Dako mposhtet nga Grida Duma
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:03
Pas Tiranës, përballja më interesante e këtyre zgjedhjeve vendore është ajo e Durrësit. Vangjush Dako, dy herë kryetar bashkie, kërkon mandatin e tretë përballë rivales së Partisë Demokratike, Grida Duma. Gara pritej të ishte e fortë. Arsyet e një përballje të ashpër lidhen me konsumimin e Dakos dhe me profilin e Dumës, si një polemiste brilante dhe një nga figurat e reja të Partisë Demokratike. Të gjithë prisnin një duel të ashpër, por pakkush nga strategët e politikës elektorale mund ta mendonte se Grida do të ishte në avancë pa nisur ende fushata zyrtarisht. Mjafton të shihen sondazhet në thuajse të gjitha mediat e pavarura, madje edhe tek ato që janë afër pushtetit. Ndonëse para një jave në sondazhin e kompanisë së huaj e cila ka marrëveshje me Ora neës Grima ishte dy pikë poshtë Dakos tashmë ajo ka pësuar një rritje të mënjëhershmë me pesë pikë mbi kandidatin e PS-së. Në të gjitha anketimet Duma rezulton disa pikë para rivalit të saj të majtë. Por nëse sondazhet mediatike kanë gabueshmërinë normale në këto raste, sondazhi profesional i ‘IPR Marketing’ në ‘Ora Neës’ solli një pamje më të qartë të asaj çfarë po ndodh në Durrës. Sipas këtij sondazhi, Dako merr 51 për qind të votave, ndërsa Duma 49. Pra, deri në datën 12 maj Vangjush Dako arrinte një fitore e ngushtë me vetëm dy pikë. Por nëse analizon shifrat, situata nuk është aq rozë për kandidatin e majtë. Numri i personave që janë ende të pavendosur se për kë do ta hedhin votën ishte 25.8 për qind. Një shifër mjaft e lartë kjo, shumica e së cilës pritet të anojë nga kandidati sfidant që i përket Partisë Demokratike. Kur ende nuk ka nisur fushata dhe programet nuk janë prezantuar, një diferencë e tillë e vogël në vota jo vetëm është kaluar një javë pas sondazhit, por edhe mund të krijohet një diferencë edhe më e madhe në favor të Dumës. Arsyet nuk janë dhe aq të panjohura se pse kandidati i majtë po shkon drejt humbjes .Madje, në këtë rast duket se kemi të bëjmë me një disfatë të paralajmëruar. Kandidimi i Dakos në Durrës ishte i gabuar që në fillim, pasi pas dy mandatesh nuk ka çfarë t’u ofrojë me durrsakëve.Dy ditë më parë në mënyrë pompoze mbolli palmën e 1000-të në qytetin bregdetar. Por masakra urbane që i është bërë njërit nga qytetet më të rëndësishëm në vend nuk kompensohet me disa pemë të mbjella. Dako është kryebashkiaku që varrosi nën pallate Durrësin antik. Qytetarët i kanë të freskëta pamjet e mbulimit me beton të disa mozaikëve të rrallë mijëravjeçarë në qendër të qytetit. Për këto projekte mund të ketë marrë votat e një grupi biznesmenësh, por ka humbur votat e një pjese të mirë të qytetarëve që u dhimbset ajo çfarë përfaqëson Durrësi. Pika tjetër ku Dako ka sjellë irritimin e votuesve durrësakë është edhe mungesa e një plani urbanistik për Durrësin si qytet turistik në zonën e plazhit dhe Durrësit si qytet që duhet të zhvillohet me ndërtime të reja. Gjatë tetë viteve që ka drejtuar Bashkinë, Dako ka miratuar lejet e ndërtimit në zonën e plazhit, duke dëmtuar në mënyrë të pariparueshme turizmin me gradaçela që ndodhen vetëm 50 metra larg bregut. Por nëse këto janë probleme, që për një pjesë mund të cilësohen estetike, në këtë fushatë Dako po vuan edhe pasojat e një kryebashkiaku që nuk bëri asgjë për zhvillimin e punësimit dhe zonave industriale në periferi të qytetit. Në një qytetet që ka mundësi të pafundme për biznese që lidhen me peshkimin, turizmin, apo investime të tjera i vetmi biznes që ka lulëzuar në Durrës është ai i fasonëve.
Në efektin e dobët elektoral të Vangjush Dakos të paktën sipas sondazheve të deritanishme ka të bëjë dhe fryma e koalicionit të majtë. Në Durrës, si në asnjë vend tjetër lufta mes PS dhe LSI gjatë kohës kur ishin të ndara ka qenë më e madhe. Kjo po reflektohet edhe në këtë fushatë. Drejtuesit e LSI-së në Durrës po punojnë më shumë që të marrin vota për LSI-në si subjekt elektoral dhe jo për kandidatin e majtë. Thënë ndryshe, po bëjnë fushatë për partinë dhe jo për kandidatin e koalicionit. Kjo pasi konfliktet mes LSI-së dhe Dakos kanë qenë shpeshherë të forta, sidomos para marrëveshjes PS-LSI. Efekti i kësaj ndarjeje, secili për vete, do të shihet qartë vetëm ditën e votimit, kur partitë e koalicionit të majtë do të kenë më shumë vota sesa Dako si kandidat. Një tjetër faktor i rëndësishëm që po vendos fatin e fushatës në Durrës është dhe deputeti republikan, ish-socialisti Agron Duka. Mbështetja e tij ndaj kandidates së PD-së pritet të rrisë dhe më shumë shanset për fitore, duke thelluar rezultatin kundër kandidatit të majtë.
Këtë situatë të mbushur me pakënaqësira ndaj Dakos dhe me mosmarrëveshje lokale brenda koalicionit të majtë, duket se po e shfrytëzon më së miri kandidatja e PD-së, Grida Duma. Ajo shquhet për një natyrë polemiste dhe është një nga debatueset më të mira në PD, por në nisje të fushatës ka zgjedhur me zgjuarsi të mos merret me replika, por me projektin personal për Durrësin. Është e kujdesshme që në mesazhet që jep, më shumë sesa të kritikojë ajo shikon të japë zgjidhje. Ka kuptuar se Durrësi nuk është vetëm një qytet që jep vota kur i duhen PD-së, por ka dhe intelektualë, artistë, grupime të profesioneve të ndryshme që kanë peshën dhe ndikimin e tyre në qytet. Ndaj dhe në fushatë po merret me të gjitha ato kategori që janë lënë pas dore nga pushteti vendor gjatë tetë viteve. Si profesioniste e psikologjisë dhe e jetës universitare ka arritur të marrë mbështetjen e intelektualëve në Durrës. Por Duma po tregon se aq sa e aftë është në shkencën e komunikimit në auditore, po me kaq finesë di të bëjë për vete edhe pjesën tjetër të votuesve, kryesisht ata që jetojnë në periferi të Durrësit. Larg replikave dhe debateve ka arritur të krijojë një impakt pozitiv edhe në komunat e Durrësit apo në zonat e qytetit që ende nuk janë urbanizuar. Ky model fushate e ka renditur Dumën në avantazh që pa u çelur zyrtarisht fushata.
Deri dje kandidatja e djathtë është fituese. Por ka ende shumë ditë deri në kutinë e votimit! Vangjush Dako ndonëse i “plagosur” politikisht kurrsesi nuk dorëzohet, pasi ka eksperiencë dhe mbetet një “ujk” elektoral. Nuk dihet se me çfarë kartash do të luajë javën e fundit të fushatës, sepse si përherë ai hedh skalionet e tij tre ditët e fundit. Grida është e re, pa hile elektorale dhe duhet të jetë e kujdesshme përballë një Vangjushi që “bluan”edhe hekurin, por jo atë hekur që përdor në firmat e miqve të tij të ndërtimit që operojnë në Durrës.