Çamët bëjnë thirrje: Të bojkotojmë të gjitha produktet greke
Përfaqësuesit e komunitetit çam, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Shoqata Çamëria, kanë paralajmëruar sot për protesta ekstreme kundër negociatave që po zhvillohen mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Reagimi i çamëve vjen pas qëndrimit të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotsias, i cili tha se në marrëveshjen mes Athinës dhe Tiranës nuk do të përmendet çështja çame. Ky vendim i diplomacisë së dy vendeve ka bërë që PDIU dhe Shoqata Çamëria ta cilësojnë fshirjen e çështjes së tyre si tradhti kombëtare.
Në qëndrimin zyrtar të PDIU thuhet se shumë shpjet do të nisin protesta ndaj qeverisë “Rama” dhe Greqisë. Fillimisht do të thirren protesta për bojkotimin e gjithë produkteve që vijnë nga Greqia. Deklarata zyrtare e PDIU njofton se nëse nuk ka reflektim nga qeveria shqiptare, shumë shpejt do të nisin dhe protestat ekstreme të çamëve dhe gjithë shqiptarëve. PDIU thekson se shqiptarët do të dalin në protesta dhe aty do të kuptohet se kush është Esadisti i vërtetë, duke nënkuptuar shitjen e çështjes çame nga qeveria “Rama”.
“Shoqata Çamëria dhe PDIU, bën thirrje qe z.Bushati dhe z.Kotzias te zgjidhin me dialog e në frymën e fqinjësisë se mirë këtë çështje sepse ne po presim me durim, po në rast te kundërt do të përballen me reagimin tonë të ashpër e me protesta dhe me të gjitha format e revoltës së ashpër te njerëzve që kanë kaq vite që presin me shumë durim, por qe s’mund të durojnë fyerjen e tragjedisë së të parëve. Ne do ti bëjmë thirrje shqiptarëve të bëhen pjesë e një proteste civile, e që në fillim të bojkotojnë produktet greke në treg dhe bankat greke si hapin e parë, por që më pas do ketë shumë forma të tjera më të ashpra e radikale. Dinjiteti ynë vlen më shumë se kaq, e protesta jonë do kalojë kufijtë e parashikimet e tradhtarëve të kësaj Çështje. Shqiptarët do kuptojnë cilët janë patriotët e cilët janë Esadistët”,– thuhet në deklaratë.
Duke ju referuar qëndrimeve të dy ministrave të jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kostias, PDIU thekson se është gati të asistojë në bisedime duke sjellë ekspertizën më të mirë ndërkombëtare në zgjidhjen e problemeve të ngjashme, siç është çështja çame. Nga ana tjetër, PDIU kërkon që ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati të përmbush detyrimet kushtetuese në mbrojte të interesave të shqiptarëve. “Ne kërkojmë që z.Bushati të plotësojë me përgjegjshmëri kushtetuese e njerëzore detyrimet e tij. Shoqata Çamëria e PDIU është e gatshme ta asistojë e të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, por deklarimi se pala greke nuk pranon bisedimet, është justifikim i pamoralshëm e tradhti e Çështjes Kombëtare. Ftojmë z.Kotzias, të jetë i kujdesshëm në deklarimet e tij e mos te jetë i vetëkënaqur sepse Çështjen Çame, Çamët, të vrarët, Gjykatat Ndërkombëtare, por edhe gjyqin e Historisë, do ti ketë përballë gjithmonë, e duhet ta ketë fort të qartë, se jo gjithmonë do ketë përballë shtetarë servilë e të intimiduar që tjetër thonë në Tiranë, e tjetër në Athinë”, deklaron PDIU dhe Shoqata Çamëria.
Reagimi i ashpër i përfaqësuesve të komunitetit çam vjen sot pas qëndrimeve që kanë shprehur në media dy ministrat që po negociojnë. Ministri grek tha se çështja çame nuk është përmendur fare në bisedime dhe nuk mund të jetë pjesë e marrëveshjes. Ndërsa ministri Bushati tha se palët kanë qëndrime të ndryshme lidhur me çështjen çame. Praktikisht qeveria shqiptare duket se e ka shitur çështjen çame për hir të interesave politike të momentit.
Nga burime nga kampi çam thuhet se ka patur kërkesa për të bllokuar që në kufi makinat me mallra greke, por për momentin nuk është pjesë e planit të rezistëncës çame për të shkuar në Kakavijë, Qafë Botë dhe Kapshticë. Në ditë në vijim edhe kjo protestë me mijëra çam do zbatohet. Ndërkohë policia ka rritur masat e ruajtjes pranë ambasades greke dhe rezidencës së ambasadorit grek, pas TEG.