Braçe, Berishës: Ik o qen i madh!
Fyerje, kërcënime dhe sherr mes Erjon Braçes, Berishës dhe katër deputetëve opozitarë
Seanca e djeshme në Kuvend ka degraduar në fyerje, sharje të ulëta, kërcënime dhe gati për përplasje fizike mes deputetëve. Një zhvillim aspak normal, kur debati politik në sallën e Parlamentit duhet të diskutonte reformën në drejtësi, apo reformën zgjedhore për të cilat bëhet aq shumë zhurmë. Kur ndërkombëtarët thonë se nuk duhet humbur asnjë ditë kohë, ligjvënësit hapën “librat e shtëpisë” ndaj njëri-tjetrit.
Ja çfarë ndodhi dje në Kuvend. Shkak u bë fjalimi i ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe deputetët e tjerë të PS-së, për përfitim nga fondet e Buxhetit të Shtetit. Pas Berishës fjalën e mori deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Ai akuzoi ish-Kryeministrin Berisha si njeriun që po shpif ndaj maxhorancës pasi është në siklet nga skandali i “Panama Papers”.
Por gjatë kohës që Braçe fliste menjëherë nga krahu i deputetëve të PD-së ka pasur reagime. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani iu drejtua Braçes: “Pusho, o këlysh, kone”! Pas Ristanit në këmbë është ngritur edhe Sali Berisha, i cili po ashtu ka drejtuar etiketime fyese ndaj Braçes. Nga ana tjetër deputeti u është përgjigjur me të njëjtën mënyrë. “Sali, qen i madh, boll! Mos bëj si qen…”.
Pas këtyre replikave të ashpra kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka është ngritur në këmbë dhe është drejtuar drejt foltores së Kuvendit, ku ndodhej deputeti Braçe. Ai ka tentuar ta largojë atë nga foltorja, ndërkohë është dashur ndërhyrja e personelit të Gardës së Republikës për të shmangur një përplasje fizike.
Në këtë situatë kreu i Kuvendit kërkoi ndërprerjen e seancës deri në normalizimin e situatës. Por përsëri deputetët nuk kanë arritur të qetësohen. Erjon Braçe qëndronte ende në foltoren e Kuvendit duke pritur të merrte fjalën. Fyerjet dhe sharjet kanë vijuar edhe gjatë momentit kur Garda urdhëroi ndërprerjen e transmetimeve direkte nga mediat e pranishme në sallë. Ndërkohë, veç Edi Palokës drejt deputetit Erjon Braçe është drejtuar për ta goditur edhe deputeti tjetër i PD-së, Roland Keta. Edhe në këtë rast përplasjen fizike dhe grushtet mes disa deputetëve të PD-së dhe Braçes e ka shmangur Garda. Për herë të dytë, kreu i Kuvendit ndërpreu seancën duke kërkuar 30 minuta pushim.
Pas përleshjes verbale dhe fizike në Kuvend, sherri ka vijuar me deklarata. Sipas Berishës, revolta e Braçes erdhi për shkak se iu përmendën disa kontrata dhe investime të dyshimta të bëra në zonën e tij elektorale në Divjakë. Ndërsa Braçe tha se demokratët shpërthyen sepse kanë hallin e kompanive dhe pazareve të të afërmve të tij që janë në dokumentet e “Panama Papers”. Partia Demokratike kërkoi nga Byroja e Kuvendit përjashtimin e deputetit Erjon Braçe për 10 ditë nga Parlamenti. Ndërkohë që, socialistët kërkuan edhe përjashtimin e deputetëve Sali Berisha, Edi Paloka, Arben Ristani dhe Roland Keta. Në mbledhjen e pasdites deputetët e maxhorancës në Byro kërkuan më shumë kohë për të marrë një vendim.
Kjo është kronika e përsëritur shpesh kohët e fundit gjatë seancave të Parlamentit. Vetëm se këtë herë fyerjet dhe sharjet kanë arritur kulmin dhe kanë tejkaluar çdo standard. Ajo që e bëri më të rëndë seancën e djeshme lidhet me faktin se protagonistë të sherrit nuk janë vetëm deputetë të rinj, por deputetë me përvojë të gjatë si ish-Kryeministri Berisha dhe kreu i Komisionit të Ekonomisë, Braçe. Por më e turpshme sesa fyerjet ishte tentativa për dhunë fizike.
Në fakt ky Parlament e ka kaluar çdo limit turpi. Ai është Parlament që duhet të shkrihet një orë e më parë, pasi nuk e meritojnë shqiptarët një përfaqësim të tillë mizerabël. Të dyja palët, edhe PD edhe PS kanë një kut mase; kush shan më shumë, cili godet me grusht më fortë, cila ka shënjestër për vezë apo cili vjedh më shumë si deputet.
Këtë Parlament nuk e meritojnë shqiptarët, që t’ju miratojë reformën në drejtësi. Ky Parlament duhet shkrirë një orë e më parë.
Më mirë të shkojmë në zgjedhje, njerëzit kanë bërë qejf e janë tejngopur me deputetë të këtij niveli turpi. Kështu më në fund do të votojnë emra të tjerë deputetësh, duke i bërë partitë të zgjedhin njerëzit e kulturës e profesionistë e jo të “fortët” e lagjes apo katundit.
Parlament turpi është ky që kemi!
Pjesë nga fyerjet dje në Kuvend
Braçe: Po shikoj njërin këtu që qesh… (flet për Ristanin)
Ristani: Po këlysh kone, po, po flet ti këlysh kone…
Braçe-Ristanit. Po buçe, po buçe, po buçe!
Ndërhyn Berisha (pa mikrofon)
Braçe: Po të them dhe njëherë e ke filluar me këta të tutë, nuk ke lënë njeri pa përfolur nga këta të tutë, duke filluar nga rreshti i parë deri tek i fundit. S’ke lënë njeri pa e damkosur ti vetë. Nuk ke lënë njeri pa përfolur.
Berisha flet nga vendi: Ti je këlysh i vogël po dollarë ke marrë shumë..
Braçe: Sali boll, mos bëj si qen. Ulu aty se e di çfarë halli ke. Ulu ore aty…
Berisha: Je këlysh i vogël…
Braçe: Dëgjo këtu qen i madh. Dëgjo këtu….Nuk ke lënë njeri pa e damkosur ti vetë. Do vish ta provosh në gjykatë këtë. O Sali, Sali, mos bëj si qen, po ulu se e di unë ca halli ke ti. Ulu mor, ulu…
Berisha: Je këlysh i vogël…
Braçe: Dëgjo ti qen i madh, dëgjo, dëgjo…