Blushi: Edi Ramën nuk do ta bëj personazh libri, por do ta bëj kandidat

Nga Ben Blushi
Pashë Edi Ramën në Durres dhe për hir të së vertetes nuk m’u dhimbs, por më bëri për të qeshur. Nuk m’u dhimbs sepse perveç frikës së vet, asgjë nuk e detyron të duket kaq qesharak, kaq i mjerë dhe kaq i vjetër.
Socialistëve të thirrur në Durrës iu fol edhe për krizën e refugjatëve në Gjermani, edhe për standartin e Standart and Poor, edhe për numrin e varfër të vrasjeve, por sërish nuk iu tha nëse kanë apo jo të drejtë të votojnë për kryetarin e partisë së tyre. Fakti që ata nuk pyeten nëse do ketë zgjedhje, nuk dëshmon dobësinë e tyre dhe unë i mirëkuptoj. Ata nuk ishin thirrur në një mbledhje partie, por në një teatër dhe teatër ku spektatorët flasin nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Takimi i Durrësit sot, i Beratit dje dhe nesër i Elbasanit, Korçës apo Shkodrës, nuk ishte një takim, ishte fushatë kundër një njeriu. Edi Rama detyroi bashkinë e Durrësit të mbushte Pallatin e Sportit me karrige dhe me nënpunës në fushatën e Edi Ramës për të mos bërë zgjedhje në Partinë Socialiste.
Për fatkeqësinë e vet, Edi Rama sot është kandidati më unik në botë. Ky është edhe më i çuditshëm se kandidati i romanit tim, i cili i fitoi zgjedhjet pasi kishte vdekur, por jo për fajin e tij, sepse ai nuk vdiq me dëshirë.
Edi Rama është edhe më keq se kaq, sepse duke qenë shëndoshë e mirë, është përgjegjës për vendimet e veta.
Ky kandidat po bën fushatë për të mos u zgjedhur. A ka njeri në botë që del në fushatë për të bindur njerëzit se nuk duhet të zgjidhet? A ka kandidat që kandidon për të mos kandiduar?
Fatkeqësisht ka një. Ky quhet Edi Rama. Eshtë shqiptar. Eshtë kryeministri i Shqipërisë. Do hyjë në manualet e historisë politike të botës si njeriu që bëri fushatë për të mos u votuar. Ai ka dalë nëpër Shqipëri dhe u thotë socialistëve: mos votoni. Kush do të votojë nuk mund të votojë.
Unë dua ta shpëtoj nga kjo shaka me të cilën po lidh emrin dhe fatin e vet.
Mjafton t’i njoftojë publikisht takimet ku shkon dhe do shkoj në çdo qytet dhe çdo fshat. Nuk dua të rri ulur, por do rri në këmbë.
Ai le të shpjegojë se pse nuk do të votohet dhe unë do të shpjegoj se përse dua të votohem.
Eshte kaq e thjeshtë.
Meqë kam bërë disa eksperimente artistike me njerëz realë, të cilët i kam kthyer në personazhe librash, dua t’ia heq frikën paraprakisht.
Nuk do ta bëj personazh, por do ta bëj kandidat.
Do ta ftoj në zgjedhje.
Në fund të kësaj fushate, Edi Rama nuk do të fitojë statusin e personazhit tim, por sigurisht do të fitojë dinjitetin e kandidatit përballë meje.
Për mua është koha për zgjedhje, për Edi Ramën është koha për guxim!

SHKARKO APP