Çfarë pret Opozita? Nuk rrëzohet Edi Rama me facebook e fjalë?
Ajo që po ndodh këto ditë në Shqipëri me rastin Tahiri do të ishte situata ku çdo opozitë në botë do ta ëndërronte për të rrëzuar qeverinë dhe shkuar në zgjedhje të detyrueshme e të parakohshme parlamentare. Ish-ministri i Brendshëm dhe njeriu i afërt i Kryeministrit përmendet në përgjimet e një bande kriminale si mbështetës i trafikut të drogës. Të paktën deri tani kjo është thënë nga akuza. Prokuroria ka nisur hetimet kundër një numri të madh drejtuesish të policisë, si të dyshuar për përfshirje në kanabizimin e gjithë vendit gjatë tre viteve të fundit. Disa dosje të tjera për korrupsion dhe abuzime janë në pritje në prokurori për ish-ministra dhe qeveritarë aktualë. Dëshmitë e vetë drejtuesve të institucioneve të shtetit tregojnë se radarët që kontrollonin sigurinë ajrore dhe detare të vendit, në kulmin e trafikut të drogës, janë nxjerrë me urdhër jashtë funksionit. Aq më keq i kishte në kontroll banda e drogës.
Nga panorama e errët e botës së krimit dhe bandave, situata bëhet më dëshpëruese nëse vështrohen të dhënat e ekonomisë. Raportet ndërkombëtare flasin se Shqipëria ka bërë hapa prapa në fushën e biznesit. Asnjë investitor serioz nuk është afruar këto vite për të investuar në Shqipëri. Në vitin e pestë të qeverisjes, mazhoranca e Partisë Socialiste ka shumë pak projekte për t’u mburrur. Zhvillimet e fundit, ku ministrat e kabinetin “Rama” pyesin se kush e ka radhën pas Saimir Tahirit, nuk japin shpresë se ky do të jetë mandati i reformave dhe qeverisjes me qytetarët. Përkundrazi do të jetë mandati i kalimit në mbrojtje dhe shtrëngimit të radhëve brenda qeverisë e mazhorancës, sipas parimit “ta shtyjmë, sa ta shtyjmë”.
Në këtë situatë me problemet e krimit, trafiqeve dhe bandave që vetë ambasadori i SHBA-ve, Lu, i ka denoncuar në jo pak raste, ka një pyetje që vërtitet në mbarë opinionin publik; çfarë po pret opozita? Për shumë më pak skandale sesa këto që kanë ndodhur vetëm gjatë muajve të fundit, opozitat e mëparshme janë hedhur në protesta. Kanë sensibilizuar opinionin publik dhe kanë ndërprerë çdo komunikim zyrtar dhe parlamentar që legjitimon qeverisjen aktuale. Në radhët e opozitës kryesore PD-LSI ka përditë qëndrime të forta, por mungojnë aksionet konkrete. Dy selitë e partive që mbajnë gjallë aktivitetin opozitar tregohen të ashpra në deklarata shtypi, në reagime ‘flakë për flakë’ në rrjetet sociale dhe në etiketimet më të rënda ndaj Qeverisë dhe Kryeministrit. Por vetëm kaq! Ku pyet Edi Rama për fjalor mediatik e politik! Ai në këtë fushë është mjeshtër dhe i merr përpara Bashën dhe Kryemadhin. Ai ka frikë vetëm një gjë: Protestat dhe popullin kur rrethon kryeministrinë.
Shumica e denoncimeve që ka bërë opozita, duke nisur nga kanabizimi, vjedhja e votës dhe manipulimi i zgjedhjeve po vërtetohen. Përgjimet në Itali i dhanë të drejtë PD dhe LSI për kauzën e drogës dhe përfshirjen segmenteve të Policisë së Shtetit në trafik. Po ashtu, raporti i OSBE/ODIHR faktoi atë që LSI-ja denoncoi gjatë fushatës për dhjetra milionë euro që u hodhën në qarkullim dhe për presionin ndaj qytetarëve. Ajo që nuk kuptohet nga populli është se përse sot që faktohen, opozita ende nuk ka krijuar frymën e duhur te qytetarët dhe të nis aksionin protestues e bllokues.
Një pjesë e opozitarëve mendojnë se vetëm pak muaj pas zgjedhjeve është ende herët të nisin tubimet apo kërkesat për largimin e qeverisë. Politika shqiptare ka treguar se nëse nuk reagohet në momentin e duhur, më vonë qëndrimet e forta, tubimet dhe protestat janë vetëm harxhim energjish. Duke kërkuar të fitojnë kohë, drejtuesit e opozitës po i japin mundësinë mazhorancës të largojë vëmendjen nga problemet reale. Ka më shumë se një javë që qeveria shpik probleme dhe konflikte që e mbajnë vëmendjen jashtë çështjeve të nxehta. Akademia e Shkencave, Himara, ndonjë ‘burim anonim’ që flet për sherre në PS për përmirësimin e qeverisjes, janë vetëm disa taktika mediatike për të mos u marrë me thelbin e asaj që po ndodh. Pushteti i drejtuar nga PS, sipas përgjimeve italiane, u kap në bashkëpunim me trafikantët e drogës. Kaq mjaftonte që opozita të kishte nisur aksionin dhe jo të futej në debat nëse duhej arrestuar apo jo një ish-ministër, nëse duhet të niste me herët reforma territoriale, apo ajo zgjedhore. Ky shpërqendrim i opozitës i shkon për shtat Edi Ramës, ndaj dhe dje në intervistën për një media të huaj fliste për veshjet, pikturën dhe dizenjimin e rrobave.
Rrini në rrjete sociale dhe në konferenca shtypi zoti Basha dhe zonja Kryemadhi! Këtë e lakmon dhe lutet Edi Rama.
Nëse jeni liderë të opozitës, lëvizni! Prijini popullit që po pret.
Q.Xh.