Debate në Komisionin e Medias. PS kërkon shkarkimin e Vokshit
Debati për godinën e Teatrit Kombëtar ka sjellë përplasje të ashpra në Komisionin Parlamentar të Mediave. Opozita kishte thirrur sot në interpelancë ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, por në mbledhje u paraqit bashkë me ministren edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Që në nisje të takimit, PD dhe kryetarja e komisionit deputetja demokrate, Albana Vokshi kërkuan që kryebashkiaku të largohej. Sipas demokratëve, seanca me kreun e bashkisë për Teatrin Kombëtar nuk ishte planifikuar për sot. Vokshi urdhëroi Gardën e Republikës që të nxjerrë jashtë nga mbledhja kryebashkiakun e Tiranës, por efektivët e gardës nuk i janë bindur.
Atë që nuk e bëri Garda janë munduar ta bëjnë deputetët e PD, Flamur Noka dhe Ervin Salianji. Në këtë moment kanë nisur dhe akuzat, fyerjet dhe deri në përplasje fizike dhe grushte. Dy demokratët kanë tentuar të nxjerrin me forcë jashtë kreun e Bashkisë së Tiranës, gjë që ka sjellë dhe përplasje me deputetët e tjerë të PS si dhe efektivët e Gardës. Tensionet kanë zgjatur disa minuta dhe goditjet fizike mes demokratëve dhe socialistëve janë shmangur nga efektivët e Gardës. Në këtë situatë kaosi në Kuvend, Veliaj vendosi të largohej nga mbledhja e komisionit.
Pas përplasjes në mbledhje, tensionet kanë vijuar në korridoret e Kuvendit me deklarata në media dhe paralajmërime për padi dhe shkarkime. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla tha për mediat se sot në Kuvend ishte planifikuar dhunë. Ai etiketoi deputetët e PD, Flamur Noka, Ervin Salijanji dhe Klevis Balliu si ideatorët e akteve të dhunës ndaj kryebashkiakut. Balla shtoi se deputetët kishin ardhur në mbledhje me vezë në xhep për të goditur Erion Veliaj. Lidhur me pretendimet e PD se Veliaj nuk ishte thirrur sot në mbledhje, Balla tha se dy deputetë të PS kanë bërë kërkesë zyrtare që të kishte interpelancë më kryebashkiakun. Ndërkohë, Balla paralajmëroi dhe nisjen e procedurave të shkarkimit për kryetaren e Komisionit të Mediave, Albana Vokshi. “Sot konstatuam aktin e radhës së thyerjes së rregullores nga një person i propozuar nga PD-ja për të drejtuar Komisionin e Medias dhe Edukimit. Në mënyrë të përsëritur, Vokshi e ka kthyer këtë komision në një mjet personal. Ne jemi duke konsideruar mbi nenet dhe parashikimet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e zonjës Vokshi“,- tha Taulant Balla.
Kreu i Bashkisë së Tiranës e ka cilësuar si një inskenim të turpshëm atë që ndodhi në Komisionin e Mediave. “Që në fillim e kuptova që ky ishte nëj kurth dhe kjo nuk ishte një seancë për tu dëgjuar. E pashë që aty mungonin aktorët, përveç një personazhi që përfaqëson një nga sindikatat dhe që sigurisht aspiron të jetë drejtor i Kulturës së PD. S’ka asnjë problem, të gjithë njerëzit kanë aspirata dhe janë të ligjshme ama të reduktosh gjithë betejën e sinqertë të aktorëve për të kuptuar, për t’u njohur, informuar, për të parë projektin, për të filluar një negociatë! Reagimi i sotëm ishte një reagim mllefi ndaj ekspertëve. Kur panë që dje aktorët i braktisën, sigurisht që i kapi trishtimi. Sepse kuptuan që edhe kjo histori do ketë fatin e këndit të lojërave”, tha Veliaj.
Ndërkohë Partia Demokratike ka paralajmëruar kallëzim penal për atë që ndodhi sot në komision. Deputetja Albana Vokshi tha se efektivët e Gardës së Republikës nuk kanë zbatuar rregulloren dhe kanë shkelur ligjin. Gjithashtu, Vokshi tha se pas padisë do të ketë dhe informim të ambasadave në Tiranë për të atë që ndodhi në Komisionin e Medias. Sipas Vokshit, seanca e sotme ka qenë një projekt për t’i mbyllur gojën opozitës.
“Sot roli i ishte caktuar Erion Veliajt që të vinte i paftuar, në shkelje të rregullores dhe të tentonte të uzurponte këtë mbledhje vetëm dhe vetëm që t’i hiqnin mundësinë opozitës për të bërë transparencë mbi këtë vjedhje të madhe që po bëhet për të tjetërsuar pronën publike për t’ia dhënë privatit për përfitime marramendëse. Kishim një kryetar bashkie që vjen i paligjshëm për të uzurpuar parlamentin. A është parë e dëgjuar kjo gjë? Kishim një kryetar bashkie që i hakërrehej oficerëve të Gardës. Oficerët e Gardës kishin marrë urdhër nga Rama e Veliaj që t’i kundërviheshin deputetëve. I bëra thirrje Gramoz Ruçit të ndërhynte. Për të ardhur keq që kryetari i Kuvendit nuk ndërhyri“,- u shpreh Albana Vokshi.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1921904561194049/
REPLIKAT NË KOMISIONIN E MEDIAS
Albana Vokshi kryetare e komisionit parlamentar të medias ka replikuar që fillim të mbledhjes me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj duke kërkuar largimin e tij nga salla e komisionit, edhe me forcë. Ishte ftuar ministrja e kulturës Mirela Kumbaro për të raportuar para komisionit për çështjen e shumëdebatuar për Godinën e Teatrit Kombëtar, por prezenca e Veliajt ka nxehur gjakrat.
Albana Vokshi ka kërkuar largimin e Erion Veliajt nga komisioni, por ai nuk ka pranuar dhe i ka thënë: Harroje se me nxjerrë përjashta mua!
Kryetarja e komisionit Vokshi është habitur nga paraqitja në dëgjesën e ministres Kumbaro për shembjen e Teatrit, edhe të kryebashkiakut Erion Veliajt, në në kohë kur ai duhej të paraqitej të mërkurën.
“Rama ju çon kudo si çift ju të dy”,- tha Vokshi duke i kërkuar Veliajt të dalë nga komisioni.
Por, Veliaj, ka nisur një fjalim me zë të lartë duke thënë se opozita ishte kundër projekteve të reja në Tiranë, siç kishte bërë gjithmonë; edhe për sheshin “Skënderbej”, edhe për Bulevardin e ri, edhe për Lodrat, edhe për Pazarin e ri, po pavarësisht të gjithave ato ishin bërë shkëlqyer.
Veliaj tha se nuk mund të vinte në komision nesër, kur kishte datën e caktuar për t’u paraqitur, sepse kishte për të marrë një çmim për sheshin “Skënderbej”, kështu që Vokshi nuk duhej ta nxirrte jashtë.
Ndërkohë Albana Vokshi i ka deklaruar prerë se ishte ajo kryetare e Komisionit dhe se nuk lejonte të tregonte arrogancë aty.
–“Për çfarë ke ardhur?! Qendro në nivelin e një kryetari bashkie. Nuk vini dot këtu dhe ….- foli ashpër Albana Vokshi.
-Unë të respektova dhe erdha, po ti nuk e meriton…- replikoi Veliaj.
-Se ç’meritoj e dinë votuesit. Fike mikrofonin, se me mua nuk ia del dot. Mos bëj zhurmuesin!- prapë Vokshi.
–Jo, me ty nuk ia del gjithë PD-ja, jo unë! Po çdo gjë që keni sulmuar, ka dalë më e bukur! Sa më shumë ta sulmoni Teatrin, aq më i bukur do dalë!- ndërhyri kryebashkiaku.
-Mbylle mikrofonin! Dilni jashtë!- tha Albana Vokshi dhe urdhëroi mediat të largoheshin.
-Po harroje se dal unë jashtë!- bërtiti Erion Veliaj.
-Mbylle mikrofonin! Mbylle dhe respekto deputetët! Mbylle zoti kryetar, se do të urdhëroj t’ju nxjerrin!- ulëriti kryetarja e komisioni te medias.
-PD-ja ka nevojë të rritet, ndërron tre seli, nuk thotë janë historike po aty thotë që artistët të rrinë me minj e mace!- insistoi Veliaj.
-Nxirreni kryebashkiakun jashtë! Ndërpritet mbledhja e komisionit!- tha kryetarja e komisionit.
Ndërkohë fillon përplasja fizike mes deputetëve. Albana Vokshi kërkon ndërhyrjen urgjente të Gramoz Ruçit, kryetarit të Parlamentit, për të qetësuar situatën në mbledhjen e Komisionit të Medias.
-Nxirreni me forcë nga salla kryetarin e bashkisë Erion Veliaj! Garda ta nxjerrë jashtë!- thërret me të madhe Albana Vokshi.
-Kryetari i Bashkisë nuk del përjashta! As të mos guxoni ta prekni!- ngrihen deputetët e PS-së.
Pas shumë sherreve dhe përplasjeve Erion Veliaj u largua nga salla.