Blushi sulmon egër

Ben Blushi ka sulmuar shumë ashpër dje Kryeministrin Edi Rama dhe qeverisjen e Rilindjes. Bile me egër se sa vetë PD. Në një fjalim që rrallë herë është mbajtur në Kuvend, Blushi bëri bilancin e më shumë se tre vjet qeverisje të Partisë Socialiste, duke rrëzuar gjithë ato që Kryeministri Rama i quan si suksese të Rilindjes.

Por veç kësaj, fjalimi i djeshëm ishte një divorc total mes Bushit dhe Edi Ramës. Debati i politikës për reformën në drejtësi detyroi Blushin që të stoponte kritikat ndaj qeverisë. Këto muaj bënë që në selinë rozë të qarkullonin ide, të shpërndara edhe nga vetë segmente afër Ramës, për një pakt mes Kryeministrit dhe Ben Blushit. Gjatë verës u hamendësua se heshtja e Blushit ishte pasojë e një marrëveshje me kreun e Rilindjes. Fjalimi i djeshëm dëshmoi të kundërtën. Blushi po krijon partinë e tij politike. Nga dje rrugët me Edi Ramën janë ndarë përfundimisht. Tashmë Blushi është me armik për Ramën se sa vetë Berisha. Lufta brenda llojit është me egër se sa me kundërshtarin tradicional.

Kritikat dhe ironia e Blushit fshikulluan thuajse gjithë ministrat e kabinetit “Rama”. E nisi me punësimin, duke ironizuar se Rama e mbajti premtimin për 300 mijë vende pune, por me emigrantët që kanë ikën ilegalisht me sirianët në Gjermani dhe Francë. Shigjetoi ceremonitë mediatike dhe reklamat e qeverisë për projektet e infrastrukturës. Për deputetin Ben Blushi, Qeveria ka më shumë metra filma promovues për rrugët sesa rrugë reale të shtruara. U ndal në çështjen e maturantëve, e cila është një krizë të re e prodhuar nga reforma e qeverisë. Blushi tha se çdo vend në botë investon që të rrisë numrin e të arsimuarve, ndërsa në Shqipëri u mbyllet dera studentëve që janë të shkëlqyer.

Shigjetoi kryeministrin duke thënë se është një politikan që flet për krizën e refugjatëve, librat e trajnerëve, zgjedhjet në SHBA dhe nuk flet asnjë fjalë për varfërinë dhe krizën ekonomike. Arsyeja pse Rama nuk flet për ekonominë, sipas Blushit është se jo vetëm Kryeministri nuk merr vesh nga ekonomia, por as që e ka pasur prioritet të qeverisë.

E duke folur për Ramën, Blushi bëri dhe bilancin personal të Kryeministrit në gati një mandat qeverisës. Një bilanc që përmblidhet me vetëm me fotot selfie në Facebook, udhëtimet me avionë, pjesëmarrjen si tifoz në stadiume dhe me fjalën burg. “Sot kjo qeveri ka kaluar 1000 ditë në pushtet. A e dini si ndahen 1000 ditët e Edi Ramës? 100 ditë në selfie. 200 ditë në avion. 300 ditë në stadium dhe 400 ditë në burg”,- tha deputeti i PS-së. Shumë thërëse kjo akuzë!

Por veç ironisë dhe sarkazmës, Blushi bëri dhe akuza konkrete ndaj kreut të qeverisë. Ai tha se Rama burgosi njerëz për një ndërtim pa leje, por nxori nga burgu miqtë dhe shokët e tij. Madje nxori nga burgu dhe deputetë që votuan reformën në drejtësi. “Një pjesë të madhe të kohës që ai ia dedikoi burgut nuk e harxhoi vetëm për të futur njerëz në burg. Ai edhe ka nxjerrë disa njerëz nga burgu dhe këtë meritë duhet t’ia njohim. Edi Rama ka nxjerrë disa shokë nga burgu. Ka nxjerrë deputetë, kryetarë bashkish njerëz që kanë përdhunuar dhe kanë vrarë me dorën e tyre. Ata sot janë aq të lirë sa mund ta votojnë dhe ta duakstrokasin reformën në drejtësi duke i dhënë asaj shijen dhe dimensionin e pritshëm nga gjithë ndërkombëtarët”,- tha Blushi, duke bërë një akuzë direke ndaj Edi Ramës.

Fjalimi i Blushit dje në Kuvend, ishte i ashpër, i egër. Po Blushi përdori edhe diversionin. Synoi të trondiste raportet e koalicionit dhe aleancës Rama-Meta teksa përmendi çështjen e burgut mes aleatëve. E futi mjeshtërisht “gozhdën” mes Ramës dhe Metës.

Ndërkohë që akuzat e drejtuara në adresë të ministrave dhe personalisht Kryeministrit Edi Rama nuk lënë më vend për paqe mes tyre. Duket se Blushit dje shpalli ndarjen përfundimtare duke nisur projektin e ri për një parti politike.

Ndërsa Kryeministri Rama në përgjigje të akuzave të Blushit, duke mos e përmendur me emër si përherë, e ironizoi atë. U mundua ta përqeshi. Tashmë pritet shpallja e partisë së re të Ben Blushit, e cila sipas analistëve do të jetë forcë politike që do të marrë shumë vota, sidomos nga “oborri” i së majtës. Blushi do të bëjë fushatë të egër dhe shkatërruese për Edi Ramën.

Konfiguracioni politik mendohet të kalojë katërpolar.

 

Spiten Prulli

SHKARKO APP