Buzëkuqi i Ramës nuk le shenjë dy herë

Nga Andi Bushati

Ndërkohë që Edi Rama postonte një foto të magjishme të urës së rikonstruktuar të Goricës, në llogarinë e tij në Facebook, një reporter i Lapsi.al po përshkruante, me vështirësi, pjesën e ngrirë dhe të papastruar të Rrugës së Kombit . Në pamje të parë këto dy ndodhi, nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Kryeministri propagandon, me të drejtë, rikonstruksionin e urës së lashtë të Beratit (foto tek diaporama), që pas kaq e kaq vitesh është rivlerësuar, për t'u rikthyer vërtet në një monument tërheqës me të cilin çdo shqiptar mund të mburret. Në foton e postuar, kushdo mund të shokohet nga transformimi i urës së vjetër që e përshkruan në kronikat e tij edhe Evliah Celebiu, e cila nga një konstruksion me dru, kaloi në një ndërtim me gur pas shekullit të XVII-të dhe që sot në shekullin XXI-të po rilind sërish.  

Në të njëjtin moment, në një lajm tjetër, reporteri i Lapsit ka postuar dy foto që tregojnë gjendjen e mjerueshme të Rrugës së Kombit. Duket qartë se në këtë rrugë, pjesa nga Prishtina deri në Morinë, është e pastruar e rregullt dhe për pasojë shumë më e sigurtë. Ndërsa pjesa shqiptare, e lënë pas dore dhe një burim i vazhdueshëm aksidentesh. Po atëherë, ç'lidhje kanë këto foto dhe këto mini ngjarje me njëra- tjetrën? Lidhja është vetëm një: mania gjithnjë e më në rritje për ta parë qeverisjen si një qasje estetike, përpra konceptimit të saj si një detyrim i përditshëm në favor të njerzëve. Nëse Rruga e Kombit mbetet një burim aksidentesh, nëse Qafë Thana ishte e bllokuar të dielën, ndërsa e njëjta gjendje përsëritet edhe këtë të martë, nëse për dy marinarët e vdekur në det tani po thuhet se rimorkiatori «Iliria» që vajti për të dhënë ndihmë, nuk ishte ai i duhuri për këtë mision, kjo tregon se ky vend ka nevoja shumë urgjente: Ka nevojë që të ketë mjete për të shpëtuar jetët në det, për të shpëtuar jetët në rrugë atëherë kur motit i teket të përkeqësohet, ka nevojë për ambulanca dhe pajisje mjekësore, e për shumë gjëra të tjera.

Por meqë jemi tek spitalet "reforma" e qeverisë në shëndetësi, filloi me mbjelljen e pemëve dhe heqjet e kioskave në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Të paktë qenë ata që u shqetësuan se shefat e pavioneve caktoheshin ende me ndërhyrje politike, apo se tenderat vazhdonin ë të njëjtën mënyrë. Ashtu sikurse "reforma" në sistemin rrugor filloi me gjelbërimin e autostradave dhe me ndriçimin e aksit Rinas- Tiranë, si një vitrinë e gënjeshtërt për të hyrë në vend. Kjo goditje imazhi ishte shumë më e rëndësishme për qeverinë e re, sesa përfundimi i urave që të hanë kokën në rrugën Durrës –Kukës, apo se gropat e hapura në Unazën e Re të Tiranës, që po marrin jetë fëmijësh. Ky pra, është një nga problemet reale të kësaj qeverisjeje që përditë e më shumë po e sheh Shqipërinë  si një telajo piktori, ku duhet lënë me patjetër gjurmë, që po e koncepton vendin si një dekor, ku pak rëndësi ka ajo që ndodh, sepse perceptimi qenkësh i vetmi realitet.

Në fakt edhe gjatë qeverisjes së tij lokale në Tiranë, kur është gjendur përballë të njëjtave kritika, Edi Rama e kishte një përgjigje. Ai ngrinte lart ndikimin e pushtetarëve të vendeve të varfëra, që i japin qeverisjes së tyre një dimension estetik: ashtu "sikurse ajo gruaja që e ka shtëpinë bosh, por megjithatë, bën makiazh dhe vë buzkuq, përpara se të dalë në publik", thoshte atëherë ai.  

Por këtë herë kryeministri duhet ta dijë se Shqipëria nuk është Tirana, se kohët kanë ndryshuar dhe se mbi të gjitha, në politikë përsëritja e të njëjtës fabul, nuk rezulton gjithmonë e sukseshme. Prandaj, ai mund të përkujdeset për urën e Goricës, për sheshin para Universitetit, për qendrat e qyteteve, për pemët anës rrugëve apo për ndriçimin e bardhë përkrah tyre. Dhe kjo nuk është detyrimisht diçka e keqe. Por ama, nuk është puna e tij reale, është thjeshtë një zgjatim i pasionit  të mbetur përgjysëm, atij të piktorit.  

Prej Ramës kërkohet tjetër gjë. Ata që e zgjodhën nuk i dhanë mandat për të kuruar komplekset e së shkuarës, as për ta mbuluar mjerimin me buzëkuq. Ata dhe ne të tjerët do ta masim, pas pak më shumë se dy vjetësh, me atë që prodhon dhe jo me atë që shet. Ndaj dhe më shumë se nga imazhet e Shqipërisë së ndryshuar që poston herë pas here në Facebook, ai do të gjykohet nga ajo që nuk do të arrijë dot të bëjë.

Lapsi.al

SHKARKO APP