Dajaku që kushtoi 450 milionë dollarë

Kompania “Omnix Albania”, e cila kishte planifikuar të investonte 450 milionë dollarë në Gjirin e Lalzit, deklaroi tërheqjen e menjëhershme nga të gjitha projektet në vendin tonë. Vendimi i kompanisë vjen 11 ditë pasi përfaqësuesi i kompanisë në Shqipëri, Fadi Mitri, u dhunua në mënyrë barbare. Po dje, Mitri u largua nga Shqipëria me një avion privat. Në fotot që kanë bërë xhiron e mediave vendase dhe të huaja, shfaqet biznesmeni 55-vjeçar, në gjendje të rëndë shëndetësore teksa transportohet nga mjekët dhe familjarët me barrelë.

Biznesmeni u rrah në mënyrë barbare, me sende të forta dhe shkopinj bejsbolli,pas një aksidenti të sajuar në afërsi të aeroportit të Rinasit. Në deklaratën që ka dhënë vetë Mitiri dhunuesit i çuan mesazhin se duhet të ndërpresë punimet në Gjirin e Lalëzit, ose të largohet nga Shqipëria. Pas presioneve dhe dhunës në sy të gruas dhe vajzës së tij, biznesmeni zgjodhi të largohet nga Shqipëria.

Policia tha se ka arrestuar një prej autorëve të rrahjes. Ndërkohë dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Edhe pse është një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura vitet e fundit ndaj biznesit të huaj, detajet mbi personat që kryen sulmin nuk janë dhënë nga institucionet. Ajo që dihet është se sulmi kriminal ndaj biznesmenin amerikano-libanez ka lidhje me investimin që kryhej në Gjirin e Lalzit. Kompania “Omnix Albania” kishte parashikuar të kryente një nga projekte me serioze turistike në Shqipëri. Përveç 450 milionë dollarëve investim, resorti turistik do të hapte vende pune për të pakën 1200 persona.

Si qeveria “Berisha” para vitit 2013 ashtu dhe qeveria “Rama” kanë dhënë dhe rinovuar lejet për kryerjen e punimeve në këtë zonë. Nga pikëpamja formale ligjore, institucionet kanë qenë pro zhvillimit të këtij investimi. Ajo që ka munguar është garancia e projektit, por edhe siguria fizike për drejtuesit e kësaj kompanie.

Sherret mes kompanisë së biznesmenit Mitri dhe atyre që cilësohen si pronarë të tokës ku do zhvillohej projektit kanë nisur prej disa vitesh. Formalisht flitet për një pronar që pretendonte pronësinë e tokës. Në fakt pas tij mendohet se janë grupe të fuqishme biznesi që kërkonin ekskluzivitetin e ndërtimeve në Gjirin e Lalzit. Rrahja që ndodhi 11 ditë më parë ishte vetëm sinjali i parafundit që iu dha biznesmenit. Prej disa vitesh ai edhe pse kishte leje për nisjen e investimeve ishte penguar me procedura gjykatash dhe vendime abuzime. Në fund, erdhën kërcënimet dhe rrahja kriminale në sy të familjes. Përballë kësaj situatë, ku biznesmenit të huaj i kërkohej koka ose prona, ky i fundit sigurisht që zgjodhi të ikte duke tërhequr gjithë kapitalet nga Shqipëria.

Ajo që bie në sy, në gjithë këtë histori disa vjeçare është qëndrimi i institucioneve. Edhe pse i janë dhënë lejet për zhvillimin e biznesit, nuk i është garantuar minimalja, ruajta e jetës. Kryeministri dhe Ministrat flasin përditë për klimë pozitive biznesi, ulje taksash, lehtësim procedurash për thithjen e investitorëve të huaj. Të gjitha këto nuk kanë asnjë vlerë, kur biznesin e huaj e sjellë në Shqipëri dhe e lë në mëshirë të të fortëve, sekserëve të gjykatave dhe e çon në toka me 7 pronarë.

Ministrat e kabinetit “Rama” shkuan në spital ta vizitonin pas rrahjes duke i dhënë mbështetje morale. Por në situata të tilla, zyrtarët dhe institucionet nuk duhet vetëm të shprehin keqardhje. Minimumi duhet të ishin vënë në lëvizje të gjenin autorët. Jo thjeshtë ata që e masakruan në rrugë, por ata që i porositën. Duhet t’i kishin dhënë garanci që investimi në bregdet nuk cënohej dhe mbi të gjitha garanci fizike personale. Në vend të kësaj, ngjarja u la të harrohej si çdo skandal tjetër në Shqipëri, duke dëshmuar se në përballjen me krimin, biznesi është vetëm.

Përballë kësaj situatë, biznesmeni amerikano-libanez zgjodhi të ike. Shtetit shqiptar, përveç imazhit të një vendi që nuk ofron siguri, kjo rrahje i kushtoi 450 milionë dollarë. Edhe minus 1200 vende pune. Edhe imazh negativ ndërkombëtar.

Krimi po del më i fortë se Shteti. Ata që porositën rrahjen me siguri kanë mbështetje në Tiranë, pasi janë në lojë interesa biznesi të një grupi milionerësh. Mafia nga pak e përditë nga rrahja e biznesmenëve të huaj do fillojë të kryejë vrasje si në Kolumbinë e drogës.

E keqja ka ardhur. Duhet kurajo dhe përbashkim për ta përballuar dhe sfiduar.

SHKARKO APP