Çfarë deputetësh!
Nga Nikoll LESI.
Të gjithë e dijnë se parlamenti në vend që të jetë kuvendi i njërëzve të ditur,profesionistë e atdhetarë ka tetë vite që është kthyer në strehë e mafias, krimit, njërëzve të paditur, njërëzve që vijnë për të vjedhur dhe atyre me diploma fallso apo të “fortëve”, por pa asnjë mend në kokë. Dhe kur mendon se nga parlamenti burojnë gjithë pushtetet e tjera si Presidenti, Qeveria, Gjykata Kushtetuese ,Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit , Kontrolli i Shtetit e një mori institucionesh të tjera kushtetuese e jo kushtetuese dhe niveli i deputetëve është siç thamë më sipër të vjen turp për nivelin ku ka rënë institucioni që del nga votat e popullit. Një turp të tillë e filloi në vitin 2005 Fatos Nano, asokohe kryeministër dhe kryetar i PS-së. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 zoti Nano në një krizë të thellë identiteti e pas një qeverisje krejtësisht të korruptuar e familjare donte t’i fitonte me çdo kusht zgjedhjet. E në vend që ti drejtohej mendjeve të ndritura e dinjitoze të së majtës ai nuk pranoi as koalicione mes partive të frontit të majtë, por iu drejtua krimit, “të fortëve”, njërëzve me lekë që ose ruanin votat ose i vidhnin siç ka bërë PD-ja në vitin 1996. Nëse deri në vitin 2005 ky soj deputeti i sotëm, as që e endërronte se mund t’i ofrohej sallës së Kuvendit të Shqipërisë, me Fatos Nanon hyri mu në sallën e parlamentit! Por rrinin si nën gjemba këto deputetë, pasi e ndjenin se ishin brumë tjetër nga i shumicës së sallës së parlamentit; ishin të fortë për të vjedhur e për të rrahur, por nuk dinin as të shkruanin dy fjalë e jo më t’i lexonin në podiumin e Kuvendit. Gjithsesi rrinin si të veçuar, pa shumë zhurmë.
Këtë soj deputeti Shqipëria e ka dhuratë nga Fatos Nano. Duhet pranuar se Sali Berisha këtë kategori deputeti nuk e futi në sallën e parlamentit. E përdori tek SHIK-u apo diku tjetër me dajak në dorë, por deputetë nuk i futi. Duke qenë si “grami” nëpër ara ky soj deputeti filloi e u drejtua në karriket e Kuvendit, lëshoi rrënjë dhe nga pak zaptoi shumë karrike deputetësh. Në zgjedhjet e vitit 2009 edhe Edi Rama nuk i bëri naze kësaj kategorie deputeti dhe ia blindoi karriket, pak më fort se Fatos Nano. Nuk vonoi e duhej edhe Rama të vinte në pushtet , me çdo kusht. Iu drejtua dy deri në trefish si numër kësaj kategorie deputetësh, të cilët , dikur, i mori Fatos Nano nga rruga. Ligji kishte ndryshuar dhe listën e bënte kryetari i partisë e jo votuesi, ndaj Edi Rama në vitin 2013 iu nënshtrua këtyre “të fortëve”, të cilët erdhën në parlament, por nuk donin më “copa mishi”. E donin “viçin”me gjithë kocka! Fatkeqsisht edhe Sali Berisha, si për inat të Ramës, futi edhe ai nga kjo kategori deputeti, por jo kaq shumë sa solli Edi Rama. U rrit numri i tyre dhe nuk pyesnin më as Edi Ramën e Sali Berishën . Donin më shumë,donin të diktonin politikën. Donin pushtet. Donin të jepnin edhe mend ! Këtu plasi sherri, pasi Edi Rama, jo se është kryeministër, por nga geni e kultura është një mijë breza larg kësaj kategorie. Edhe Sali Berisha. Por ata, deputetët e "fortë", janë në sallë. Aty,deri në vitin 2017. Nuk duhen më për idetë e Ramës, që duhet pranuar po punon me një pasion ekstrem për një Shqipëri tjetër, ndonëse është edhe pak herët për të filluar kritikat, sepse pa kaluar dy vite qeverisje nuk mund të gjykosh një qeveri. Deputetët janë në sallën e parlamentit e nuk i largon dot. Dhe nuk janë pak. Të ishin dy apo tre edhe mund ta gëlltisesh këtë fakt, porse janë shumëfishi i numrit tre! Ka një mënyrë, ndonëse është paksa më hile politike, por duhet pranuar se propozimi i Lulzim Bashës mbetet një mënyrë për ta pastruar edhe tani parlamentin. Por edhe për zgjedhjet e tjera.
Mund të kenë këndvështrime të ndryshme Edi Rama e Lulzim Basha, por nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë botë krimi që ka hyrë në parlament. Natyrisht me firmën e PS dhe PD,por ama ngjarjet e këtyre muajve mjaftojnë për të kuptuar se nuk mundet më me një parlament të tillë, jo cilësor e kriminal. Aqsa në Shkodër, këto ditë, qeshnin kur tregonin deputetët shkodranë në parlamentin e vitit 1923 me Mjedën, Gurakuqin, Mosin, Çoben, etj dhe i krahasonin me disa emra të deputetëve të vitit 2015, por për Shkodrën. E kështu e gjithë Shqipëria e vitit 2015 përfaqësohet në parlament; me deputetë me diploma fallso, me deputetë që kanë blerë nga dy diploma të shkollës së lartë e më pas janë kujtuar se nuk kanë filluar as shkollen e mesme, me deputetë të cilët nuk dalin jashtë shtetit se i arrestojnë,….! Që të jemi korrekt ka plot deputetë, nga të dyja anët, të cilët janë të shkelqyer, por që iu bëjnë hije këta, " të fortit" e pa shkollë e me CV kriminale.
O njërëz të dijes në politikë! Pastrojeni këtë parlament dhe mos lejoni më që krimi të ulet këmbëkryq në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Lëreni inatet politike ! Shpëtoni vendin, por edhe veten nga litari i kësaj kategorie!
Shenim:
Deputetët e vitit 1923 për Shkodren ishin këto:
1-Ndre Mjeda
2-Luigj Gurakuqi
3-Hil Mosi
4-Nush Bushati
5-Pjeter Bumçi
6-Shuk Gurakuqi
7-Xhemal Bushati
8-Luigj Koliqi
9-Iljaz Muka
10-Ibrahim Gjyrezi
11-Halid Rroji
12-Hafiz Rapishti
13-Ambroz Marlaskaj
14- Gjon Çoba (Senator dhe anetar i Keshillit te Larte te Shtetit)
Deputetët e Shkodres viti 2015 janë këto:
1-Agron Çela
2-Gjovalin Bzhetaj
3-Helidon Bushati
4-Jozefina Topalli
5-Mark Frroku
6-Mimoza Hafizi
7-Namik Kopliku
8-Nard Ndoka
9-Paulin Sterkaj
10-Tom Doshi
11-Voltana Ademi
Shikojeni vitin 1923 dhe vitin 2015!