Çfarë fshihet pas akuzave për korrupsionin e Metës

 

 

Nga Andi Bushati.

Debati lidhur me akuzat korruptive mbi Ilir Metën në aferën e CEZ, ka shkuar larg, tepër larg. Të gjitha palët e përfshira në lojë i kanë çuar në ekstrem qëndrimet e tyre duke iu larguar gjithnjë e më shumë fakteve.

Nga njëra anë Partia Demokratike (që në rastin më të mirë është po aq fajtore sa edhe partneri i saj i koalicionit qeverisës) e quan krimin tashmë të kryer dhe kërkon dorëheqjen e kryeparlamentarit. Po ashtu edhe ish kryeministri Berisha, i cili arriti në absurd me argumentin se nuk kishte dijeni se ç'bëhej në qeverinë e tij, ka larë duart nga përgjegjësitë e veta dhe ulëret kundër Metës. Ndërkohë që po të shihen dëshmitë e drejtuesve të lartë të ÇEZ, ato fajsojnë Metën po aq sa Berishën.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Ilir Metës dhe e njerëzve të tij është qesharake dhe e pabesueshme . Ajo tenton t’i shmanget thelbit të problemit duke prodhuar alibi anësore. Fillimisht vetë Meta deklaroi se emri i tij nuk ishte përmendur dhe se vendi kishte pasur edhe shumë ish kryeministra të tjerë. Pastaj aleati i tij i koalicionit, Rama tha se për partnerin e tij nuk kishte asnjë fakt konkret. Më pas një gazetë pranë Metës nxorri nga gjumi i kujtesës emrin e Vilson Ahmetit, ish kryeministrit të qeverisë së parë të tranzicionit 1991. Gazeta pretendonte se bëhej fjalë për të, kur përdorej termi “ish kryeministër i akuzuar për korrupsion”.  Pastaj iu mor një deklaratë njërit prej avokatëve të studios së famshme Clifford Chance, i cili thoshte se nuk e kishte përmendur Metën me emër.

Shikoni sa e çuditshme: filimisht kryeparlamentari nxorri në sallën e Kuvendin një dokument ku thuhej se kompania avokatore që do mbronte shtetin shqiptar në arbitrazh ishte pajtuar në kohën e PD-së. Pra nënteksti qe i qartë, ajo mund të jetë manipuluar nga opozita e sotme. Ndërsa më pas sillen deklarata të po kësaj studioje që tregojnë mosimplikimin e Metës.

Por pavarësisht nga këto pozicione të skajshme të palëve, thelbi i aferës së CEZ-it përmblidhet në ato dy momente kryesore që ka hulumtuar me kujdes agjensia e lajmeve BIRN. Së pari, a ndikoi Ilir Meta pranë çekëve të CEZ-it që këta të fundit të pajtonin si nënkontraktor mikun dhe klientin e tij Kastriot Ismailaj, për të mbledhur paratë e paarkëtuara të kompanicë çeke?

Kjo pandehmë e parë anashkalohet me qëllim sepse për të ka më shumë se një fakt. Ato nuk lidhen vetëm me njohjen e Metës me Ismailajn, por edhe me lobimin që shefi i LSI-së bëri deri në Pragë për t'ia dhënë këtë biznes mikut të tij. Nëse kjo akuzë vërtetohet, ajo e bën Metën fajtor se ka përdorur postin qeveritar për të lobuar interesat e tij private. Ajo e godet gjithashtu edhe moralisht, sepse Ismailaj, që sot është burgosur me akuzën për pastrim parash, i kërkon përmes arbitrazhit takasapaguesve shqiptarë 130 milionë euro.

Pandehma e dytë ka të bëjë me një shumë prej 1.5 milionë eurosh që kompanisë së Ismailajt iu dhanë për të bërë një studim fiktiv tregu. Por agjensia BIRN hedh dyshimin se këto para janë përdorur për të korruptuar bordin e ERE-s, i cili në dhjetor 2010 mori vendimin për t'u shitur çekëve  energjinë e prodhuar nga KESH me një çmim  27 për qind më të lirë (nga 2.03 lek në 1.48 lek) Vetëm nga kjo aferë e dyshimtë sipas BIRN shteti shqiptar (KESH) ka humbur rreth 30 milionë Euro.  

Këto janë pra dy dyshimet e mëdha të “pazarit” të supozuar Meta- CEZ. A e ka imponuar ish numri dy i qeverisë Berisha, mikun e tij Kastriot Ismailaj tek çekët (ashtu sikurse pohojnë disa dëshmitarë)? Dhe së dyti a ka lidhje ky imponim me skandalin e uljes së çmimit të energjisë shqiptare që blente kompania CEZ?

Çdo akuzë apo edhe çdo mbrojtje periferike që nuk ka lidhje me këto dy episode të kësaj afere, është një zhurmë e kotë e cila i shërben vetëm tymnajës mediatike dhe jo zbardhjes së asaj çka ka ndodhur. Por për një zbardhje të tillë me sa duket nuk është e interesuar as PD e aq më pak vetë Iliri Meta që vijon të prodhojë alibi. 

SHKARKO APP