Bolivia zhvendoset në Tiranë apo vice-versa!?

Frrok Çupi

Ndërsa në Bolivi bëhen zgjedhje dhe bie autokrati, këtu te ne po ndodh katastrofa. Këtu qeveris vendin një parti ku nuk lejohen zgjedhjet normale, ku kanë vdekur të gjitha institucionet që rregullojnë jetën politike. Në Bolivi, një nga njerëzit më të fortë të botës, presidenti Morales, ra para dy ditësh, në përpjekje për të rimarrë pushtet deri në vitin 2025.

Këtu nuk bie…

I bie që Bolivia, ky vend legjendar për histori komuniste, të mbivendoset në Tiranë dhe Tirana në Bolivi. Mbase nuk është shumë e qartë për një lexues të zakonshëm. Por Bolivia, vendi ku në vitet 60, revolucionari më i spikatur i botës, Che Guevara, nën një patronazh botëror të marksistëve, leninistëve, stalinistëve dhe maostëve, të aplikonte komunizmin që “do të pushtonte botën”.

Bolivia, sot e kësaj dite është një vend ku dominon komunizmi, një ideologji majtiste në ekstrem.

Presidenti boliviaian, 57 vjeçari Evo Morales, një legjendë e autokracisë, bëri planin që duke ndryshuar kushtetutën të zgjidhet president për herë të katërt. Por këtu ra; bolivianët, të shtunen e kaluar, votuan 51.5 përqind kundër këtij projekti autokratik. Presidenti pranoi rezultatin dhe deklaroi se “do të kthehem në shtëpi e mund të bëhem trainer sporti”.

Evo Morales, jo veç me diktatorin 50 vjeçar Hoxha, por edhe me majtistin e ri Rama, ka shumë pika të përbashkëta. Veç një gjë nuk i bashkon: Ndërsa i shpalluri botërisht si autokrati latino-amerikan, e pranon votën kundër, madje edhe humbjen, majtisti shqiptar nuk pranon. Madje nuk pranon as zgjedhje. Partia Socialiste që qeveris me koalicion, ka dhunuar statutin, kohën, institucionet. Ajo nuk bën më zgjedhje që nga dita kur kryetari u zgjodh kryetar në mëngjes, teksa gjithë ditën më parë i kishte humbur projekti politik.

Ka plot të tjera që janë të përbashkëta ose krejt të kundërta, por që shkojnë në të njejtën vijë logjike.

Në të njejtën vijë shkon për shembull pjesëmarrja në sport, Morales po kthehet në trainer sporti.  Por ndërsa kryeministri këtu u mor me sport në kohën kur ishte zero, autokrati latino-amerikan do të merret me sportin pasi të ulet nga kullat e pushtetit. Ky i këtushmi, kur të mbarojë me pushtetin, me siguri që do të ketë mbaruar me gjithësej. Aq më tepër që miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dëshmuar se ky këtu është një përdorues kokaine i hershëm. Shëndeti do t’i jetë rrënuar në fund të aventurës.

Edhe kokaina ka një vijë të përbashkët me Evo Morales në Bolivi. Ai ka pasur një histori me coca-n, por e ka kapërcyer si një aktivist i sinqertë. Për dhjetë vjet ishte sekretar i Përgjithshëm i Unionit Cocalero, një organizatë e hapët dhe e njohur. Ndërsa ky këtu e ka mbajtur fshehtas.Vetë Bolivia është një vend prodhues i drogës, siç edhe Shqipëria është bërë tani, nën qeverisjen e këtij të këtushmit.

… Pardje Evo Morales deklaroi se pranonte verdiktin popullor, edhe pse ky ishte veç 1.5 përqind më shumë se devoted e tij. Këtu, me siguri, do të derdhet “gjaku në gju” ditën kur Edi Ramës do t’i thonë se “të mbaroi koha”! Jo, ky nuk e pranon. Se ndërsa Evo Moravia vjen nga një familje shumë e thjeshtë popullore native në fis, prej Aymara, kryeministri shqiptar i epokës demokratike vjen nga një familje e egër me rrënjë në diktaturën komuniste. Poeti i fundit në Europën komuniste që u var në litar për shkak të poezisë, u var me firmën e babait të kryeministrit aktual. Vetë kryeministri këtu nuk e ka pranuar përkatësinë e “fisit”, edhe për këtë i tund të pasmet. Me familje në origjinë ortodokse-myslimane, shpallet katolik; i përfolur si pasardhës ilegal i Mbretit Zog, shpallet armik i Mbretit; i rrënjosur në sjellje komuniste, shpallet anti-komunist, etj.

Interesant, u desh që bolivianët, por edhe bolivianët e linjës së Çe Guevarës të votonin kundër zgjatjes së pushtetit të presidentit autokrat. Që nga kjo paralele, këtu mund të reflektohet fortësia shkëmbore e kryetarit të Partisë në pushtet për të mos bërë zgjedhje në parti. Morales ishte zgjedhur president në vitin 2005, por tani u detyrua të pranojë humbjen. Ndërsa ky është zgjedhur në vitin 2001( katër vjet më shumë se Morales) dhe nuk pranon të shkulet. Vallë, është Bolivia këtu në breg të Europës, apo është Tirana në Bolivi?… O zot çfarë ngatërresash bëhen në periudha kur sundojnë autokratët!

Veçse Morales ka edhe një dallim tjetër “përbashkësie” me kryeministrin këtu. Qeverisja alias majtiste këtu e ka zhytur vendin në një varfëri më të thellë, është shtuar papunësia, është rritur numri i të varfërve dhe i atyre që vrasin veten për shkak të varfërisë. Tani më shumë se kurrë… Morales është një nga njerëzit më të famshëm e më të dashur  të historisë së Bolivisë. Periudha Evizmo(siç quhet në Bolivi ideologjia e Morales) është periudha e rritjes ekonomike. Deri sa ky u zgjodh president, Bolivia ishte kombi më i varfër në Amerikën e Jugut. Por presidenti aplikoi modelin liberal ekonomik. Tre vjet para atij, në vitin 2002, nga nxjerrja e hidrokarbureve, shteti bolivian mori veç  173 milionë usd. Në vitin 2006, pas një viti me Morales,  mori 1.3 miliardë usd. Bolivia është shteti me një rritje të paprecedent makro-ekonomik. Në 5 vjet e uli varfërinë nga 35 në 27 përqind të popullsisë. Në vitin 2007 u shpall vendi i parë në botë për thithjen e fondeve nga Banka Botërore  dhe FMN

Ka disa njerëz këtu që thonë se zoti i “pret” gjërat me kujdes. Se, sikur këtu të kishte rritje ekonomike si në Bolivi, ky i këtushmi do të “varte mace”. E ka ekonominë copë- copë, por megjithatë ngrifet me piktura, me karaxhozllëqe e me luks pa fund nëpër botë.

Mes autokratit Morales dhe këtij këtu, ka shumë ndryshime të përbashkëta. Edhe autokrati Morales ka fyer një herë dikë,  një ministre, ministren e shendetsisë të Bolivisë. Por asnjëherë nuk ka rrahur ndonjë ministër. Mediat këtu kanë botuar foto të nënkryeministrit shqiptar, me fytyrë të nxirë si mëlçi, pse e ka rrahur kryeministri. Morales, menjëherë pasi ofendoi zonjën Ariana Campero duke e quajtur lesbike, i ka kërkuar ndjesë “të thellë e të sinqertë”, ndjesë në publik, ndjesë në media, ndjesë  kudo. 50 përqind e kabinetit të tij qeveritar janë femra.

Këtu tjetri ngrihet në mëngjes dhe pështyn mbi njerëzit. Kryeministri  i Shqipërisë i ka quajtur qytetarët e vet “dele”, dhe ata që votojnë kundër i ka quajtur “budallenj”. E përbashkëta me autokratësh është fyerja; por dallimi është se ky këtu fyen një popull të tërë e nuk do t’ia dijë.

Ka edhe një të përbashkët shumë personale: Si Morales edhe Edi Rama kanë nga katër gra. Veçse gratë e Morales, mbasi janë ndarë, janë ndarë dhe nuk kanë bashkëpunuar me njëra tjetrën. Gratë e Ramës i shikon nëpër klube duke bërë intriga pushteti.

… Ka shumë dallime të përbashkëta. Konfuzioni më i madh është ky: A është këtu Bolivi, apo është Tiranë në Bolivi?

Sepse autokrati bolivian e respektoi votën dhe po tërhiqet nga pushteti. Po shkon në shtëpi. Këtu është dallimi.

 

SHKARKO APP