Ç’po ndodh në PS? Tahiri brryla Veliajt
-Mos po përgatit Edi Rama pas humbjes së zgjedhjeve zëvendësin e tij, ndërkohë që kryebashkiaku i Tiranës mbetet më i suksesshmi në PS.
Partia Socialiste mbylli dje fushatën elektorale në kryeqytet. Në gjithë fushatat zgjedhore, mitingu i Tiranës ka një simbolikë të veçantë. Jo vetëm është i rëndësishëm për shkak të 34 mandateve të deputetëve që jep kryeqyteti, por edhe për faktin nga Tirana jepen mesazhe që kanë vlerë për gjitha zhvillimet në politikën kombëtare. Rama dje mbajti fjalimin më të gjatë të fushatës, duke folur për të gjitha ato që ai i cilëson si reforma të suksesshme në 4 vjet. Ajo që ra në sy në fjalimin e Kryeministrit ishte se pjesën e kryesore të lëvdatave e mori ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Kryefjala e Ramës ishte rendi, siguria dhe aftësitë e të bërit shtet të ish-ministrit të shkarkuar tre muaj më pare, po nga Edi Rama.
Në fjalimin e Ramës u vu re mungesa e vlerësimit për Kryebashkiakun të Tiranës Erion Veliaj. Në 4 vjet, Veliaj e ka ndarë përgjysmë kontributin e tij, si ministër i kabinetit “Rama” dhe si kryebashkiak i qytetit më të madh të vendit. Si ministër, Veliaj bën pjesë tek imazhi i ri dhe reformat e para që bëri qeveria në dy vitet e para, si ndryshimi i skemës së ndihmës ekonomike, pensionet dhe dëmshpërblimi i ish të përndjekurve. Në fjalimin e kreut të qeverisë nuk kishte asnjë vlerësim që lidhej me këtë kontribut. Por mungesa e vlerësimit të Kryeministrit u duk më shumë në punën dy vjeçare të Veliajt si kryebashkiak. Në gjysmën e mandatit të tij në Tiranë, Veliaj ka justifikuar jo vetëm besimin e atyre që dhanë votën për të, por ka marrë dhe mbështetjen e kundërshtarëve politikë. Punën e tij si kryebashkiak në drejtimin e Tiranës janë të paktë ata që nuk e vlerësojnë. Atëherë si ka mundësi që Edi Rama nuk e pa të udhës të përdorte imazhin e ri të Bashkisë së Tiranës për të marrë vota për Partinë Socialiste? Ku i ka mbetur hatri me Erion Veliaj? Nëse qytetarët do të votojnë PS-në në Tiranë, pikë së pari do të nisen nga ajo që shohin përditë në rrugët e qytetit dhe në menaxhimin e taksave që bën Bashkia e Erion Veliajt. Për çdo parti, reklamimi i punës së një kryebashkiaku si Veliaj do të ishin vota të shtuara në zgjedhje. Megjithatë Rama zgjodhi që në Tiranë të mos kërkojë vota me punën e dukshme dhe të suksesshme të Veliajt, por me Saimir Tahirin. Asnjë fjalë për Erion Veliaj. Apo pse ai pardje that e Sokol Balla se me “LSi dhe me Ilir Metën kam bashkëpunuar shkëlqyer dhe do bashkëpunoj për të mirën e Tiranës”? Kjo e dogji Kryebashkiakun?
Saimir Tahiri është kryetar i PS-së së Tiranës, por rendi dhe lufta kundër drogës nuk janë pika më e fortë e qeverisjes së Edi Ramës në këto 4 vjet. Për pasojë edhe Saimir Tahiri nuk mund të merrej si modeli më i mirë i qeverisjes së socialistëve. Atëhere pse e shkarkoi atë, kur paska qenë më i miri në PS?
Duket se llogaritë e Ramës në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë nuk kanë të bëjnë me atë që ndodh para zgjedhjeve, por me atë që do të vij pas zgjedhjeve. Saimir Tahiri dhe Erion Veliaj, veç punës në institucionet që kanë drejtuar dhe drejtojnë përfaqësojnë, tashmë dhe dy rryma të forta e krejtësisht të kundërta në Partinë Socialiste. Erion Veliaj është jo vetëm kryebashkiaku i suksesshëm i së majtës, por edhe politikani më i moderuar i viteve të fundit në PS. Gjatë 4 viteve ka shmangur konfliktet e kota politike dhe është mbështes i hapur i aleancës mes PS dhe LSI.
Një model krejt ndryshe politikani përfaqëson Samir Tahiri në PS. Në vend të konsensusit dhe afrimit të së majtës, Tahiri ka marrë përsipër rolin e minuesit të aleancës dhe sherrxhiut mes PS dhe LSI. Hija e ish-ministrit të brendshëm qëndron në jo pak raste të konflikteve mes socialistëve dhe LSI-së gjatë qeverisjes. Edhe në këto ditë fushate, Tahiri është i vetmi zyrtar i lartë socialistë që i ka hedhur benzinë zjarrit mes aleatëve, duke rrezikuar përfundimisht që LSI nuk do të pranojë të bëjë qeverinë me Rilindjen pas datës 25 qershor.
Duke parë profilet e dy përfaqësuesve të rrymave kryesore politike në PS, zgjedhja e Ramës për të bërë fushatë me punën e Saimir Tahirit si ish-ministër, ngjan si një mesazh i koduar për socialistët. Prej kohësh flitet për pasardhësin e Edi Ramës në PS, në rast të humbjes së zgjedhjeve. Dje në Tiranë, Rama bëri zgjedhjen e tij duke shenjuar si kandidat të mundshëm Saimir Tahirin. Të paktën këtë gjë thotë fjalimi i tij, ku shesh si model të ndërtimit të shtetit ish-ministrin më të akuzuar për çështjen e trafikut të drogës. Rama la të kuptoje se Tahiri mund të jetë vazhduesi i rrugës së tij në selinë mavi, në rast humbje të zgjedhjeve. Por ky vendim i Ramës është dhe fillimi i një skenari të ri tek e majta. Sepse nëse Tahiri, ministri i shkarkuar me ultimatum nga ndërkombëtarët për trafikun e drogës, është më i suksesshmi për Ramën, për socialistët mund të jetë ministri që i solli më shumë kosto negative partisë së tij. Ndërkohë që PS-ja me Erion Veliaj mund të njohë ringritjen dhe mbajtjen e një pushteti të së majtës.
Qamil Xhani