Blushi-Rama përplasja finale

 

Ben Blushi nuk ka zhgënjyer dje prishmëritë e tij si politikan dhe intelektual kalibri. Një shkrim i tij ka trazuar keqazi ujërat e fjetura prej gati dy vitesh në Partinë Socialiste. Anëtari i Kryesisë së PS-së dhe një nga deputetët më të spikatur të së majtës ka folur në hapur, qartë dhe saktë për ato që askush nuk ka pasur guximin t’i thotë për mënyrën sesi po qeveriset vendi. Sipas tij, Rilindja ka dështuar. Madje më shumë se kaq, ajo ka vdekur. I tillë është dhe titulli i shkrimit të Blushit dje në media. “Fjalimi im për funeralin e rilindjes” ishte shkrimi ku Blushi dëshmon se është një politikan i një stili tjetër, gati i harruar këto vite për fajin e lidershipit të PS-së, por dhe një intelektual që nuk bën kompromise. Shkrimi, më shumë se një kritikë dhe pasqyrë realiste e mendimeve të Blushit, është një pamflet për atë që nuk u bë nga Rilindja e premtuar prej Ramës. Shumë kush prej kupolës rozë mund të mos jetë hapur në një mendje me Blushin. Të parët sigurisht janë një pjesë e deputetëve të Partisë Socialiste. Më pas vijnë dhe qëndrimet e opinionit. Shkrime të tilla bëjë diferencën mes vijës së hollë që ndan intelektualin e angazhuar dhe politikanin. Blushi ka zgjedhur t’i thotë në të dyja rolet, por për shkak të angazhimit të tij në strukturat e PS-së, deklaratat kanë shkaktuar më shumë debate.I shkruar me një stil blushist, me një ironi deri në sarkazëm, me nerv që shkatërron nervat e atyre që flasin me flamurin e Rilindjes, ai duket se hedhur dorezën e boksit publik me Edi Ramën. Nga sulmi në media  Blushi duket se po kalon në Parlament debatin me Kryeministrin.

Nëse rendit qëndrimet e Blushit pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste gjen jo pak mendime ku shprehet pakënaqësia për mënyrën sesi po qeveriset nga e majta. Por në krahasim me qëndrimin e fundit, kritikat e mëparshme duken si “limonata”. Sipas tij, rilindja ka dështuar nga “mediokriteti, hipokrizia, neveria”. Mes rreshtave gjen shumë portretizime që nisin nga kanabistët që identifikohen me Koço Kokëdhimën, e deri të papagalli që bën selfie, ku aludimi duket qartë për kryeministrin Edi Rama. Sarkazëm e rëndë dhe shpotitëse. Një pjesë e deputetëve të PS-së, edhe pse emrat nuk u janë përmendur, e gjejnë veten mes krenaristëve dhe kanabistëve. Sipas Blushit, Partia Socialiste nuk po qeveris, në PS nuk ka më zgjedhje dhe në 22 muaj në pushtet në vend nuk ka ndryshuar asgjë. Ky është padyshim qëndrimi më i ashpër i Blushit që pas ardhjes në pushtet të së majtës dhe ndoshta dhe më herët. Ben Blushi ka hedhur silurin e radhës dhe më të fortin, duke mos kritikuar vetëm parimisht, por duke qëlluar direkt në “zemër të rilindjes”. Nuk ka sulm me të fortë se sa ky ndaj Edi Ramës. Pas sfidës së bërë dje, tashmë pritet reagimi. Në PS-ja përjashtimet nga partia, prej vitesh, nuk janë më tabu. Ndaj pyetja që shtrohet është: A do t’a përjashtojë Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deputetin Ben Blushi nga partia? Në PS, qëndrimet e Blushit kanë shkaktuar jo pak reagime nën zë. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar deputetët janë munduar të evitojnë përmendjen e problemeve që ai ka ngritur. Ata që mendojnë si ai, dhe thuhet se nuk janë pak, nuk kanë kurajën të flasin. Të tjerët, ata që mendojnë kundër, para mediave thanë se nuk mund të komentonin, ose se nuk i kishin lexuar ato që shprehte Blushi! Qëndrime të tilla nga deputetët e PS, zakonisht  ndodhin vetëm në një rast, atëherë kur Kryetari ende nuk ka dhënë ndonjë sinjal sesi do reagojë. Në korridoret e selisë rozë, njerëzit kundër Blushit në PS kanë nisur të flasin për një plan. Sipas tyre, një përplasje e hapur në prag të fushatës mes Ramës dhe Blushit mund të sillte kosto për Partinë Socialiste. Ndaj, përplasja, apo ideja e përjashtimit nga partia, nëse do të merret në konsideratë, mund të ndodh pas fushatës zgjedhore. Strategjia mund të ndiqet njëlloj si në rastet e Kastriot Islamit dhe deputetëve të tjerë. Më i freskët është rasti i Tom Doshit, i cili nuk u përjashtua nga PS-ja për akuzat ndaj Kreut të Kuvendit, por sepse hodhi akuza në adresë të ministrave dhe të qeverisë. Sigurisht, Blushi nuk krahasohet me asnjë prej këtyre rasteve. Profili i tij politik, qëndrimet parimore që ka mbajtur dhe kritikat nuk lidhen në aspak me çështje personale. Ndaj dhe vendimet ekstreme, nëse vërtetë mendohet diçka e tillë në PS, do të kenë jo pak kosto për vetë selinë rozë. Ndryshimi nga qëndrimet e mëparshme të Blushit ndaj Ramës dhe anasjelltas është se përplasja tashmë është e hapur. Dhe siç duket, është vetëm fillimi i një fundi që do të sjellë një “deshmor”.

Edi Rama mësohet se ka urdhëruar deputetët pro tij të mos shprehen tani për tani, sepse një duel me Blushin nuk  është i lehtë dhe mund të sjellë përçarje, aq me tepër që si nën zë kanë filluar të flasin këto ditë edhe Pandeli Majko e Blendi Klosi. I pari se nuk u zgjodh kandidat nga Rama dhe i dyti se u mor me vete nga Edi,por nuk iu tha troç se “nuk do të jesh në Tiranë”.   

 Rama i ruhet Blushit,sikurse Beni boll ka duruar e nuk rri dot pa një përplasje me Edin. Nëse “kruhen”në publik e në parlament do të jetë një duel i paparë dhe nuk ka asnjë që  mund të hyjë në mes tyre,derisa “brirët” t’iu thuhen përfundimisht.

 

SHKARKO APP