Berisha po thotë të vërtetën

 

Nga Frrok Çupi

Ndoshta nuk ke pse ta duash tjetrin, por që ta kuptosh, këtë duhet ta bësh. Pak a shumë kështu shkruante George Orwell në vitin 1948.

Unë e di se ti që po lexon këto radhë, mund të jeshë mes atyre që nuk e do Sali Berishën. Janë plot njerëz që nuk e duan. Natyrshëm. Askush nuk kërkon që ta duan atë ose të mos e duan një ish-kryeministër apo president. Mirëpo që të dëgjosh George Orwell, ose Emanuel Kantin, ose Sokratin, ose Mahatma Gandhi, ose John Lennon… etj, etj., për raportin e të vërtetës dhe të simpatisë, kjo është një detyrë e qytetarit.

Domethënë secili prej këtyre filozofëve mund të thoshte, po ta kishim mes nesh, as mos e duaj Sali Berishën. As mos e duaj, aq më shumë pse ka qenë kryeministër i Republikës dhe ka lënë plot punë pa bërë- sipas shijes tënde.

Por në qoftë se tani po të thotë të vërteta, këto duhet t'i dëgjosh.

Unë po flas me ata që nuk duan ta shikojnë me sy dhe e shajnë nëpër tribuna ose nëpër komente mediatike, ish- kryeministrin Berisha. Të tjerët e duan, e nuk e di sa e dëgjojnë. Por kam frikë se edhe ata që e duan nuk po i dëgjojnë të vërtetat. Sepse këta të dytët nuk i dëgjojnë "për shkak të dashurisë", sikurse të tjerët “për shkak të urrejtjes” ndaj Berishës.

Po të vërtetat ku mbetën?

Para pak ditësh këtu ka plasur skandali i vjedhjes nga nëpunës shtetëror të barnave me rimbursim. Janë krijuar farmaci fals. Janë angazhuar kandidatë për të zgjedhur politik, të zgjedhur politik, ministër e njerëz pranë ministrit, deputetë dhe njerëz afër deputetit. Të gjithë kanë vjedhur. Kanë vjedhur në një pikë shumë shumë delikate: Aty ku njeriu me sëmundjen e kancerit do të shtyjë pak ditë në jetë. Këta ia vjedhin. Këta makabër njerëz i marrin shpirtin në ditën më delikate.

Skandali doli sheshit.

Por prej ndonjë muaj e ca, deputeti Berisha e kishte denoncuar skemën e vjedhjes, dmth., të krimit. Jo vetëm këtë, por disa fakte tronditëse për jetën e njeriut i ka denoncuar ish- kryeministri Berisha. I ka denoncuar në tribunën e Kuvendit, në rrjete sociale, mes gazetarësh.

Më thoni veç një gjë, o njerëz që urreni ish- kryeministrin: Vallë iu ka dalë ndonjë gjë e pavërtetë? A nuk e keni vënë re se të gjitha kanë dalë ashtu siç i denoncoi.

A dolën qind për qind? Jo, sigurisht, sepse kush mori kandarin që t'i masë. Pastaj në një qeverisje të korruptuar deri në qelizë, vallë si mund të dalë e vërteta e hapur?

A nuk denoncoi Berisha qarqe të inkriminuara që erdhën në pushtet dhe po tentonin fushë më të gjerë në pushtet? A u detyrua qeveria t'i pranojë akuzat? A denoncoi Berisha planin për vrasjen e deputetit Tom Doshi? Gjithë bota e krimit, sot, po rrotullohet rreth provave të krimit që po dalin në dritë pak nga pak.

Nga më e madhja te më e vogla, Berisha ka thënë të vërtetën. Qoftë edhe te një "fyerje" e vogël për motrën e një deputeti (që mund të mos thuhej) e deri te Mafia e Ilaçeve…

Të gjitha janë në interesin tonë njerëzor. Mafia na merr shpirtin, e ti thua le të ma marrë shpirtin mafia që denoncon Berisha… Por kështu kemi vdekur ne nën peshën e mafies dhe do të shëndoshet mafia. Një grua socialiste në Berat pat thënë se "nuk duam as bukë as ujë, veç udhëheqësit (mafiozët) të mos zihen".

Atëherë e kemi të drejtë të mos e duam Sali Berishën, por ta besojmë. Ashtu siç kemi të drejtë ta duam Ilir Metën, por kurrë të mos e besojmë.

"Unë besoj gjithçka deri në momentin kur ajo të mos provohet", thoshte John Lennon, ylli i ndritur i epokës së re të post- revolucioneve të përgjakshme.

Të besojmë gjithçka që sikur të jetë e vërtetë do të na shkatërronte jetën ne qytetarëve poshtë barrës së mafies. Kjo është.

Berisha, ish-kryeministër i Republikës, po na thotë të vërteta. Nuk ka pse ta duam. Ose e mira është të mos e duam. Aspak të mos e duam.

Por të vërtetat janë të vërteta; mbi shpatullat tona deri në varr. Edhe sikur të jenë duke u provuar si të vërteta, prapë quhen të vërteta. Na duhet t'i provojmë të vërtetat, jo të kryqëzojmë Berishën, siç bën mafia jonë. Të gjykojmë e provojmë "Një jetë e paprovuar nuk është jetë me vlerë", thotë Sokrati.

SHKARKO APP