Ç’keni me robtë?!

 
Afrimi i datës së zgjedhjeve ka ashpërsuar në maksimum tonet e politikës. Seanca e djeshme e Kuvendit është mbushur me fyerje dhe kërcënime të hapura.Pa asnjë merak se ishin live dhe i ndiqnin qytetarët. Kaq trima janë bërë deputetët tanë! Debati mes mazhorancës dhe opozitës është përqendruar në bashkinë e Vorës. Deputeti Astrit Patozi ka akuzuar kreun e Kuvendit dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim për presion mbi votuesit dhe kandidatin e djathtë. Ndërsa në qendër të kritikave ka vënë spotin e LSI-së ku bëhet thirrje për të mos i shitur votat. Tonet akuzuese të Patozit kanë sjellë dhe reagimin e kreut të Kuvendit, i cili ka deklaruar se si kryetar i Kuvendit dhe kryetar i LSI-së nuk ka asnjë interes për rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm për standardet. Ndërsa ka ftuar gjithë deputetët e djathtë që të denconojnë në prokurori çdo dyshim që kanë lidhur me blerjen e votës, apo parregullsi të tjera për zgjedhjet.
Por debati i Vorës nuk ka qenë vetëm ai mes Metës dhe Patozit. Aleati i PD-së, Fatmir Mediu ka folur për elementë kriminale në fushatë në qytetin e Vorës dhe për presion që ushtrohet ndaj kandidatit të djathtë, Firiqi Ismaili. Në replika të ashpra me Mediun është përfshirë deputeti Luan Rama dhe deputeti tjetër i LSI-së, Robert Bitri. Debati ka kaluar cakun normal të etikës parlamentare  teksa mes Mediut dhe Luan Ramës janë dëgjuar edhe ofendime të rënda. Nga ofendimet, përballja mes Mediut dhe deputetëve të LSI-së për pak sa nuk është kthyer në një sherr fizik. Sikur të mos ishin deputetët e tjerë Mediu dhe Bitri ishin gati të dilnin jashtë seancës për t’u përleshur me grushte.  Por u fiksuan sharje dhe një fjalor që shkonte në q.. robtë e njeri tjetrit! Nuk ka ku shkon me shumë se kaq.
Situatës së sherreve në Kuvend dje i është shtuar dhe një ngjarje e tipit mafioz. Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Pogradec, Eduard Kapri ka denoncuar në polici një kërcënim që i ka ardhur në numrin e telefonit gjatë ditës së djeshme. Mesazhi që u publikua nga PD-ja, nëse rezulton i vërtetë është një kërcënim i hapur i stilit mafioz. “Hiq dorë brenda tre ditësh duke shpikur ndonjë arsye për motiv shëndetësor apo personal, ndryshe një pjesëtar i familjes tënde do zhduket. Mos të shkojë mendja te policia, se pasojat do të jenë të menjëhershme”, thuhet në mesazhin që i është dërguar Kaprit. Një akt i tillë shënon dhe kulmin e një prej fushatave vendore, që normalisht duhet të ishte më e qeta nga pikëpamja e incidenteve dhe retorikës politike. Partia Demokratike kërkoi hetimin e menjëhershëm të ngjarjes. Kreu i Kuvendit gjithashtu kërkoi zbardhjen e ngjarjes, duke inkurajuar kandidatin e PD-së që të vazhdojë garën. Policia konfirmoi se ka nisur hetimet për personin apo personat që kanë nisur mesazhin. Por pavarësisht qëndrimeve të politikës, një fushatë me kërcënime bandash dhe heqje qafe, është një sinjal që duhet t’i bëjë partitë të reflektojnë në kohë. Nëse në Kuvend flitet gjuhë rruge dhe bëhet “luftë” politike, brenda pak orësh tensioni brenda seancës përhapet si epidemi në elektorat, duke nxitur dhunën dhe sjelljen prej bandash rivale.
Mos e nxisni popullin në sherre mes vetes ! Nuk duhen votat nëse ka gjakderdhje dhe sherre me jetë njërëzish.
Janë edhe nentë ditë fushatë dhe sherret që kanë arritur kulmin gjatë ditës së djeshme, nuk janë një sinjal i mirë për zhvillimin normal të zgjedhjeve. Akuzat për blerje votash, presione ndaj kandidatëve dhe së fundmi, kërcënime me jetë për të afërmit e kandidatëve, janë ngjarje që duhet t’i bëjnë partitë të reflektojnë. Vendimi i kreut të deputetëve të PS-së për të mos e kthyer debatin parlamentar në fushatë elektorale, duket se ishte më i duhuri.
 
Mos e gjakosni fushatën !

SHKARKO APP