Ben Blushi kërkon duel live në “tapetin” e Parlamentit me Edi Ramën

Shtatë deputetë të Kuvendit kanë dorëzuar dje një kërkesë për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama. Kërkesa është firmosur nga Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Ben Blushi. Deputetët shprehin shqetësimin për shtyrje me afate të panjohura të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe për këtë qëllim kërkojnë sqarime urgjente nga kreu i qeverisë.

“Para pak ditësh, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian nuk vendosi asnjë datë për hapjen e këtyre negociatave, për shkak të mospërmbushjes së pesë kritereve të përcaktuara në të gjitha dokumentet lidhur me vendin tonë. Ne jemi të shqetësuar se çështja e integrimit po shtyhet në afate të panjohura, duke krijuar mungesë shprese, pasiguri e cenim të imazhit të Shqipërisë. Hapja e negociatave me BE është çështje prioritare e politikës sonë, prandaj ne kërkojmë interpelancë urgjente me kryeministrin e vendit lidhur me veprimtarinë e tij e të qeverisë në këtë proces”, thuhet në kërkesën e shtatë deputetëve.

Ndryshe nga sa u raportua në media si krijimi i një koalicionit apo poli të ri politik ajo çka i bashkon deputetët në fjalë është pjesa që ka të bëjë më kërkesën e llogarisë ndaj Kryeministrit për çështjen e integrimit. Por jo vetëm. Sipas rregullores së Kuvendit duhet patjetër që 7 deputetë, minimumi, mund të kërkojnë interpelancë urgjente me kryeministrin. Ndaj edhe firmat mund të jenë si mënyrë që Ben Blushi të ketë përballë në mënyrë të detyruar Edi Ramën. Në emër të deputetëve që përfaqësojnë grupime të ndryshme politike do të flasë në seancë Ben Blushi. Është nga ato raste kur në Kuvend nuk do të jetë vetëm një përballje mes Kryeministrit dhe një deputeti, por mes dy ish-miqve që sot nuk ja kursejnë njeri-tjetrit akuzat. Që kur Blushi zgjodhi të ndahej nga Partia Socialiste dhe të krijonte forcën e re politike LIBRA, në Partinë Socialiste ka pasur një urdhër politik të Kryeministrit për të shmangur komentet mbi largimin e Blushit. Strategjia është ajo që PS-ja ka ndjekur sa herë që ka skizma brenda radhëve të saj, të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Fjalimeve të ashpra të Ben Blushit në Kuvend, Kryeministri Rama u është shmangur vetëm me ndonjë batutë ironike pa e përmendur emrin direkt emrin e Blushit. Por kjo indiferencë e lodh Blushin. Ai tashmë don përballje live me ish-mikun e tij Rama.

Ndërkohë në një interpelancë me procedurë parlamentare rregullat ndryshojnë. Rama nuk mund t’i shmanget më Ben Blushit duke nxjerrë në foltoren e Kuvendit Arben Ahmetaj apo Taulant Ballën.  Kryeministri do të jetë i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve të deputetit për çështjet e ngritura. Kjo nuk do të jetë një përballje e lehtë. Së pari, për vetë marrëdhëniet që ka pasur Edi Rama me Ben Blushin në Partinë Socialiste. Dhe jo vetëm në PS.

 Gjithë mosmarrëveshjet që kanë pasur në PS për mënyrën sesi po qeveriset vendi do të shtohen në debat dhe replika në Kuvend. Të dy, si Rama dhe Blushi, janë mjeshtër të oratorisë. Batutat, ironia dhe sarkazma nuk do të mungojnë. Do jetë spekakli i vitit nëse Rama del para Blushit në këtë ftesë për duel të kërkuar nga Lideri i LIBRA.

Së dyti, debati do të jetë i nxehtë edhe për çështjet e ngritura. Kërkesa për interpelancë mbi vonesën e integrimit të vendit në BE ka brenda saj gjithë problemet që ka qeverisja e vendit. Reforma, korrupsioni, varfëria, trafiku i drogës, kultivimi i kanabisit, keqqeverisja dhe mungesa e rezultateve reale. Me integrimi në Bashkimin Europian është i lidhur gjithë suksesi apo dështimi kryesor i një qeverisje. Për të gjitha këto Rama do të duhet të përgjigjet përballë një deputeti që sot rreshtohet ndër politikanët më kritik ndaj tij.

Ben Blushi thuhet se do të nxjerrë disa dokumenta para Ramës, por nuk dihet akoma se ç’përmbajnë ato letra me firma e prona që mban në xhep Blushi kundër Ramës.

Ndaj më shumë se një interpelancë, përballja Ben Blushi Edi Rama do të jetë një duel politik mes tyre. Ben Blushi mezi po pret të ketë në tapet kryeministrin Edi Rama. Dhe e ka gjetur bukur lojën për duel. Mbetet të shihet sesi Kryeministri do t’i përgjigjet sfidës së ish-mikut të tij.

Por edhe për Ben Blushin nuk do jetë e lehtë, pasi Rama njihet për sarkazmën, ironinë dhe oratorinë e tij.

SHKARKO APP