Çfarë po përgatit opozita kundër kryeministrit pas datës 28 qershor?

Opozita ka deklaruar se mbështet hapjen e negociatave për dhënien e statusit kandidat për në BE të shtetit shqiptar. Pavarësisht kritikave dhe sulmeve ndaj qeverisë, dy partitë PD dhe LSI, pa lenë mënjanë edhe partitë e tjera të opozitës, janë shprehur se “ndonëse kemi një kryeministër të lidhur dhe peng të krimit të organizuar, përsëri më mirë të jap vendimin Brukseli pro statusit të ri të Shqipërisë”. Megjithëse opozita kishte në dorë përplasjen e revoltës popullore ndaj qeverisë, deri tani i ka stopuar veprimet e dhunshme. Arësyeja, sipas dy partive kryesore opozitare mbetet, ka të bëjë që boll gafa e krime ka bërë qeveria me vendin, por më mirë po durojmë që mos humbasim shansin për datën 28 qershor. Në datat 28 dhe 29 qershor në Bullgari mblidhen kryetarët e qeverive dhe shteteve për të vendosur, ndër të tjera, se çdo bëjnë me Shqipërinë.

Por nëse Shqipëria nuk e merr statusin kandidat, çdo të ndodhë mes qeverisë dhe opozitës? Ka plot informacione, por që mbahen sekret për reagimin opozitar pas datës 28 qershor. Në një farë mënyre sot e zbuloi planin e PD, deputeti i saj. Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Sigurisë, deputeti i PD Flamur Noka tha se Rama nuk ka ëndërr Europën, por ëndrra e tij është krimi dhe korrupsioni, ndërsa kërkon të kthejë Shqipërinë në Siri.

”Sot negociatat janë thuajse të pamundura, ndaj Rama për të hyrë në sytë e Europës është gati ta bëjë Shqipërinë Siri vetëm që ta shohin me një sy tjetër. Cila është rruga drejt Europës? Që të heqësh një ministër trafikant dhe të vendosësh një ministër që e ka vëllain trafikant. A mendoni se Europa mund të pranojë një Shqipëri me këto standarde? Ne si opozitë jemi këtu për t’ju thënë se pas datës 28 qershor marrëdhënie jonë me ju do ndryshojë. Nuk do pranojmë më që Rama të mbajë peng të ardhmen europiane të këtij vendi, nuk do të pranojmë që në këtë vend të ketë qeveritarë që nuk mendojnë për të ardhmen, por vetëm për karrigen e tyre dhe për thasët e tyre”,-tha Noka.

Edhe Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI ka thënë se po presim datën 28 dhe me pas do jemi në aksion brenda vitit për ta rrëzuar kryeministrin Rama.

Pra plani mbahet në sirtar, nëse dështimi i qeverisë në raport me BE, do jetë katastrofal për vendin. Me sa duket pas datës 28 qershor nuk do kemi verë të qetë, aq me tepër, vjeshta e këtij viti do jetë nga më kritiket e këtyre viteve.

Të paktën këtë thonë burimet nga selitë PD dhe LSI.

SHKARKO APP