Bundestagu gjerman kërcënon Ramën: Hiq dorë nga ndryshimet kushtetuese. Do bllokojmë negociatat me BE

Johann Wadephul, numri dy i CDU-CSU në Budestagun gjerman, ka reaguar ashpër ndaj nismës së PS për ndryshimet në Kushtetutë. Politikani i lartë gjerman shprehet se këto ndryshime janë shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit me opozitën dhe rrezikojnë bllokimin e negociatave me BE.
“Me marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëveshjet e tjera të bazuara mbi të, qeveria dhe opozita kanë hartuar një reformë të mirë zgjedhore. Kjo reformë zgjedhore tani duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Atëherë do të përmbushej kërkesa e bërë nga BE dhe Bundestagu gjerman për të kryer një reformë zgjedhore në një proces gjithëpërfshirës midis qeverisë dhe opozitës – përfshirë opozitën ekstra-parlamentare. Por tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve.
Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit. Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë”, deklaroi Wadephul.

“Në praktikë, -vijon ai- kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit”.
Ai thekson se “kjo do ta vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashimin Europian”.

Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.
Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!”, deklaron gjermani Wadephul.
Lexoni edhe…

Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore

Ndryshimet kushtetuese, Opozita e Bashkuar: Rama po hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë

SHKARKO APP