Shqipëri, ISIS do të ketë minierat e floririt në kanabisin e kriminelëve shqiptarë e bandave shqiptare. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar ta marrë këtë në mënyrën më serioze, të mos injorojë këtë fakt. Zotërinj a e lexuat shtypin italian se çfarë shkruante? Shkruante se aeroporti i Ishmit ishte për transport armësh”,- deklaroi Berisha.
Një apel i tillë drejtuar nga salla e Kuvendit për NATO-n, ku dhe Shqipëria bën pjesë si vend anëtar, tregon për situatën në të cilën është futur vendi me mbjelljen e hashashit. Megjithatë, Kryeministri Edi Rama paraqiti dje një tjetër pamje të asaj që ndodh. Në qëndrimin e tij, Rama theksoi se nëse situata me mbjelljen e hashashit do të ishte kaq e errët, vetë organizatat ndërkombëtare do të kishin reaguar me kohë. Por, sipas tij, puna e qeverisë në luftën kundër drogës dhe lëndëve narkotike është vlerësuar nga SHBA-të dhe BE-ja. Rama i kujtoj ish-Kryeministrit Sali Berisha, se pikat e errëta të bashkëpunimit mes shtetit dhe organizatave kriminale kanë qenë më të dukshme gjatë qeverisjes së tij.
Kryeministri ju referua shembullit të Lazaratit, fshatit që deri në vitin 2014 ishte qendra e kultivimit të drogës, ku policia nuk ndërhynte, si pasojë e garancive që i jepte qeverisja e Berishës. Madje, për Ramën, edhe deklarata e Berishës për rrezikun e ISIS ngjan si deklarata e një “Guvernatori të Bankës së Lazaratit” në mërgim. Sipas Ramës, thirrjet e Berishës ngjajnë me ato të baronit ndërkombëtare të drogës Pablo Eskobar, para se të kapej nga policia kolumbiane bënte thirrje për familjen e tij.
“Fole shumë për temën tënde të preferuar, drogën dhe sinqerisht më dukesh si “guvernatori i bankës së Lazaratit” në mërgim. Të sugjeroj të shikosh një film të fundit për Pablo Eskobar. Kur i bëje thirrje sot aleancës euroatlantike, dukeshe tamam si Pablo Eskobar që i bënte thirrje botës së lirë për të mbrojtur familjen e tij, përpara sesa të përfundonte në duart e policisë. Nuk po i hyj debatit me ty lidhur me ISIS, sepse as nuk e dyshoj fare që, nëse midis Trump dhe teje, unë të zgjedh ty, midis ISIS dhe meje, ti zgjedh ISIS. Ju i drejtoni thirrje botës, ndërkohë që bota i ka sytë këtu”,- tha Rama.
Aludimi i Kryeministrit është i qartë. Sipas tij, asaj çka deklaroi opozita e sotme është ajo që ideoi kultivimin e kanabisit në sasi të mëdha. Përmendja e “guvernator në mërgim” dhe Pablo Eskobarin, është jo vetëm aludim, por edhe akuzë që mazhoranca bën shpesh ndaj PD-së për kultivimin e drogës gjatë kohës që demokratët ishin në pushtet. Pra që paratë e Lazaratit kanë përfunduar në blerje votash dhe krime.
Nëse PD ishte ajo që lejoi dhe ndoshta përfitoi nga hashashi i Lazaratit, sot është fakt publik se Shqipëria është kthyer në një Lazarat të madh. Rasti i kapjes së avionëve që transportojnë drogë, është një situatë që deputeti Astrit Patozi e cilësoi si dëshminë më të pastër të bashkëpunimit të shtetit me krimin. “Kjo qeveri, në rastin më të mirë, u ka dhënë licencë bandave për të ushtruar qetësisht biznesin e drogës dhe në rastin më të keq, është edhe vetë e përfshirë në këtë aktivitet të rëndë kriminal”,- tha Patozi.
Gjendja aktuale, me shifrat e larta të kultivimit të drogës, nuk mund të përdoret vetëm për debate në Kuvend, me akuza për ISIS dhe Pablo Ekskobar. Të gjitha palët kanë pjesën e tyre të mëkatit.
Lazarati ishte i PD-së, kurse Shqipëria-Lazarat mbetet në kohën e PS-së.
Kush e ka fajin më të rëndë: ai që krijoi Lazaratin apo ai që Lazaratin e shkatërroi duke e kthyer Shqipërinë në një Lazarat të madh? Apo do t’ia lenë njëri-tjetrit si ajo puna “Pula-vezën apo veza-pulën!”.
Qamil Xhani