Cili fiton në Tiranë, Erion Veliaj apo Halim Kosova?

 

Tashmë është zyrtare. Beteja për të drejtuar kryeqytetin do të zhvillohet mes Erion Veliajt nga PS dhe Halim Kosovës nga PD. Dy emrat u prezantuan në të njëjtën ditë dhe thuajse në të njëjtën orë nga drejtuesit e partive kryesore në vend. Kreu i PD-së dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zgjodhi të prezantoj mjekun e njohur Halim Kosova, në një takim me demokratët në qendër të kryeqytetit. Shumë pikëpyetjeve për emrat e tjerë që u përfolën nga djathta, Basha u ka dhënë përgjigje mjaft shkurt. “Qytetarët kërkuan një mjek dhe jo një politikan”, tha ai. Vetëm pak minuta më pas, Kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama i ka dhënë fund dilemës për kandidatin socialist. Ai deklaroi nga selia rozë, se kandidati i koalicionit të majtë do të jetë Erion Veliaj. Në prononcimin e shkurtër për mediat kryesocialisti  Rama u kujdes të vinte në dukje se Veliaj nuk është vetëm kandidati i Partisë Socialiste. “Kemi rënë dakord edhe me aleatët dhe kandidati ynë është Erion Veliaj”,- tha ai. Pak më herët, Kreu i Kuvendit dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta konfirmoi se kandidati i së majtës do të jetë gjithëpërfshirës. Një deklaratë në dukje rutinë, por mëse e nevojshme duke pasur parasysh se në zgjedhjet e kaluara, aleatët luajtën jo pak rolë në fitoren dhe humbjen e kandidatëve të dy forcave kryesore.

Teksa ethet e emrave kanë marrë fund në selinë e PS dhe PD ka mjaft qejfmbetur që nuk u vunë në listë, por tashmë gara ka hyrë në një tjetër etapë. Atë të programeve elektorale, projekteve dhe premtimeve për të ndryshuar kryeqytetin. Ende kandidatët nuk kanë paraqitur platformat. Por ajo që mund të thuhet në nisje të fushatës është se Kosova dhe Veliaj pritet të sjellin një garë qytetare për kryeqytetin. Të dy kandidatët bëjnë pjesë në ata personalitete që në politikë nuk njihen për sherre, skandale, apo aq më pak abuzime dhe akuza korruptive. Janë figura të vlerësuara në kampet e tyre politike, por mbi të gjitha është se Veliaj dhe Kosova, ndryshe nga të tjerët dinë të vlerësojnë dhe kundërshtarin. Ndaj kjo betejë do të jetë një spektakël elektoral dhe një përballje mes vlerave civile e qytetare në politikë. Pavarësisht se kush do të humbasë, kjo është një fitore për të dy.

Mjeku i njohur, Halim Kosova edhe pse është deputet i PD-së njihet për profilin e tij larg politikës konfliktuale dhe stilit sherrxhi të PD-së. Nga foltorja e selisë blu apo ajo e Kuvendit nuk është parë ndonjë herë të dalë dhe të shajë  apo akuzojë kundërshtarët me retorikë politike. Një administrator i vlerësuar në drejtimin e spitalit “Mbretëresha Geraldinë” dhe një ministër që qëndroi pak muaj në detyrë. Kosova ka profil të ulët si politikan, por që kompensohet me profilin e lartë të një intelektuali dhe humanisti. Nëse e krahasojmë me emrat e tjerë që ka nxjerrë PD-ja në vite për Tiranën; Albert Brojka, Sali Kelmendi, Spartak Ngjela, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, dalim tek mendimi se Halim Kosova është njeriu më pak militant dhe politik, që e gjen veten tek puna dhe jo tek oratoria apo politika aktive. Për një PD që kërkon të hedh pas të shkuarën problematike, emri i Halim Kosovës duket se është gjetja e mirë për tu dhënë qytetarëve një ofertë të re.

Një rrugë tjetër nga ajo e Halim Kosovës ka pasur karriera e Erion Veliaj, por jo më pak të vlerësuar. Është ndër të rinjtë që në vitet 2000 i dha kuptim termit aq shumë të abuzuar në vend “shoqëri civile”. Preferoi të mos ndiqte karrierën pas shkollimit jashtë vendit në SHBA dhe Angli, por u kthye në Shqipëri dhe në krye të një grupi djemsh dhe vajzash arriti të krijonte një lëvizje civile me emrin “Mjaft” që i shkundi mirë zyrtarët e korruptuar të asaj kohe. Krijoi një model reagimi civil që nuk njihej deri në ato vite dhe u bë simbol i të rinjve. Mesazhi ishte i qartë, ky vend nuk bëhet vetëm nga institucionet. Para së gjithash, që shteti të funksionojë duhet të ketë qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm. Të njëjtën filozofi vendosi në zbatim dhe më pas kur i hyri karrierës politike. Fillimisht me një force të re politike, “G 99” dhe më pas si pjesë e strukturave të Partisë Socialiste. Sot si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, edhe pse ende nuk ka dy vite në detyrë, Erion Veliaj ka një bilanc pozitiv. Mjaftojnë vetëm dy reforma për të përshkruar profilin e tij si vendimarrës dhe praktikë. Është ministri që mori përsipër zbatimin e reformës së pensioneve, një nga problemet me emergjente për sistemin në vend, si dhe paraqiti zyrtarisht në Kuvend nismën për hapjen e dosjeve të ish-komunizmit.

Nga dje gara është e hapur. Pas prezantimit pritet që kandidatët të shpallin platformat që kanë për administrimin e qytetit më të madh në vend, Tiranës. Kosova pritet të vërë në funksion përvojën si administrator i institucioneve, saktësinë e një mjeku dhe recetat strikte për zhvillimin. Ndërsa  Erion Veliaj me energjinë, vizionin dhe formatin perëndimor të vendimmarrjes,pa harruar prakticitetin për të shkuar në çdo qoshe shpie për të biseduar e gjetur zgjidhjen e halleve. Mbi të gjitha dhe me pasionin e një të riu që ka hyrë në politikë për të lënë gjurmët e veta në historinë e Tiranës. 

Beteja është hapur që sot! 

SHKARKO APP