Bojkoti i PD-së nis nga Kurbini

 
Partia Demokratike ka dhënë dje sinjalin e parë për bojkotin e zgjedhjeve. Pas përjashtimit të kandidatit të PD-së në Kurbin, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka bërë thirrje të hapur për bojkotin e zgjedhjeve. Në një takim të zhvilluar me strukturat e selisë blu në këtë bashki, Paloka ka kërkuar mospjesëmarrjen masive në procesin e zgjedhjeve të 21 qershorit në këtë Bashki. Në këtë mënyrë, një bashki me rreth 50 mijë banorë pritet të këtë zgjedhje formale, ose me standard të munguar.
Kurbini është një bastion i së djathtës dhe thirrja e djeshme automatikisht pritet të zhvleftësojë procesin zgjedhor në këtë bashki. Historia e përzgjedhjes së kandidatit të PD-së në këtë njësi vendore është prej një muaji pjesë e vendimmarrjes së KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Fillimisht, PD-ja propozoi Altin Bibën. Vetëm dy javë më parë, selia blu kërkoi tërheqjen e këtij kandidati duke vendosur në emrin e tij, Ilir Pjetrajn. Kjo marrëveshje brenda PD-së nuk është miratuar nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe është gabuar rëndë nga KQZ . Patjetër që duhej një kandidat nga PD pasi zgjedhjet kështu janë formale, pra nuk përfaqësohet një pjesë e madhe e votuesve, sepse nuk kanë kandidat. Duhej vetë PS dhe LSI të insistonin që KQZ të vendoste kandidatin që donte vetë PD se është e drejtë e saj të ketë kandidatin. Për pasojë, në garë ka mbetur ligjërisht ende Altin Biba dhe fushatë po bën Ilir Pjetraj, i cili ka votat dhe mbështetjen e PD-së, por për shkak të procedurave ligjore nuk figuron kandidat i regjistruar. Këtë situatë, demokratët kanë vendosur ta zgjidhin me mënyrën e fortë duke bojkotuar zgjedhjet. Fusha e zgjedhjeve në Kurbin është lënë e lirë për kandidatin e majtë, i cili e ka të garantuar fitoren. Bashkia e re e Kurbinit përfshin Laçin, Mamurrasin, Milotin, Fushë-Kuqen, zona të njohura si bastione të Partisë Demokratike. Dikur, gjatë viteve të opozitës, Berisha shprehej se me “Mamurrasin marr pushtetin”.  Ndaj dhe nisja e bojkotit në këtë bashki është një sinjal i opozitës për gjithë situatën në zgjedhjet e 21 qershorit. Ose më saktë ditën e paszgjedhjeve.
Nëse ndjek denoncimet e PD-së lidhur me problemet në zgjedhje janë disa vatra të nxehta që duket se gjatë ditës së votimeve mund të shpërthejnë. E para është Shkodra. Një garë e ashpër mes kandidates së PS-së dhe asaj të PD-së ka nxjerrë në pah akuza për vjedhje vote, presione ndaj militantëve, blerje komisionerësh. Në Vorë, bashkinë e vogël afër Tiranës ku është grumbulluar pjesa më e madhe e biznesit të vendit, duket se po zhvillohet një betejë titanike mes kandidatit të majtë dhe kandidatit të opozitës. PD-ja pretendon se gjithë shteti është vënë në lëvizje për të manipuluar zgjedhjet në këtë bashki. Ndërsa eksponentë të majtë thotë se kandidati i PD-së nuk bën më fushatë, por ndan vetëm para për votuesit gjatë natës. Në Krujë, një fushatë që po zhvillohet larg vëmendjes së medias ka vënë përballë dy kandidatë që kanë hedhur në fushatë gjithë militantët ekstremistë. Takimet e një kandidati, për arsye sigurie zhvillohen gjithmonë me prani të madhe forcash policore. Në Durrës, pavarësisht toneve të zbutura të kandidatëve dhe fushatës qytetare, presioni i votuesve ka bërë që tensioni i përballjes së militantëve të jetë gjithmonë i pranishëm. Në këtë temperaturë elektorale që rritet nga dita në ditë nuk mungojnë dhe thirrjet nga kreu i opozitës për cënimin e votës. Gjuha e kreut të PD-së është bërë më e ashpër lidhur me standardet e zgjedhjeve. “Lidhini zagarët, hiqini duart nga vota e lirë e qytetarëve”,  ka qenë kërcënimi i bërë gjatë ditëve të fundit nga kreu i PD-së. Problemi nuk është tek kërcënimet e Bashës, sesa tek ajo çfarë do të ndodh nëse PD-ja pretendon se votat i janë vjedhur apo blerë. Varianti më i mundshëm është bojkot dhe mosnjohja e zgjedhjeve. Dhe gjasat janë që bojkoti të merret seriozisht si alternativë. Në Kurbin, dje u dha sinjali i një tërheqje të opozitës.
Por ka informacione të besueshme se edhe në Lezhë po përgatitet një sherr i madh ditën e zgjedhjeve dhe sidomos gjatë numërimit. PD-ja ka përgatitur gjithë njërëzit e saj për të bllokuar KZZ dhe gjithçka tjetër në qytet nëse konstaton, sipas saj, manipulim të votimeve. Dhe në Lezhë mund të plasi se edhe Laçi është shumë afër e inatin për moskandidimin në Kurbin mund ta shperthejnë në Lezhë. Edhe policia po përgatitet për këtë skenar, duke marrë masat për shtim forcash në këtë qytet.
 
Diçka po thuret në prapaskenën e zgjedhjeve tek selia e PD-së, e cila është mjeshtre e madhe në përballjet  kacafytese elektorale.
 

SHKARKO APP