Çarja e re e së majtës, plani për polin e tretë

Një skenar për krijimin e një poli të ri politik brenda së majtës po krijohet gjithnjë e më i qartë. Të mbetur jashtë zonës së pushtetit aleatët historikë të Partisë Socialiste janë në kërkim të formave të reja për t’i bërë presion selisë rozë. Kryetari i Partisë SocialDemokrate, Skënder Gjinushi, thuajse e ka zyrtarizuar dje bashkëpunimin me Tom Doshin. Në një konferencë për mediat dhënë në qytetin e Shkodrës, Gjinushi la të kuptohet se Doshi ishte i mirëpritur në forcën e tij politike. Deklarata, por edhe vendi i zgjedhur, ishin mesazh më shumë se i qartë. PSD-ja e Gjinushit në zgjedhjet e fundit ka marrë  500 vota në gjithë qarkun e Shkodrës. Ndaj nuk mund të cilësohet si një prej zonave elektorale më të forta të tij. E megjithatë, ai ka zgjedhur që sulmet ndaj qeverisë dhe aleatit kryesor të PS-së, kreut të LSI-së, Ilir Meta, t’i bëjë pikërisht nga Shkodra. Më shumë sesa një vizitë rutinë, vajta e Gjinushit në Shkodër ishte një mbështetje e hapur ndaj Tom Doshit, teksa tha se nëse ai arrestohet për kallëzim të rremë, shumica e deputetëve të tjerë duhet të hyjnë në burg për të njëjtën arsye. Dhe Gjinushi është kockë e vjetër në të majtën shqiptare. Ose “një ujk “ i vjetër që luan edhe pa top.

Mbështetja e  deputetit shkodran Doshi nga Gjinushi nuk ka qenë sinjali i parë i afrimit në një forcë politike. Një javë më parë u publikua një foto që dëshmonte takimin e Dritan Priftit me Skënder Gjinushin. Vetë Prifti ka deklaruar se është gati të rikthehet në politikë, por pa saktësuar se me cilën forcë politike. Në LSI, dyert i janë mbyllur njëherë e mirë që pas sherrit me kreun e saj Ilir Meta. Në Partinë Socialiste, sërish për shkak të Metës, askush nuk mund ta garantojë se selia rozë mund ta pranojë në gjirin e saj. Tek Partia Demokratike për shumë arsye nuk shihet më si njeri që mund të përfaqësojë të djathtën. Por ku ndodhet Dritan Prifti, duket se është dhe Tom Doshi. Jo vetëm për shkak të një biznesi të përbashkët, por edhe sepse po t’u besojmë deklaratave të LSI-së, gjithë historia e “komplotit të vrasjes” zë fill nga këta dy persona.  Doshi ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga politika. Me Ramën, marrëdhëniet thuajse kanë përfunduar. Ndërsa me Partinë Demokratike, përveç se kanë një “armik” të përbashkët, Ilir Metën, duket se për momentin nuk i lidh asgjë tjetër. Krijimi i një partie të re, në momentin që Doshi është nën akuzë, duket se është një mision që kërkon më shumë energji sesa në rastet e tjera. Në këtë mënyrë, PSD-ja e Gjinushit, edhe pse një parti që s’e ka peshën e dikurshme elektorale, duket se është një zgjidhje. Dhe pikat e përbashkëta mes Doshit, Priftit dhe Gjinushit nuk mungojnë. Për arsye të ndryshme, të tre problemin dhe telashet politike i kanë me LSI-në dhe kreun e saj. Për Gjinushin, koalicioni i PS-së me LSI-në ishte më i gabuari i Edi Ramës. Kjo sepse i hoqi mundësinë që të ishte forcë e dytë tek e majta, por edhe sepse praktikisht e ka lënë pa asnjë post në gjithë strukturën shtetërore. Gjinushi, Doshi dhe Prifti kanë qenë në një gjatësi vale kur kanë kritikuar reformat e qeverisë dhe mënyrën sesi po drejton vendin kabineti “Rama”. Por sulmi nuk është orientuar nga PS-ja, sesa direkt  tek LSI-ja. Prej kohësh, aleatët e pakënaqur me Partinë Socialiste kanë hedhur idenë e krijimit të një poli të ri të majtë. Qëllimi është minimizimi i rolit të lakmuar të LSI-së si forca e tretë dhe detyrimi i Parisë Socialiste për të kthyer sytë nga ish-aleatët e dikurshëm. Sigurisht, një kamp i ri nuk mund të ndërtohet me tre emra, sado suport ekonomik që të kenë. Hapja e lojës mund të fus në listë dhe emra të tjerë që janë të pakënaqur nga qeverisja aktuale. Një ofertë për krijimin e një poli të tillë u është bërë dhe forcave të tjera të koalicionit të majtë. Madje, takime janë zhvilluar dhe me parti të djathta që duan të qëndrojnë gjatë në opozitë dhe në varësinë e Partisë Demokratike. Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe pavarësisht se nuk kanë të njëjtën rëndësi politike si zgjedhjet parlamentare, loja për ndryshimin e balancave politike PS-LSI duket se ka nisur. Historia e akuzave me vrasje ka edhe një efekt politik, dobësimin e koalicionit qeverisës. Krijimi i të ashtuquajturit “poli i tretë”, nëse do të realizohet, një efekt e ka të garantuar, çarjen e re të së majtës. Edhe Paskal Milo duket se po vëzhgon se çfarë mund t’i lerë Rama ,por duket larg asaj që mund t’i hedhë në “pjatë” kryesocialisti.

Gjithsesi krijimi i një “Polit të tretë” do ta dobësojë PS-LSI, sepse në disa bashki mundet që për pak vota të vendoset fati i kryetarit të Bashkisë. Në Shkodër, në Lezhë, Fier e mundet edhe në Vlorë “Poli i Tretë” krijon jo pak probleme . Në një garë elektorale përveç emrave e partive ka të bëjë edhe fuqia financiare e ndaj Prifti-Doshi nuk janë pa forcë financiare.Tom Doshi është miliarder i shpallur dhe deputeti me më shumë lekë të deklaruara. Në këtë situatë ku ai ndodhet nuk e ka për gjë të harxhojë vetëm e vetëm që të dërmojë LSI e natyrisht edhe PS-në. Skender Gjinushi e ka llogoritur mirë në matematikën e tij ekselente se do të jetë si një “Pol i Tretë” , porse mundet edhe një parti direkt pas partisë së çamëve.

Është edhe pak herët të kuptosh matematikën e Skender Gjinushit, pasi edhe në PS nuk e kuptonin mirë kur iu duhej matematika e tij. E duket se në ato bashki ku ka kandidat LSI ata do të luftojnë fort duke hequr vota Ilir Metës. Kjo sipas llogarisë së Gjinushit.

Qamil  Xhani

SHKARKO APP