Kryemadhi: Ramën do e rrëzojmë, zvarrë do e tërheqim
Monika Kryemadhi ka bërë deklaratën më të ashpër dhe më të fortë politike qëkur është zgjedhur kryetare e LSI. Në emisionin e Blendi Fevziut, në “Opinion”, Kryemadhi ka folur kundër kryeministrit Rama që bleu votat me bandat e drogës dhe se është i lidhur me këto banda. Ajo tregoi se në tre muaj fushatë në Elbasan ka jetuar e bërë fushatë mes terrorit të bandave të Elbasanit, që lëviznin hapur dhe mbroheshin nga policia e shtetit. Më pas ajo publikoi disa foto, kur tregohej Edi Rama, Blendi Klosi dhe Vangjush Dako nën shoqërinë e kriminelëve, të cilët janë në kërkim nga Interpoli. Duke debatuar me Blendi Fevziun ajo bëri autokritikë në emër të LSI dhe kritikoi Ilir Metën se duhej atë natë që Rama shkarkoi ministrin e drejtësisë Ylli Manjani, duhej votuar mocion dhe shkarkuar kryeministri. Ajo bëri autokritikë se LSI ka gabuar në raport me Edi Ramën.
Por e veçanta e deklaratave të Monika Kryemadhit ishte kur ajo tha se opozita e bashkuar shqiptare do ta rrëzojë Edi Ramën pa ardhur zgjedhjet e reja parlamentare. Bile, shtoi Monika Kryemadhi, do ta tërheqim zvarrë nëpër Tiranë.
Kjo mbetet më e ashpra deklaratë e Kryemadhit ndaj Edi Ramës. Nuk dihet cili do të jetë reagimi i kryeministrit Rama pas kësaj deklarate publike të kryetares se LSI. Edhe Lulzim Basha, kryetar i PD theksoi se do ta rrëzojmë pa vajtur në zgjedhje, por pyetja mbetet: Si do ta rrëzojnë?! Si Opozitë e Bashkuar apo sejcila veçmas?
Nëse PD dhe LSI nuk bashkohen, e sigurtë është se Edi Rama jo vetëm nuk rrëzohet, por do t’ju marrë edhe zgjedhjet e vitit 2021.