Blushi: Reforma interes për Ramën

Prej gati dy vjetësh politika ka një inflacion fjalësh për reformën në drejtësi. Drafti është gati për votim dhe pret vetëm konsensusin e Partisë Demokratike. Por edhe pse procesi është drejt finishit, përveç hartuesve të reformës, qytetarët nuk kanë dijeni se çfarë do të sjellë konkretisht reforma. Teza më e përdorur është ajo që se do të luftojë korrupsionin, por si dhe qysh do të realizohet kjo dhe sa më të qetë duhet të jenë shqiptarë, teorikisht është e paqartë. Eshtë bërë një projekt skutave të politikës, pa debat në popull. Eshtë bërë me vrap se e duan të huajt urgjent, por ne harrojmë se të huajt rrijnë katër vjet këtu si ambasadorë e më pas ikin, por neve na mbetet “kopili” në derë. Ata nuk e vuajnë padrejtësinë se janë të huaj. Populli nuk di gjë se çfarë është në thelb kjo Reformë.

Ky shqetësim është ngritur dje nga deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi. Dhe kur një deputetë i Kuvendit, thotë se reforma është e paqartë edhe për atë vetë, mendoni sesa të informuar me detaje janë qytetarët. Por nuk është ky i vetmi problem. Çështja është se qytetarët janë përjashtuar nga ky proces në të gjithë elementët e tij. Në fund, politika do të vendos se çfarë do të bëhet dhe qytetarët  s’kanë të drejtë të shprehen për asgjë që vendosin partitë në Kuvend.

Për deputetin Ben Blushi, Reforma nuk përfaqëson asnjë nga interesat e qytetarëve, por është kryer për favore të politikës. Në fjalimin e mbajtur dje në Kuvend, Blushi ka akuzuar direkt kryeministrin Edi Rama, si njeriun që po bënë reformën për interesa personale politike. Madje, sipas tij edhe nëse arrihet konsensusi, ky është konsensus mes PS dhe PD, që së bashku bëjnë një palë, që mbron interesat e tyre dhe jo të qytetarëve. Thënë ndryshe, kjo është një reformë që do të garantojë sesi partitë do të ndajnë mes tyre veç pushtetit politik, edhe pushtin gjyqësor në vend. Ose nëse nuk bien dakort që pushteti i drejtësisë të jetë nën varësinë e kryeministrit.

“Edhe në qoftë se këtu do gjendet konsensus dhe njëra palë gjen konsensus me palën tjetër, çfarë do të jetë kjo? Dy palë që bëjnë një palë gjejnë konsensus për interesa të përbashkëta të një pale. Më vjen keq ta them por këto janë palë që përfaqësojnë të pasurit e Shqipërisë. Edhe nëse do ketë konsensus për reformën në Drejtësi populli nuk do pyetet. Interesat e tij nuk do mbrohen në këtë Parlament. Në këtë aspekt, ajo që po bëjmë, ose që mund të bëjmë edhe nëse e bëjmë Reformën në Drejtësi, produkti do të jetë një produkt i panjohur burokratik, jo vetëm për shumë nga ne, përfshi edhe mua këtu, por edhe për shumicën e shqiptarëve”,- tha Ben Blushi.

Blushi ka sjellë dhe një ide sesi operohet në vende të tjera për sistemin e drejtësisë. Ai tha se në SHBA Prokurorët zgjidhen nga populli. Por në Shqipëri, jo vetëm që diçka e tillë nuk është çuar nëpër mend, por as reforma në terësi nuk i jepet të gjykohet popullit më votë. E ndërsa ideja e Prokurorëve nga populli mund të duket utopike, Blushi dje ka bërë hapin e parë për ti dhënë më shumë hapësirë qytetarëve në vendimmarrje. Ai ka propozuar, së bashku me deputeten Mimoza Hafizi zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga qytetarët me votë. Një ide që duket e logjikshme, për sa kohë që gjyqtarët do të zgjidhen me 94 vota, ndërsa Presidenti i Republikës votohet në Kuvend me minimumin e shumicës, 71 vota.

“Prokurorët nuk do t’ia jepni popullit asnjëherë, se ky është pakti që bëni në këtë sallë, po një njeri mund t’ia kishit dhënë. Sot mund ta vendosni që prokurorët apo gjyqtarët zgjidhen me 2/3 apo 3/5, po Presidenti e dini me sa zgjidhet? Me 71, njësoj sikur të jetë Inspektor. Kjo mund të ishte një mundësi nëse duam të reformojmë sistemin. T’ia japim Presidentin Popullit. Ia hoqët kompetencat e kreut të Drejtësisë, por populli ka të drejtë ta zgjedhë. E bëjnë polakët, e bëjnë rumunët, e bëjnë bullgarët, maqedonasit, serbët, malazezët. Pse nuk jeni dakord ju dy palët?”,- u shpreh Blushi.

Blushi vazhdon serinë e kritikave ndaj kryeministrit Rama si një njeri i paaftë, që ka kapur krejt pushtetet në dorë, që po e shkatërron vendin dhe po afron një ’97-të të dytë me keqqeverisjen e tij tre vjeçare.

Blushi tha se Reforma që ka ardhur është e paqartë dhe produkt i interesave të Edi Ramës. Nuk dihet se si do të votojë Blushi, porse ka mundësi që shifra 94 deputetë të mos krijohet, pasi dje në selinë e PD-së janë thirrur personalisht nga Berisha të shtatë deputetët të cilët kanë bërë pazar me Kryeministrin për votën. Njerit deputeti demokrat që ka edhe interesa me pushtetin, Berisha mësohet se i ka nxjerrë një dosje të cilën ish-kryeministri i mban, pasi me shumicë dosje të tilla. Ndërsa mendohet se vetëm një deputet i PD-së që ka dy nënshtetsi mund të votojë Reformën, por përsëri numri 94 nuk bëhet.

Nuk dihet edhe vota e Blushit pas kritikës së djeshme ndaj reformës së Edi Ramës, të cilën e quajti se e bën për interesa personale.

 

SHKARKO APP