“Bombardim” amerikan mbi politikën e pistë shqiptare

 
Brenda 24 orëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dy mesazhe të forta për Tiranën zyrtare. I pari, ishte raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikun e qënieve njerëzore. Dokumenti përveçse e rendiste Shqipërinë në të njëjtin nivel si dhe vitin e kaluar, konfirmonte se në parlament është një deputet që më parë është dënuar për trafik personash dhe fliste për struktura të policisë që bashkëpunojnë në këtë lloj trafiku. Siç ndodh me dokumentet ndërkombëtare në Tiranë, gjithmonë ka dy mënyra leximi. Nga njëra anë është ajo e opozitës e cila shfrytëzon rastin dhe nxin çdo gjë, duke hequr edhe ato pjesë ku raporti realisht vlerësonte punën e qeverisë në krahasim me vitet e kaluara. Nga ana tjetër, mazhoranca lexon vetëm rreshtat ku dokumenti i SHBA-ve kishte vlerësime për punën e Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme. Madje duke e cilësuar raportin si një arritje, z/ministrja e Bendshme, Elona Gjebrea tha se dje raporti ishte ndër më të mirët për Shqipërinë. Sipas saj, mediat dhe opozita nuk kanë arritur ta lexojnë siç duhet këtë dokument.
Por teksa mazhoranca e ka parë raportin si “më të mirin” për Shqipërinë, ka ardhur edhe mesazhi i dytë i Ambasadës Amerikane në Tiranë. “Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarde të larta etike, jo kriminelë.  Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’u kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”, – thuhet në deklaratën e bërë dje nga Ambasada e SHBA-ve. Një mesazh që më shumë se këdo, bën me turp politikën shqiptare.  Në praktikën e Ambasadës së SHBA-ve nuk aplikohet shpesh sqarimi i Raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit. Raportet janë dokumente që kalojnë në disa filtra dhe nuk bëhen komente nga vetë zyrtarët e SHBA-ve. Megjatë, në rastin e djeshëm, Ambasada ka bërë një përjashtim duke përforucar edhe një herë mesazhin që siç duket nuk është kuptuar mirë në Tiranë. E më shumë se një mesazh është “shuplaka” e radhës që institucionet amerikane i japin politikës shqiptare. Gjuha e përdorur, “e turpshme” nuk është as në llojin e komunikimit diplomatik. Ndaj këtë herë, duket se Ambasadori i SHBA-ve ka pranuar të flasë sërish pa dorashka për një çështje që prej një viti është kthyer në problem për politikën shqiptare. Dhe ambasadori Lu nuk është si ambasadorët e tjerë amerikanë. Ai buzëqesh, por është shumë i prerë dhe nuk ka lojë me ato çka thotë si. Ndaj ka kuotat me të larta në publik ambasadori Lu se sa të gjithë ambasadorët amerikanë që kanë në Tiranë.
Ndaj, deklarata e djeshme e tij duhet lexuar mirë nga politikanët shqiptarë dhe të mos bëjnë naze ,sepse vendosmëria amerikane për ta pastruar politikën nga krimi, duket se këtë rradhë është vendimtare.
Ministria e Brendshme njoftoi dje se për çështjen e deputetit të dënuar, në shtator do të miratohet një ligj i posaçëm që do të zgjidhë këtë fenomen. Në fakt, ka rreth një vit që çështja e personave të inkriminuar, jo vetëm e një deputeti, por në gjithë administratën është debati kryesor në politikë. Por duket se duhej vetëm nje shkundje nga SHBA që mazhoranca ta marrë seriozisht çështjen e pastrimit të politikës nga elementët që kanë pasur apo kanë probleme me drejtësinë.
Dokumenti i SHBA-ve vuri dje në dukje edhe një disakordancë mes mazhorancës. Në morinë e deklaratave binte në sy ajo e Kreut të Kuvendit, aleatit kryesor të qeverisë, që kërkonte pastrimin e institucioneve nga njerëzit që kanë probleme me ligjin. “Ndëshkim ligjor dhe pa asnjë kompromis të të gjithë të inkriminuarve që kanë përfituar apo tentojnë të përfitojnë nga kjo veprimtari kriminale”,- shprehej Meta. Duket si një deklaratë e zakonshme, po të mos llogarisim faktin se akuzat kryesore bëhen për grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Ndaj dhe dokumenti i SHBA-ve duket se është lexuar ndryshe nga Meta dhe ndryshe nga Rama.
Pas reagimit të Ambasadës duket se ka një reflektim. Në shtator, Qeveria pritet të sjellë për votim në Kuvend një ligj që ndalon të inkriminuarit të jenë pjesë e institucioneve. Por beteja duket se vetëm sa ka nisur. Ambasada e SHBA-ve ka filluar të flasë më hapur se çdo herë. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në shtator dhe sa ia ka vlejtur leksioni amerikan që ka marrë dje politika.
Edhe njëherë ambasadori Lu këtu është dhe nuk ikën shpejt !
 

SHKARKO APP