Ç’do të ndodhë nesër (sot) me Tom Doshin?

 

Nga Andi Bushati.

Që prej shpërthimit të deputetit të Shkodrës kundër kryeministrit Rama lajmet për këtë ngjarje kanë qenë të pafundme. Si gjithnjë telenovela të tilla brenda kampit rozë ngjallin kërshëri tek spektatorët. Por ajo që mund të vihet re me çudi është fakti se komentet dhe opinionet e firmosura për këtë ngjarje nuk numërohen dot as me gishtat e njërës dorë. Dhe për këtë ka një përgjigje të thjeshtë: sepse ata që në këtë konfikt janë me Ramën, i tremben hijes së rëndë të deputetit Doshi, ndërsa ata që janë me këtë të fundit, i friksohen peshës së opinionit publik. Kështu kjo situatë ka prodhuar një anomali: që megjithëse të bombarduar me news-e, lexuesit  kanë mbetur kureshtarë për atë që mund të ndodhë në mbledhjen e paralajmëruar të së hënës.  Pyetja një milionëshe është: do të përjashtohet apo jo nga PS-ja deputeti rebel i veriut?

Nëse ndjekim trajektoren e qëndrimeve të Edi Ramës, përjashtimi Doshit do të ishte një fakt i kryer. Dhe kjo për disa arsye. Për shumë më pak sesa kaq, në radhët e PS-së tanimë nuk bëjnë pjesë as Kastriot Islami (i përjashtuar) dhe as Arben Malaj (i eleminuar). Ata dhe të tjerët të ngjashëm, as nuk e kishin etiketuar ndonjë nga drejtoreshat e Ramës si  të korruptuar apo baroneshë droge, as nuk e patën shigjetuar ministrin e brendshëm si përdorues narkotikësh dhe as nuk kishin shpallur se disponojnë ndonjë fakt që kur të bëhet publik do të trondisë themelet e kësaj mazhorance.

Ata thjeshtë kishin munguar në ndonjë votim parlamentar dhe kishin artikuluar ndonjë kritikë pak më të ashpër dhe për këtë kontributet e tyre në familjen socialiste u zeruan.

Rama do të duhet të ndiqte rrugën e përjashtimit edhe për arsye historike. Shpesh herë duke e komentuar periudhën e PS-së përpara tij, ai e ka quajtur katharsisin nanoist si një nga plagët më të mëdha të kësaj partie dhe është betuar se gjatë drejtimit të tij, një “telenovelë” e tillë s’ka për të ndodhur më kurrë. Ndaj dhe tani kur para më shumë se një deputeti socialist ai e ka shpallur se Tom Doshi «po sulmon për arsye personale» nuk ka asnjë motiv të tolerojë një variant të ndryshëm të së njëjtës telenovelë.

Rama do të duhej të tregohej i vendosur edhe për faktin e thjeshtë se ai është vënë përpara një sfide. Deklaratat e Doshit se ato që di ai mund ta shembin këtë shumicë, i kanë dhënë fre fantazisë popullore. Mjafton të shikosh në rrjetet sociale dhe pyetjet që ngrihen janë nga më halucinantet: ç'kanë bërë bashkë më 21 janar? A kanë ndarë para? A kanë ndërhyrë të trafiqet e njëri- tjetrit? A mund ti nxjerrë Doshi ato që di dhe deri ku mund të shkojë? Pra të gjitha këto hamendësime kanë ngritur përpara kryeministrit pikëpyetjen: deri në ç‘pikë ai mund të jetë i shantazhueshëm?  Nga mënyra se si do të reagojë me këtë rast, Rama do të japë përgjigje edhe për këtë pyetje.

Sepse në fakt ashtu si dhe për shumë fusha të tjera edhe brenda PS-së, Rama ka vepruar me dy standarte. Ai është sjellë në mënyrë të vrazhdë me deputetët e PS që vinin nga një sfond intelektual  duke u treguar i pamëshirshëm me ta dhe krejt i ndryshëm me ata që mbanin mbi supe spaletat e të fortit. Mjafton të kujtosh paralajmërimin e tij publik për deputetin Froku se do të përjashtohej nga grupi nëse nuk kërkonte falje për fjalorin e rëndë ndaj zonjës Topalli. Frroku e sfidoi dhe Rama u tërhoq me bisht ndër shalë.  Mjafton të kujtosh se si veproi me deputetët që në kohën e opozitës thyen betimin dhe shkuan e votuan për zgjedhjen e Bamir Topit president. Mjafton të kujtosh se si “i fali” deputetët socialistë që u larguan njëherë nga PS-ja dhe më pas u kkthyen pa i hyrë gjemb në këmbë (mes tyre dhe Tom Doshi).

Edhe mënyra se si u soll fillimisht me Doshin duke i dërguar për qetësim mikun e tij të ngushtë Kokëdhima, flet për të njëjtën gjë. U duk se për një çast gjakrat do të uleshin. Madje Koço pati guximin e nxori nga goja edhe thënien se të gjitha akuzat me baronë droge, me themele te shembura, me drejtoresha të korruptuara me Xhoana e Shkëlzenë që ringjallen këtë herë me lëkurë rilindjeje, paskan qenë thjeshtë “gjaknxehtësi ballkanike” . Edhe vazhdimi i kësaj telenovele me të dërguarin e fundit për pajtim, ministrin e brendshëm, flet për të njëjtën gjë: ndërkohë që logjika politike i thotë të ndahet me Tomën, ankthi i tij, kompleksi ndaj një kategorie dhe e shkuara e përbashkët ndoshta e shtyjnë të kërkojë paqe me Doshin. Dhe këtu qëndron në fakt edhe dilemma e asaj që do të zhvillohet nesër në arenën e PS. Më shumë se një pikepyetje për fatin personal të deputetit të Shkodrës ajo do të jetë një skenë ku do të shohim se si do të luajë Rama. Se si do të veprojë ai? Nëse do të dijë ti përmbahet logjikës politike, nëse do të dijë të jetë koherent me ato që ka thënë, apo në fund të fundit, nëse është i aftë ti rezistojë shantazheve?  

SHKARKO APP