Ç’kanë telefonat e Artan Hoxhës?

Rrëzimi i një avioni që do të përdorej për trafik droge në Ishëm të Durrësit ka nxjerrë në pah të tjera skandale. Gazetari investigativ Artan Hoxha ka qenë dje në qendër të vëmendjes së opinionit për shkak të shoqërimit që ju bë nga prokuroria mesnatën e ditën e së enjte. Hoxha u shoqërua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi sipas prokurorëve, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Feviziu ka nxjerrë sekret hetimor. Hoxhaj tha në “Opinion” se piloti italian Guido Andrea Guidi, ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë dhe ka dhënë detaje për trafikun e drogës. Sipas Prokurorisë kjo deklaratë ka prishur hetimet, pasi janë informuar bashkëpunëtorët e tjerë të pilotit italian dhe po fshehin gjurmët e krimit. Pra prokurorët dyshojnë se thënia e gazetarit është bërë që të lajmërohen të implikuarit e dosjes së Ishmit, ku ra avioni. Ndërkohë, gazetari ka të drejtë të mos tregojë asnjë burim informacioni, ndryshe profesioni i gazetarit duhet të pushojë së funksionuari. Një gazetar që tregon burimet nuk është më i besuar dhe nuk sjell dot lajme. Por prokuroria dyshon edhe te gazetari i njohur.

Për këtë qëllim prokuroria ka sekuestruar dhe dy telefonat që përdorte, Artan Hoxha, me synimin për të verifikuar se nga i ka marrë gazetari informacionet që deklaroi në emisionin televiziv për pilotin italian. Edhe pse është ende i paqartë vendimi i sekuestrimit të telefonave nga ana e prokurorisë, gazetari Hoxha ka kërkuar që telefonat e tij të mos hapen nga prokuroria.

Ai thotë se në memorien e telefonave gjenden materiale komprometuese për zyrtarë të lartë, duke përfshirë edhe Kryeministrin Edi Rama. “Nuk e shoh me vend dhe normale që një gazetari t’i hiqen mjetet e punës. I kam bërë me dije prokurorit që dy celularët i kam dorëzuar të fikur. Këto telefona kanë edhe arkiv. Kam materiale me video dhe audio që akoma nuk i kam publikuar. U bëj thirrje që mos të gërmojnë aty. Nëse i hapin aty do të gjejnë gjëra komprometuese, nga Kryeministri e poshtë. Bëhet fjalë për afera, përfshirje në aktivitete të paligjshme të zyrtareve të administratës, kontakte me botën e krimit. Plus edhe gjëra të mia private”,- tha gazetari Hoxha.

I kontaktuar dje nga “Koha Jonë”, Hoxha konfirmoi se në telefonat e tij ka materiale të ndryshme, që kryesisht kanë të bëjnë më abuzime të qeveritarëve. I pyetur se cili kamp politik dëmtohej më shumë nëse materialet që ai ka në telefon bëhen publike apo “rrjedhin” nga prokuroria, Hoxha tha se, “zakonisht aty ku është pushteti ka më shumë abuzime, kjo gjë besoj dihet”.

Lidhur me ligjshmërinë e procedurës së ndjekur nga Prokuroria, Hoxha tha se do të konsultohet me juristë për të parë mundësinë e një padie.

Por opinioni publik zien të dijë se çka në ato dy telefona të tij, aq me tepër kur flitet për Kryeministrin Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ku ai me lezet kërcënoi se nuk do të jetë gjë çanta e Baba Takut (Spartak Brahos).

Kërcënim i hapur për Prokurorinë apo për qeveritarët e sotëm? Tashmë prokurorët kanë gjithçka ka ai dhe nuk dihet se si do të rrjedhin në media videot e tij, sms-të, lidhjet me persona të ndryshëm etj.

Po për Edi Ramën çka në telefonat e Artan Hoxhës?!

Intervistë ekskluzive për “Koha Jonë” e Artan Hoxhës

 Hoxha, ka të drejtë Prokuroria të hapë celularët tuaj, në kohën që mesa dimë nuk ka asnjë proces ndaj jush dhe a do të ndiqni rrugën ligjore?

Që nga shoqërimi dhe deri në këtë orë që po flasim nuk kam pasur kohë të merrem me aspektin korrekt juridik të ndërhyrjes së prokurorisë. Sigurisht që, gjithë kjo situatë, ku një gazetari i merren pajisjet me të cilat punon nuk është normale. Jam duke u konsultuar me juristë dhe njohës të mirë të ligjeve për të vendosur më pas për procedurën ligjore që do të ndjekë. Po pres të më komunikohet zyrtarisht qëndrimi prokurorisë për të vijuar më tej dhe me rrugën që do të ndjekë.

Në media gjatë ditës së sotme (dje) thatë që ka materiale që implikojnë për Kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë?

Janë marrë dy celularë që përdoreshin nga unë. Një numër është i kompanisë “News 24”, ku unë punoj prej vitesh dhe telefoni tjetër është me numër personal. Ajo çfarë kam thënë gjatë deklarimeve që kam bërë në media nuk ka të bëjë as me ndonjë shantazh apo presion ndaj dikujt.

Siç edhe kam thënë gjatë ditës së sotme dy celularët i kam dorëzuar të fikur. Këto telefona kanë edhe arkiv. Kam materiale me video dhe audio që akoma nuk i kam publikuar. U kam bërë thirrje që mos të gërmojnë aty. Nëse i hapin aty do të gjejnë gjëra komprometuese, nga Kryeministri e poshtë. Bëhet fjalë për afera, përfshirje në aktivitete të paligjshme të zyrtareve të administratës, kontakte me botën e krimit. Plus edhe gjëra të mia private.

Unë jam gazetar investigativ dhe puna ime është e tillë që ka materiale të ndryshme. Një pjesë janë të zakonshme, siç mund të ketë kushdo në telefon edhe gjëra personale. Një pjesë janë materiale që kanë qenë në proces verifikimit dhe do të publikoheshin ose jo në bazë të verifikimeve nëse rezultonin të sakta. Dua të them që një gazetar investigativ, puna që unë bëj këto materiale janë. Nëse do isha gazetar sporti do kisha materiale sportive, ndaj nuk dua që deklarata të merret si shantazh ndaj askujt. Shqetësimi im është se me materialet nuk duhet të abuzohet, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera nga ana e Prokurorisë.

Në materialet që thoni se keni në telefon, cili kamp politik apo zyrtar dëmtohet më tepër?

Po zakonisht aty ku është pushteti ka më shumë abuzime, kjo gjë besoj dihet.

Qamil Xhani

SHKARKO APP