Ç’do bëjë PD pas refuzimit?
Tre ditë më parë Partia Demokratike dhe aleatët e saj vendosën si kusht për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe vijimin normal në Kuvend, votimin elektronik në 18 qershor. Kreu i PD-së, Lulëzim Basha tha se, ky ishte një nga kushtet e panegociueshme. Dje, Partia Socialiste e rrëzoi këtë kërkesë të PD-së në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Parimisht socialistët ishin dakord, por para zbatimit të projektit elektronik të zgjedhjeve, kërkuan të merrej dhe opinioni i OSBE/ODIHR. Por sipas PD-së nuk ka nevojë për mendim të ekspertëve ndërkombëtarë për këtë çështje dhe kjo vendimmarrje i takon Kuvendit. Në këtë pikë palët nuk kanë gjetur konsensus. Partia Socialiste zyrtarisht e rrëzoi në komision kërkesën e PD-së për votim elektronik. Ndërkohë, Partia Demokratike bojkotoi punimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore duke e cilësuar këtë vendim si “vrasje të reformës në drejtësi”. Në kronikën e djeshme politike të debateve PS-PD në komision nuk ndodhi asgjë që nuk pritej nga mazhoranca. Partia Socialiste ka deklaruar prej kohësh që votimi elektronik nuk mund të realizohet për pesë muaj. Në fund vendosi që të mos zbatohet. Ndërkohë edhe LSI, me anë të Kreut të Grupit Parlamentar, Petrit Vasili e cilësoi kërkesën e PD-së për votim elektronik si jo të domosdoshme për t’u zbatuar. Sipas Vasilit, ka shumë vende në BE që nuk e kanë numërimin elektronik dhe zhvillojnë zgjedhje me standarde.
Në këtë situatë, ku qëndrimi i mazhorancës dihet tashmë ka vetëm një element të panjohur; çfarë do të bëjë Partia Demokratike pasi kushti kryesor iu rrëzua? Nëse vërtetë vendos bojkotin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, kjo do të ishte një minus politik për të djathtën. Edhe pse PD e ka marrë seriozisht çështjen e votimit elektronik, në realitet është një kauzë që nuk bind. Kjo sepse votimi elektronik është një projekt i nisur që në zgjedhjet e vitit 2009, kur pushteti dhe KQZ-ja ishin të Partisë Demokratike. Në ato vite u hodhën miliona lekë për të provuar në disa qarqe sesi do të funksiononte votimi elektronik, apo identifikimi elektronik. Rezultati ishte që nuk pati asnjë makinë elektronike që të vihej në funksion. Ashtu si sot, edhe para disa vitesh debati PS-PD bëri që paratë të shpërdoroheshin pa adresë. Tani PD po kërkon që një projekt, i cili për 7 vjet nuk u realizua të bëhet gati në gjithë vendin për 6 muaj. Praktikisht është e pamundur. Teknikisht edhe sikur të kryhet nuk ka garanci se teknologjia mund të shmangë manipulimin, që ka frikë Partia Demokratike.
Që në fillim kur PD-ja e vendosi si kusht numërimin elektronik e dinte që do të merrte refuzimin nga PS. Por siç duket nuk kanë menduar lëvizjen e radhës. Tani ndodhen para faktit të kryer; PS e refuzoi. Ç’do të bëjë PD? Do bëjë sikur nuk e tha se nuk futet në zgjedhje pa votim elektronik apo do t’i qëndrojë stoike asaj që ka deklaruar.