Darka me peshk dhe “peshku” me halë
Nga Spiten Prulli.
Të gjithë ramë në rrjetën e peshkut, pas darkës së peshkut, të dielën në mbrëmje kur u bë lajm darka Rama-Meta në një restorant te Pazari i Ri. Hëngrën, pinë, shqyen peshk me bollëk dhe dolën çakërqejf, të gjithë. Se ç’është biseduar nuk e thotë asnjëri saktësisht, derisa nuk flet asnjë prej të katërve të darkës së famshme. Hamëndjet, teoritë konspirative, thashethemet, etj mund të marrin vrullë sa të duash, por akoma nuk dihet saktësisht nëse është biseduar konkretisht për mënyrën e zgjidhjes së çadrës në shesh. Ata kanë ngrënë peshk, të mirë, të shijshëm, por “peshku me halë” është akoma në mes të bulervardit. Dhe nuk po del peshk koti, por “peshk” problematik, me hala.
Pas darkës së famshme Edi Rama nuk foli, shkoi në Mal të Zi për të ngrënë mishi keci, nga ai lloji keci afër zonës së ish-kryeministrit Berisha. Keci nuk ka hala, kurse peshku qëllon se ka hala, që nëse nuk ruhesh ose nuk i kushton vëmendjen e duhur të lë me gojë hapur duke bërtitur.
Ilir Meta foli. Tha ato, që tha. Pra qeveri besimi, opozita të futet në zgjedhje, dhe le të rrijë Edi Rama kryeministër, nëse e pranon opozita. Në thelb thirrja ishte që kryeministri të takojë liderin e opozitës për të gjetur kompromis. Kur tha se është i gatshëm të lërë vetë postin e kryeparlamentarit dhe gjithë ministrat e LSI të japin dorëheqjen vetëm që të krijohet “klimë besimi” te opozita, Ilir Meta i ka ofruar me lezet Edi Ramës largimin dhe të tij si kryeministër për dy muaj derisa të mbarojnë zgjedhjet, por me kushtin që opozita të futet në zgjedhje. Dhe tha, mes rrjeshtave, që bashkë me PS e mundim opozitën në zgjedhje. Por ama me zgjedhje normale, të gjithëpranuara.
Tashmë topi ka kaluar në këmbët e Edi Ramës në fushën me tre porta futbolli. Ai, natyrisht, ka një hezitim. Është normal. Të ikësh për pak muaj nga zyra e kryeministrit kur je votuar dhe je kushtetues, nuk është normale. Aspak. As kushtetuese. Edi Rama e shkruajti sot në facebook se do respektoj Kushtetutën, pra indirekt ripërsëriti se nuk ka ndërmend ti hap udhë “budallait” (thënie e Ramës) në bulervard. E përsërisim se nga pikëpamja ligjore e kushtetuese është në të drejtën e Zotit. Por nisur nga situata kur mund të destalizohet vendi, për fajin e të gjitha palëve në këto 27 vite, nisur nga slogani shumë prekës i Ramës në shtator 2013 se “kam ardhur në pushtet për të bërë shtet”, ai duhet seriozisht dhe pa nerva të analizojë pozicionin. Nuk ka nevojë për asnjë këshilltarë lufte apo me syze që ia mjergullon tablonë dhe i krijon idenë futuriste se fiton edhe vetëm. Apo se shkohet në zgjedhje pa opozitën dhe LSI-në. Pra të shpall luftë si Enver Hoxha, dikur, edhe imperalizimit, edhe revizionizmit. “Revizionistët” i ka në çadër. “Imperalistët” mund ti humbasë. Ndaj Edi Rama ka nevojë me shumë se kurrë për keshilla të ftohta, jo ogurzeza dhe jo vetshkatërruese. Ai është kryeministër që ka bërë disa reforma. Nuk është siç duan ta paraqesin, disa, edhe në media. Ai nuk është kryeministër që vret, ai nuk di ç’është plumbi. Ai njeh penelin dhe njeriu me penel, nuk vret.
Edi Rama ka nevojë të mos darkojë më me peshk, as me ngjala, por thjesht me kafe përpara e me ujë të ftohtë Skrapari për të gjetur udhën në këtë trekëndësh ku nuk dihet cili “peshk” ka me shumë hala!
Spiten Prulli
http://www.spjv.it/index.php/politika-mobile/darka-me-peshk-dhe-peshku-me-hale
Pas propozimit të Ilir Metës sot ka kthyer përgjigje, në profilin e tij në Facebook, kryeministri Rama. Ja përgjigja e kryeministrit:
Nga Edi Rama.
SHËNIMI I DITËS
E vlerësoj përpjekjen e bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës, Ilir Meta, për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike.
Edhe unë kam qënë dhe mbetem i gatshëm per cdo zgjidhje që i’a lehtëson Partisë Demokratike rrugën për t’u kthyer në Kuvend; votuar Vetingun; vazhduar betejën e vet politike në shinat e Kushtetutës e të ligjshmërisë dhe garantuar bashkë me ne, që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë më të lirat e më të ndershmet të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.
Qeveria jonë është angazhuar në një rrugë reformash tërësore. Kemi vendosur një bazë ligjshmërie për të bërë shtet, në vend të rrëmujes së paligjshmërisë pa shtet. Kemi rikthyer rritjen e qendrueshme ekonomike, në vend të batakut të një ekonomie të zhytur në borxhe paralizuese e korrupsion mbytës. Dhe as do te kthehemi mbrapa, as do të ndalemi në rrugën që na ka përcaktuar mandati i popullit, pse një pakicë ka frikë nga Vetingu dhe nga gjykimi i popullit në zgjedhje!
Nëse Partia Demokratike kërkon një diskutim serioz me ne, jam i gatshëm të ulemi për të diskutuar, që sot, edhe në çadër po të jetë nevoja. Dialogu ka qenë e mbetet gjithnjë zgjedhja ime e parë dhe unë kam qenë e jam i hapur për cdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike.
Kushtetuta jonë është shumë e qartë – zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor.
Kushtetuta është shumë e qartë – qeveria është vullnet i shumicës.
Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord për gjithcka tjetër.
Edi Rama