Ish-kryeministri Berisha dhe Edi Rama kacafyten për Presidentin Trump
Fjalori i përdorur në Parlament mes PS e PD ishte banal dhe makabër, me shprehje si: “derra, kriminelë, qenë, pisa, trutharë”, etj.
Deri në datën 8 nëntor në Shqipëri nuk gjendej asnjë politikan që të mbështeste kandidimin e republikanit Donald Trump. Pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama në CNN dhe në mediat vendase për rrezikun e fitores së tij, maxhoranca u pozicionua hapur në mbështetje të modelit të Hillary Clinton. Ndërsa Partia Demokratike, e akuzuar gjatë vitit të fundit si anti-perëndimore, për shkak të qëndrimit për reformën në drejtësi, dërgoi përfaqësuesit e saj më të lartë në Konventën e Demokratëve të Hillary Klinton. Ishte Lulzim Basha. Të gjithë në Tiranë, si edhe në vendet e tjera, besonin se Klinton do të ishte Presidentja e radhës në SHBA. Për vetë historinë e familjes Klinton dhe rolin e tyre për Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin pozicionimi i shqiptarëve pro saj ishte i natyrshëm. E natyrshme është dhe keqardhja për humbjen.
E panatyrshme është vetëm sjella e politikës tonë pas datës 8 nëntor, kur Donald Trump u zgjodh Presidenti i ri i SHBA-ve. Kryeministri Rama kur deklaroi se zgjedhja e tij si President rrezikonte marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, as nuk i shkonte ndërmend se mund të kishte nesër Trump në krye të shtetit më të fortë në botë. Edhe deputetë, të mazhorancës dhe opozitës, ndoqën këtë linjë anti-Trump. Tashmë kanë dalë dhe po shfaqen si adhuruesit e Donald Trump. Mjafton të shikoni fjalimet e djeshme në Kuvend. Kryeministri gjeti të gjitha justifikimet e mundshme për deklaratat e bëra kundër Trump disa muaj më parë. I cilësoi qëndrime të një qytetari shqiptar, që reagoi për interesat e Kosovës, emigrantëve dhe myslimanëve. Natyrisht që, duhet ta dredhë. E kush është ai që i del përballë Presidentit të SHBA! As vetë Presidenti rus Putin. Ndërkohë që Rama ndodhet mes pendesës dhe shpresës për rregullim të marrëdhënieve me administratës e re në SHBA, opozita është në një pozitë edhe më qesharake. Në Partinë Demokratike janë vënë të gjithë në radhë se kush merr më shumë në mbrojtje Donald Trump. Sali Berisha ishte i pari që e mori përsipër të sqaronte madje, edhe strategjinë e Presidentit të ardhshëm për Ballkanin. Sipas tij, Trump ka qenë në mbrojtje të Kosovës, madje ka dashur një ndërhyrje më të ashpër. Por e vërteta është se Bill Clinton ka qenë ai që urdhëroi për sulmin ndaj Serbisë. Pra burri i Hillarit.
Deputetë të tjerë në PD nxituan t’i kujtojnë Ramës se me qëndrimet anti-Trump ka dëmtuar marrëdhëniet me SHBA. Në fakt, ajo që nuk thotë PD-ja është se kryetari i saj Lulzim Basha ishte pjesë e Konventës së Klinton. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, pasi secila parti zgjedh bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Absurdja është se tashmë që fitoi Trump të gjithë janë turrur për t’i bërë qejfin atij duke sharë kundërshtarin se përse “flirtonte” me kandidaten Klinton. Fjalori ishte kaq i rëndë sa nuk është dëgjuar tash 25 vite demokraci si këtë herë. Fjalët “derr, qen, kriminelë, pisa, qelbanikë, etj.” ishin pjesë e debatit dje në sallën e Kuvendit.
Qëndrimi i klasës politike shqiptare ndaj garës zgjedhore në SHBA, realisht nuk ka asnjë ndikim. Edhe deklaratat e Edi Ramës kanë qenë në favor të kredos së tij politike për të siguruar edhe një mandat tjetër në peshën e miqësisë me grupin Klinton. Pavarësisht se një miopi politike, porse tashmë mbetet një histori e harruar. Në morinë e problemeve që ka një superfuqi ndërkombëtar si SHBA, Shqipëria dhe mbështetja e saj për kandidatët apo urrejtja ndaj kandidatëve nuk zënë peshë.
Ajo që lë shije të hidhur në gjithë këtë debat është inferioriteti i klasës sonë politike që nuk lë rast pa treguar se nuk ka dinjitet. Nuk kishin dinjitet as kur vraponin t’i bënin shërbime Hillary Klintonit duke e marrë në mbrojtje dhe pse askush nuk ua kërkonte. Aq më pak kanë dinjitet tani, që shpresojnë të përfitojnë nga administrata e re në SHBA duke e marrë në mbrojte Trump-in.
As Hillary Klinton dhe as Donald Trump nuk e kanë fare në mendje se ekzistojnë një Edi Rama dhe Sali Berisha. Por servilizmi shqiptar është një tipar ndaj çdo amerikani që kalon Rinasin.