Çfarë presim?… Atë që kishim

 

Nga Frrok Çupi

… Kjo do të thotë se koha na ka ngecur. Ose të paktën ne e shpenzojmë jetën në një realitet virtual. Në qoftë se presim atë që kishim, atëherë po rrotullohemi rreth vetes, rreth vetes, rreth vetes… pambarimisht. Atëherë jo vetëm ai që presim është ai që ishte, por edhe ne nuk jemi kurrë këta që jemi…

Kështu është, edhe pse e dhimbshme.

Teksa po dëgjoja mijëra komente mbi incidentin e Srebrenicës në Bosnjë Hercegovinë, thashë të bëja një stacionim e të gjykoja. Jo si në fenomenin e humbjes së realitetit, por bash për të parë si po e shikojnë realitetin. Mijëra pikëpamje, deri te ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton. Klinton tha se "po të kishte ardhur Vuçiç pak me vonesë, atëherë do të kishte shpëtuar nga sulmi". Edhe ish-presidenti amerikan, me të njëjtin rrotullim rreth kohës së ngrirë, ose kohës që ishte…

Me siguri nuk është harruar ajo çfarë ndodhi, aq më tepër në këtë zonë ballkanike ku koha, papritur,  ngurtësohet dhe nuk lëviz. Nuk lëviz, sidomos në nyjet më nevralgjike të fatit njerëzor… Me siguri e mbajnë mend çfarë ndodhi me datën 11 korrik, njëzet vjet pas masakrës së madhe. Më 11 korrik, këtë korrik, teksa përkujtoheshin 8000 viktimat e Srebrenicës, rënë në masakrën e vitit 1995, në ceremoni mbërriti edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Bash në atë sekondë u pa sa kishte ngrirë koha në Srebrenicë, në Bosnjë, në Serbi e në gjithë Ballkanin. Familjarë të viktimave të masakrës iu sulën kryeministrit serb me gurë, e plagosën, i thyen syzat, e vunë përpara me gjithë roje personale dhe e dëbuan me forcë.

Ja kështu ndodhi.

Ndodhi, sepse Vuçiç i Serbisë erdhi në "mort" njësoj si të kthehej pas në kohë vetë 11 korriku i vitit 1995, kur 8000 myslimanë të Bosnjës u vunë para pushkatimit dhe u hodhën në varre masive. Masakër e tillë nuk kishte ndodhur që në regjimin hitlerian… Vuçiç erdhi në mort me portretin e kohës së ngrirë.

Nuk ndodhi asgjë më shumë, veçse kaq: Njerëzit e panë kryeministrin e Serbisë dhe u kthyen aty ku ishin. U kthyen në korrikun e masakrës, kur po kërkonin varret e njerëzve të dashur, vrarë veç prej fajit se ishin mysliman. Në Luftën e llahtarshme të atij viti, regjimi i Sllobodan Millosheviçit vrau mijëra njerëz, torturoi e masakroi myslimanë, katolikë të Kroacisë, të mbarë ish- Jugosllavisë kush nuk u pajtua me tiraninë. Në atë kohë Aleksandër Vuçiç ishte ministër në qeverinë e Milloshevicit. Vuçiç vinte në qeveri nga Partia Radikale e Sheshel, i denoncuar në Hagë si kriminel lufte.

Është pikërisht ky djalosh që shikojmë sot kryeministër të Serbisë. Ky ishte ministër i Millosheviçit gjatë masakrës së regjimit gjakatar mbi popujt në Srebrenicë, Kroaci a gjetkë. Vuçiç nuk ishte veç një ministër. Vuçiç, bash në zjarrin e luftës deklaroi se "po të vritet një serb, duhen vrarë qindra myslimanë të Bosnjës". Ky kishte deklaruar edhe se "duhen zhdukur kroatët". Ky deklaroi në Selanik, me 14 shtator 1998, se "në Tiranë ka veç banditë, vrasës dhe hajdutë…". 

… Kur u shfaq në Srebrenicë, në mortin e myslimanëve që "duhen vrarë me qindra për një serb", Vuçiç u sulmua dhunshëm. Sepse u shfaq portreti i kohës së ngrirë; u shfaq 11 korriku i vitit 1995. Si ata që sulmuan, ashtu edhe ai që u sulmua, u kthyen në një realitet që ishte.

Ja, kjo ishte arsyeja.

Mes nesh, ballkanikë të trazuar, veç një gjë ka ngrirë: Koha.

Pse, vallë, mes nesh si shqiptarë, a nuk po ndodh kështu?

A nuk pritëm ata që kishim?! Ja ku janë, ata që kishim… A kishim diktatorin Hoxha? Nuk kishte asnjë arsye që sapo të hapësh ekranin e televizionit, të të shfaqen po ata të Bllokut komunist; sapo të shfaqet qeveria të sulmojë ata të "këqijtë" që janë opozita. Nuk kishte asnjë arsye pse të kërkojë vota në Kukës, Rama i Kristaq Ramës që firmosi varjen e poetit të Kukësit në vitin 1988. Në atë epokë të humbur, askush nuk vritej më për vjersha, veç ky malësori ynë poet. Kur e panë Ramën në Kukës, me siguri u është shfaqur para syshë fytyra e kohës së ngurtësuar kur vendosën litarin në mes të qytetit.

A mos vallë veç këta "që pritëm" paska lindur nëna për të sunduar?

Në gjithë vendin, komunizmi është ngjallur frikshëm. U shfaq rinia e bordurave; të rinjtë hanë fara edhe e çojnë jetën në vanitet. U shfaqen bunkerët si një mrekulli. Në hollin e kryeministrisë u shfaq përsëri video-projektori me fjalimet e udhëheqësve të diktaturës. Në gjithë filozofinë e qeverisjes është shfaqur zakoni hoxhaist "ju punoni për pushtetin tonë!". Me paratë e vjedhura nga publiku blihen votat e publikut; e pse? për të ngurtësuar kohën. Për të ngurtësuar atë që ishte; ja ku e keni përsëri…. Në filozofinë e qeverisjes është instaluar nervi gjakatar komunist i krijimit të shtresës së të munduarve. Të munduarit janë kategoria që iu nevojitet këtyre për pushtet. I shikoni si i burgosin për 300 lekë energji elektrike? 38 mijë vetë ndodhen në burgje për këtë "krim".  I shikoni si ua japin letrat e privatizimit? Si njerëzve me lebrozë…

… Ja ku jemi.

Jemi aty ku ishim. Koha është kthyer si bisht i qenit dhe njerëzia i vjen pas. Pritëm e pritëm, pritëm atë që kishim. Në Srebrenicë e panë fantazmën e kohës në një mort të madh, dhe u sulën njësoj si atëherë. Askush nuk ishte ai që është; si viktima edhe xhelati janë ata që ishin. Po rrotullohemi rreth vetes, rreth vetes, rreth vetes… pambarimisht.  Atëherë, nuk jemi ata që jemi, jemi ata që ishim. E dhimbshme, por e vërtetë….

SHKARKO APP