Ca të ikin, ca të vetëvriten
Nga Frrok Çupi
A mund të ikin të gjithë?…
Ose: A mund të vetëvriten të gjithë? A mund të burgosen të gjithë? A mund të kastrohen të gjithë? A mund të gjobiten të gjithë?…
Këto pyetje po bëhen çështje bazike mes nesh.
Sa shumë pyetje të vijnë në kokë kur hyn në tunelin e shpirtit të pushtetit. Shpirtit?… A ka këtu shpirt?…Sidomos në shpirtin e pushtetit absolutist, i cili i bën të gjitha.
Të gjitha bëhen. Janë përgjigjur burra, mendimtarë, filozofë dhe shkrimtarë të mëdhenj dhe kanë thënë "Po, mundet!"
John Emerich Edward Dalberg-Acton, historian, politikan, dhe shkrimtar anglez, ka shkruar se: "Power tends to corrupt, and absolute power corrupts absolutely" ( Pushteti tenton të korruptojë, dhe pushteti absolut korrupton absolutisht).
Kjo është njëra anë: Pushteti. Ai bën gjithçka. Ana tjetër ndodhet në "fermën e kafshëve" të George Orwell. Shkruan Orwell:
"Sylesh, besnik, dhe punëtor, janë këto epitetet që i shkojnë për shtat këtyre kafshëve, të cilat bëjnë të mundur që shtypja të vijë jo vetëm nga motivet dhe taktikat e pushtetuesve, por edhe nga naiviteti i të shtypurve. Këta, para se të shkojnë në fermë, thërrasin: "Napoleoni ka gjithmonë të drejtë."
Atëherë çfarë po ndodh mes nesh? E kemi lënë fermën pas, apo jemi prapë në fermë? Kjo është çështja.
Teksa i dëgjoj "teoricienët" që thonë se "ferma është e tejkaluar", më vjen të mendoj se këta që e thonë nuk janë veç të çmendur apo lëpirës. Më vjen të them se këta kënaqen tek shikojnë fermën dhe iu thonë "syleshëve", sipas Orwell, se nuk jeni në fermë, "mos iu bëjnë sytë".
Ja tek i shikoni që pushteti absolutist " i ka korruptuar absolutisht". Pushteti i ri me rrënjë në komunizëm, ka mbërritur në pikën dominante korruptive:
Së pari, i ka vënë të mundurit e djeshëm në pozitën e re të të munduarit. Ka ndryshuar veç ferma. Këta nuk kanë për të paguar energjinë dhe shkojnë në burg. Para dy ditësh një nga të munduarit deklaroi se shkonte në burg vullnetarisht. Ose edhe në burg kryejnë vetëvrasje. Të munduarit duhet të paguajnë faturat e rënda të haraçit për qeverinë, por nuk arrijnë. Atëherë ia japin vetes. Parajsa më e mirë e të munduarve.
Pastaj ndjehen të munduar pse shikojnë që iu ngrihet para syve figura e diktatorit, bunkerët, tribunat, piramida, "lavdia", totemi, mënyrat. Qeveria e ish- komunistëve kënaqet tek i shikon njerëzit të munduar dhe krijon mijëra mënyra
Së dyti, të munduarve iu është bërë jeta e pamundur në atdheun e tyre. Po ikin në Europë, apo ku t'i çojë rruga. Tragjedia e re europiane e migrimit ka brenda edhe vuajtjen e shqiptarëve. Shqiptarët janë kombi i dytë pas sirianeve në migrim. Po sirianët ikin pse janë në luftë. Shqiptarët ikin se janë në mundim. Të munduarit janë ushqimi më i mirë për regjimet e vjetruara absolutiste. Analistë të mediave perëndimore po shkruajnë se "këta vijnë nga vdekja e shkojnë në vdekje".
Prapë qeveria absolutiste kënaqet, aq më shumë, pse ikin. Po ikin ata që "nuk na duhen". Po vetëvriten ata që "nuk na duhen". Këta nuk votojnë për ne, le të ikin andej ose më tej!- thonë qeveritarët që i kanë rrënjë e dhëmballë në komunizëm. Bij byroistësh, ose bij të mafiozëve komunistë. Këta qeverisin sot dhe këta dinë ta ndajnë hesapin: Ata që duhet të ikin dhe ata që duhet të mos jenë!
Jo. Dikush do të pranohet. Qeveria absolutiste po bie dakord që të strehojë emigrantë sirianë; tu marrë edhe pak bukë të munduarve shqiptarë dhe tua japë të tjerëve. Mirëpo as ata nuk janë të pranuar. Sepse sirianët nuk kanë asnjë të drejtë, ata as votojnë, as protestojnë; janë të mirë për ne. Komunizmi edhe kur ishte herën e parë, ka luajtur me "ata që nuk janë". Shqiptarët ishin në izolim, d.m.th., në fermë (d.m.th., nuk ekzistonin), por edhe të ardhurit nuk ishin. A ishin kinezët?, a ishin mongolët?, a ishin vietnamezët?… Ata as votonin, as rrezikonin pushtetin e komunistëve shqiptarë. Njësoj si sirianët që do të pranohen në Shqipëri.
Të tjerët ikin… Këtu nuk do të ketë më njeri. Ca do të ikin, ca të tjerë nuk do të durojnë më…
Atëherë do të mbeten veç ata që duhet. Këtu do të mbeten ministrat, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, që janë njerëzit më të korruptuar në Glob. Do të mbeten deputetët, por jo të gjithë; veç ata deputetë që do të dinë të shërbejnë me paratë e korrupsionit dhe me armët e krimit. Të përdorurit u përdorën dhe tani do të hidhen. Këtu në Kuvend nuk ka të munduar, si në fermë, por ka të përdorur. Do të mbeten trafikantët dhe kriminelët profesionistë..
Do të mbeten edhe disa nga ferma, pra ata që do të duan të jenë syleshë dhe do të votojnë me gjithë zemër!
Ndërsa të tjerët janë planifikuar si të paqenë. O të ikin, o të mos jenë askund.
…. Ja pra që kishte të drejtë edhe Baroni Acton kur tha se "Po, mund të ndodhë!…" që të gjithë "të korruptohen absolutisht". Mund të ikin të gjithë, mund të vetëvriten, mund të burgosen, mund të kastrohen,… të gjithë. Atëherë qeveria do të jetë mirë.